• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ekspozitë e gjashtëdhjetë veprave artistike të krijuara nga nxënës, studentë dhe kuadër akademikë nga Universiteti i EJL-së

Ekspozitë e gjashtëdhjetë veprave artistike të krijuara nga nxënës, studentë dhe kuadër akademikë nga Universiteti i EJL-së

Tetovë, 28 shtator 2023 (MIA) - Biblioteka "Maks van der Shtul" pranë Universitetit të Evropës Juglindore sonte në Tetovë ka organizuar aktivitet përmbyllës në kuadër të projektit "Arti në bibliotekë" me ekspozitën e gjashtëdhjetë veprave artistike. 

Bëhet fjalë kryesisht për piktura artistike të cilat janë krijuar nga nxënës, studentë dhe të punësuar në Universtitetin e Evropës Juglinore me pasion dhe dëshirë për artin. 

"Ka pasur disa faza gjatë zhvillimit të projektit. Së pari, kemi pasur prezantime dhe trajnime për zhvillimin e bibliotekës dhe për të gjitha ato kushte dhe burime që ofron ajo si institucion. Pasoi një kurs për pikturë artistike për nxënësit, studentët dhe të punësuarit. Ata janë paraqitur me motive të ndryshme, secili ka qenë i lirë të vizatojë çfarë të dojë, të gjitha vizatimet janë nga njerëz që kanë dëshirë dhe pasion por që nuk kanë ndonjë trajnim të veçantë", ka bërë të ditur Elmedina Abdullahi, drejtoreshë e bibliotekës "Maks van der Shtul".

Trajnimet dhe kurset për pikturë janë mbajtur në një hapësirë të Universitetit të Evropës Juglindore e cila është veçanërisht e dedikuar për punëtori artistike, por edhe ngjarjet e ardhshme kulturore të cilat planifikohen në këtë institucion të arsimit të lartë. Veprat e krijuara artistike sonte ishin ekspozuar në Galerinë e Arteve në Tetovë. 

"Pas ekspozitës këtu në Galerinë e Arteve, këto 60 vepra do të ekspozohen në sallën e posaçme të Universitetit dhe do të mbeten aty, më saktë do të vendosen në të gjitha hapësirat e kampusit në Tetovë si dhe në Shkup. Duke pasur parasysh se kjo është ekspozita e dytë e këtij lloji, UEJL do të jetë më e pasur për gjithsej 120 vepra të reja artistike", theksoi Elmedina Abdullahi.

Përveç veprave artistike, të pranishmit kishin mundësi që të shikonin edhe një video të krijuar në kuadër të projektit. Projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës. fc/

Fotografitë: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR