• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ekspertët propozojnë më shumë hulumtime dhe inovacione për përforcimin e konkurrueshmërisë dhe sigurisë së Evropës

Ekspertët propozojnë më shumë hulumtime dhe inovacione për përforcimin e konkurrueshmërisë dhe sigurisë së Evropës

Bruksel, 20 tetor 2024 (MIA) - Nevojiten më shumë hulumtime, inovacione dhe zhvillim teknologjik për ta bërë Evropën globalisht më konkurruese, më të sigurt dhe më të qëndrueshme, theksohet në Raportin e ekspertëve për përforcimin e programit për hulumtim dhe inovacion të BE-së, "Horizont Evropë".

Siç bën të ditur korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, bëhet fjalë për raport të titulluar "Dakordoj, veproj, përshpejtoj: Hulumtim, teknologji dhe inovacion për të forcuar konkurrencën evropiane" përgatitur nga 15 ekspertë të dalluar nën udhëheqjen e ish Sekretarit shtetëror portugez për shkencë, teknologji dhe arsim të lartë, Manuel Ejtor.

Në raport rekomandohet marrja e një qasje gjithëpërfshirëse për harmonizimin e hulumtimit dhe inovacionit me strategjinë e BE-së për konkurrencë dhe ekonomi të pastër digjitale, si dhe zhvillimin e programit kornizë për të nxitur kërkimin dhe inovacionin që për qëllim ka forcimin e konkurrencës evropiane.

Sipas ekspertëve, nevojiten veprime të fokusuara në rritjen e konkurrencës industriale, përballjen me sfidat sociale dhe krijimin e një ekosistemi të fuqishëm për hulumtim dhe inovacion dhe financim më të madh për Këshillat evropian për kërkim dhe inovacion dhe programit për mbështetjen e talentëve më të mirë "Maria Skllodovska-Kiri".

"Duhet të krijoni një Këshill për konkurrueshmëri industriale dhe teknologji për të rritur investimet në kërkimin dhe inovacionin industrial dhe për të siguruar autonomi strategjike”, thuhet mes tjerash në Raportin e dorëzuar në Komisionin Evropian.

Ekspertët i propozojnë KE-së të formojë Këshill për sfidat sociale për përballje me çështjet kryesore sociale, harmonizim me prioritetet strategjike të BE-së dhe për të inkurajuar filantropinë dhe shoqërinë civile.

Raporti rekomandon gjithashtu ndërtimin e një ekosistemi gjithëpërfshirës dhe tërheqës për hulumtim dhe zhvillim të BE-së, përmes të cilit do të siguroheh investime afatgjatë, do të inkurajohet bashkëpunimi ndëruniversitar dhe investimet e përbashkëta të vendeve anëtare të Unionit.

Ekipi i ekspertëve beson gjithashtu se është e nevojshme të zhvillohet program për sigurimin e inovacioneve në industri sipas kërkesës së tregut, si dhe ulja e ngarkesës administrative dhe shkurtimi i procedurave të aplikimit për financimin e inovacioneve dhe hulumtimit.

Në Raport rekomandohet gjithashtu edhe sigurimi i një buxheti më të madh, më të fokusuar dhe të qëndrueshëm për projektet e inovacionit dhe kërkimit të cilat do ta poziciononin Evropën si lider në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe menaxhimin e hulumtimit dhe zhvillimit.

Komisarja evropiane për inovacion, hulumtim, kulturë, arsim dhe rini, Iliana Ivanova shprehu besimin se Raporti do të nxis debat mes të gjithëve “që ndajnë vizionin e një Evrope të fortë e cila mbështet ide të guximshme dhe brilante dhe vlerëson qytetarët e saj”.

"Gjatë 40 viteve të fundit, kërkimi dhe inovacioni i financuar nga BE-ja ka rezultuar në zbulime të mëdha shkencore, zbulime në teknologjitë kryesore, vlerë të rëndësishme ekonomike dhe zgjidhje për çështjet që kanë rëndësi për njerëzit. Nëse duam të përmirësojmë agjendën tonë të kërkimit dhe inovacionit "Horizont Evropë" dhe të hapim rrugën për politikat evropiane të kërkimit dhe inovacionit më me ndikim, ne kemi nevojë për analiza të sakta dhe prova të fuqishme për të shfrytëzuar potencialin e plotë të grupit të talentëve të Evropës", ka thënë Ivanova.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR