• e enjte, 26 dhjetor 2024

Dy të tretat e qytetarëve asnjëherë nuk kanë përdorur ndonjë shërbim administrativ onlajn, rreth 60 për qind preferojnë të shkojnë nëpër sportele

Dy të tretat e qytetarëve asnjëherë nuk kanë përdorur ndonjë shërbim administrativ onlajn, rreth 60 për qind preferojnë të shkojnë nëpër sportele

Shkup, 19 mars 2023 (MIA) - Dy të tretat e qytetarëve asnjëherë nuk kanë shfrytëzuar shërbime administrative digjitale, ndërsa afërsisht 60 për qind duan që shërbimet t’i marrin nëpër sportele se sa onlajn, tregon anketa e fundit e opinionit publik që për "Detektor" e ka realizuar Instituti për hulumtime politike – Shkup. Anketa është realizuar nga data 28 shkurt deri më 3 mars të këtij viti përmes 1107 të anketuarve.

Sipas anketës, 58.2 për qind e qytetarëve nëse kanë nevojë për ndonjë shërbim të caktuar preferojnë të njëjtën ta kryejnë personalisht në sportel. Vetëm 33.9 për qind thonë se nëse munden, punën do ta kryenin onlajn.

Hulumtimi ka treguar se qytetarët e moshuar kanë më shumë rezistencë ndaj kompjuterëve. Tek ata mbi 60 vjeç, vetëm 19.1 për qind shërbimin do ta kryenin onlajn, ndërsa tek qytetarët e moshës 18 deri në 50 vjeç, përqindja e të anketuarve që thonë se preferojnë t'i marrin shërbimet onlajn sillet rreth 44 për qind.

Anketa madje tregon se mbi dy të tretat e qytetarëve asnjëherë nuk kanë përdorur ndonjë shërbim onlajn në ndonjë institucion publik. Ndërsa vetëm 26.5 për qind kanë deklaruar se kanë përdorur shërbime onlajn të institucioneve shtetërore, derisa 69.2 për qind asnjëherë nuk kanë tentuar të marrin një dokument apo ndonjë shërbim onlajn.

Ata që kanë përdorur shërbimet onlajn, në masë të madhe shprehen të kënaqur. Rreth 87,4 për qind e të anketuarve janë shprehur të kënaqur me shërbimin onlajn që kanë marrë nga institucionet shtetërore, ndërsa vetëm 11,6 për qind janë shprehur të pakënaqur. Shumica e qytetarëve ose 25,6 për qind kanë përdorur shërbimet onlajn të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Vijon DAP-i me 10.6 për qind dhe Kadastra me 7.8 për qind.

Sipas qytetarëve, reforma në administratën publike nuk duhet të bëhet përmes punësimeve të reja, por përmes uljes së numrit të të punësuarve dhe digjitalizimit. Këtë qëndrim e ndajnë 53.3 për qind e të anketuarve, ndërsa 23.7 për qind janë të mendimit se reforma në administratën publike duhet të orientohet në punësime dhe trajnime të reja.

Krahasimi me të njëjtën pyetje që "Detektor" e ka pasur para katër vitesh tregon se shumica e qytetarëve insistojnë në uljen e numrit të të punësuarve dhe digjitalizimin.

Foto: "Detektor"

 

QËNDRONI TË LIDHUR