• e mërkurë, 27 nëntor 2024

E zhdukura Enkeleda Çela është maqedonase nga Gollobërda

E zhdukura Enkeleda Çela është maqedonase nga Gollobërda

 Dibër, 31 mars 2024 (MIA) - Studentja e Fakultetit Ekonomik në Shkup, Enkeleda Çela, shtetase e Shqipërisë, e cila është raportuar e zhdukur, është maqedonase nga fshati Trebishtë, rrethi i Gollobërdës, konfirmuan për MIA-n familjarë e vajzës.

"Enkeleda është bursiste e qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe është në vitin e dytë të studimeve. Edhe shkollën e mesme ekonomike e ka kryer në Ohër, me sukses të shkëlqyeshëm, pasi me sukses i kaloi edhe provimet universitare. Shpresojmë që ajo të gjendet e shëndoshë dhe e gjallë", kanë deklaruar për MIA-n familjarët e saj të afërm. 

 Shtojnë se shqetësimi është i madh tek të gjithë banorët e fshatit dhe të zonës, tek familjarët më të afërt dhe vëllai dhe tre motrat e saj, por shpresojnë që gjithçka të ketë një fund të lumtur. Konfirmuan se prindërit e vajzës tashmë janë në Shkup.

 Nga MPB-ja për MIA-n paraprakisht konfirmuan se një vajzë 20-vjeçare me origjinë nga Shqipëria, mbrëmë është raportuar e zhdukur, pasi është larguar nga shtëpia në Shkup ku ka qëndruar.

"Me datë 30.03.2024 në ora 10:30 në SP Petrovec G.T. ka raportuar se E.Ç (20) nga Republika e Shqipërisë është larguar nga shtëpia në Shkup ku banon. Po ndërmerren masa për gjetjen e personit", bën të ditur MPB. 

 Enkeleda Çelën nga Shqipëria e cila ka studiuar në Shkup në Fakultetin Ekonomik, u raportua e zhdukur nga miqtë e saj pasi të premten në mbrëmje humbi çdo gjurmë.

 Apel për ndihmë për gjetjen e saj ka publikuar në Fejsbuk shoqja e saj, e cila thotë se vajza për herë të fundit është parë në një pikë karburanti në lagjen Ilinden të Shkupit. Ajo kishte veshur xhinse dhe një xhaketë të zezë dhe mbante një çantë shpine.

 Foto: Enkeleda Çelo FB

 

QËNDRONI TË LIDHUR