• e enjte, 26 dhjetor 2024

Durmishi: Në rajonin e Pollogut nga mbi njëmijë zejtarë mezi shtatë për qind aplikojnë për masat për mbështetje

Durmishi: Në rajonin e Pollogut nga mbi njëmijë zejtarë mezi shtatë për qind aplikojnë për masat për mbështetje

Gostivar, 13 shtator 2024 (MIA) -  Në rajonin e Pollogut vetëm shtatë për qind e zejtarëve dhe bizneseve të vogla aplikojnë për thirrjen publike për mbështetje nga shteti dhe ky është një fakt zhgënjyes, tha ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, i cili sot ishte në një vizitë pune në Gostivar.

Ministri Durmishi në kuadër të iniciativës dhe planit të veprimit të Ministrisë kompetente ka zhvilluar një takim me zejtarët dhe pronarët e bizneseve të vogla nga Gostivari dhe është takimi i tretë pas atyre në Çair dhe Prilep.

Në këto takime, Durmishi shpjegoi kushtet në thirrjet publike të publikuara për mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe zejtarëve, por theksoi se përgjigja ishte e dobët, veçanërisht në rajonin Tetovë-Gostivar.

"Fakti që është zhgënjyes është se në vendin tonë vetëm shtatë për qind e rajonit të Pollogut aplikojnë për këto thirrje publike. Pra, do t'i kushtojmë më shumë vëmendje që të jetë njësoj si rajonet e tjera. Do t'i informojmë për procesin e aplikimit dhe do të bisedojmë me ta për sfidat e tyre dhe do t'u dalim në ndihmë", tha ministri Durmishi.

Ai nuk i di arsyet e mosaplikimit dhe tha se në këto takime do të ketë më shumë përgjigje, të cilat, siç tha ai, do të ndalojnë trendin e uljes së numrit të zejtarëve.

Kreu i Odës Kombëtare të Zejtarëve, Agron Fazlia, tha se një nga arsyet e përgjigjes së ulët ndaj thirrjeve publike është mungesa e informacionit, por edhe mosinteresimi i kontabilistëve, të cilët siç tha ai duhet të informojnë zejtarët për mundësinë e marrjes së mbështetjes financiare dhe të tjera.

Pyetjes së një gazetari se si mund të përmirësohet kjo situatë, ai u përgjigj se do të duhet të bëhet përmes takimeve të drejtpërdrejta me kontabilistët për t'u shpjeguar masat dhe për të aplikuar për masën sa më shumë zejtarë.

Fazlia shprehu kënaqësinë për angazhimin e ministrit dhe se bashkërisht do të merren me ekonominë gri në Maqedoni.

Nikoqir i takimit në Gostivar ishte ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës, Valbon Limani. Ministri foli me të për zgjerimin e mundshëm të bashkëpunimit dhe sesi pushteti lokal mund të ndihmojë në zhvillimin e bizneseve të vogla. sa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR