• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ekspertët dëshmuan në gjykimin për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Ekspertët dëshmuan në gjykimin për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Tetovë, 16 shkurt 2023 (MIA) - Me dëshminë e dy infermierëve, prindërve të një të ndjeri të shtruar në spital, dy familjarëve të personave që po merrnin trajtim spitalor, si dhe tre ekspertëve, sot në Gjykatën Themelore në Tetovë, vazhdoi gjyqi për zjarrin në spitalin modular që ndodhi më 8 shtator të vitit 2021 ku humbën jetën 14 persona.

Me seancën e sotme përfunduan dëshmitë e propozuara nga Prokuroria, me përjashtim të një personi ekspert, i cili duhet të ftohet në seancën e radhës.

Para Gjykatës u drejtua një inxhinier elektroteknik i punësuar në Departamentin për ekzaminime dhe ekspertizë kriminalistiko-teknike pranënë Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili si kryeinspektor në Departamentin për zjarre, shpërthimeve dhe mjete shpërthyese, mori pjesë në inspektim së bashku me përfaqësues të SPB Tetovë dhe Prokurorisë më 9 shtator të vitit 2021. 

Ai shpjegoi se si ka nisur zjarri, për të cilin është bërë edhe analiza laboratorike. Është konstatuar se kablloja e zgjatur që ka marrë flakë, më herët ka pasur dëmtime mekanike.

"Gjurmët e zbuluara të kabllos lidhëse nga defibrilatori dallohen nga një ngjyrë e ndryshuar e përçuesve të bakrit, një ngjyrë gri, e cila shfaqet në temperatura të larta, si pasojë e dëmtimit të mëparshëm mekanik të kabllos, ka ndodhur një lidhje e shkurtër elektrike që shkakton mbinxehja në përçuesit e bakrit dhe çon në ndezjen e izolimit. Rryma e lidhjes së shkurtër është disa herë më e madhe se ajo nominale, dhe vendi më i ndjeshëm është kutia e lidhjes së kabllos së zgjatur", theksoi Rubin Boshkovski.

Dëshmoi edhe profesoresha Anita Grozdanova nga Fakulteti i Teknologjisë dhe Metalurgjisë, e cila i ka egzaminuar materialet, nga të cilat ka qenë i rregulluar spitali modular.

"Për të gjitha materialet dhe për shkumën, për PVC dhe për polistirenin, për të gjitha janë bërë teste termike të intervalit kohor dhe të temperaturës së zbërthimit të tyre. Testet u kryen sipas standardit në një mjedis inert dhe për të simuluar kushtet e spitalit modular në një mjedis ajror. Meqë oksigjeni është i pranishëm në një mjedis ajri, ndërsa në një mjedis inert nuk është i pranishëm oksigjeni. Testet kanë treguar se për të gjitha materialet që janë objekt i ekspertizës sime, stabiliteti termik dhe avaria fillojnë 10 deri në 15 gradë më herët në një ambient me ajër", theksoi Grozdanova.

Gjykimi do të vazhdojë më 2 mars me dëshminë e një eksperti tjetër të propozuar nga Prokuroria, pas së cilës do të paraqiten dëshmitë me shkrim të propozuara nga mbrojtja.

Para fillimit të gjykimit në orën 9 të mëngjesit, para gjykatës u mblodhën disa qindra qytetarë në mbështetje të dr.Boban Vuçevskit, i cili është njëri nga tre të akuzuarit.

T'i japim mbështetje sepse po ia lënë doktorit, por ne populli e dimë që ai ka të drejtë dhe e mbështesim. Nuk është faji i tij. Si mund të jetë fajtor një mjek për këtë, ne e mbështesim që të mos e dënojë. Çdo mjek dëshiron të shpëtojë dikë, jo të vrasë dikë. Gjyqtarët duhet të kenë kujdes se si gjykojnë, thanë qytetarët e pranishëm.

Të akuzuarit, drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi, mjeku Boban Vuçevski dhe përfaqësuesi i Spitalit Klinik të Tetovës si person juridik, në fillim të gjykimit theksuan se e kuptojnë akuzën, por nuk pranojnë fajin dhe se nuk i kanë kryer veprat për të cilat akuzohen.

Gjykimi për zjarrin që ndodhi më 8 shtator të vitit 2021, ku humbën jetën 14 persona, ndërsa dhjetëra u lënduan, filloi më 7 dhjetor të vitit  2022, pasi nga shtatori i vitit 2022 deri atëherë procesi gjyqësor disa herë u shty. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR