• e enjte, 26 dhjetor 2024

Drejtori i BSP-së Tasevski për vizitë pune në QR Perëndim, aeroportin "Shën Apostull Pali" dhe SPB Ohër

Drejtori i BSP-së Tasevski për vizitë pune në QR Perëndim, aeroportin

Shkup, 21 korrik 2023 (MIA) - Drejtori Sasho Tasevski bashkë me grupin strategjik pranë Byrosë së Sigurisë Publike (BSP) sot në kuadër të realizimit të masave dhe aktiviteteve të parapara me planin operativ "Verë e sigurt 2023" realizuan vizitë pune në Aeroportin "Shën Apostull Pali" në Ohër dhe në Qendrën Rajonale për Çështje Kufitare "Perëndimi", me çka ishte realizuar takim pune me udhëheqësitë e këtyre njësive organizative dhe SPB Ohër. 

Siç informojnë nga MPB, nga ana e udhëheqësisë së SPB Ohër drejtori Tasevski ishte informuar për gjendjen e sigurisë në rajonin e SPB Ohër e cila është në nivelin e kënaqshëm, ndërsa krimi i përgjithshëm gjatë gjashtë muajve të kaluar, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shënon ulje për 24,8 për qind. 

Në pjesën e qarkullimit të udhëtarëve në kufirin perëndimor, shtohet në kumtesë, në gjysmën e parë të këtij viti janë shënuar rezultate të dukshme në shumicën e zonave, me një rritje të dukshme të fluksit të udhëtarëve në këto pika kufitare për 16 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, përkatësisht është regjistruar hyrje dhe dalje e 1.527.153 pasagjerëve. Drejtori Tasevski u njoftua edhe për procesin e vendosjes së regjimit të qarkullimit të udhëtarëve në VK Qafë Thanë me One Stop Control, ku tashmë janë kryer pjesa më e madhe e punëve ndërtimore, janë siguruar hapësira ku do të bëhet kontrolli, si dhe është ofruar mbështetje informative dhe teknike.

Në pjesën e migracionit të paligjshëm, QR për ÇK "Perëndim" shënon ulje të kalimeve të paligjshme të kufirit tonë si rezultat i masave dhe aktiviteteve të ndërmarra në terren dhe vendosjes së mirë të shërbimeve tona. Në të njëjtën kohë, 36 persona u zbuluan në kufirin perëndimor gjatë tentativës për të kaluar ilegalisht kufirin shtetëror në zonën tonë, krahasuar me 72 të vitit të kaluar për të njëjtën periudhë. Rritje të funksionit të zbulimit për 10 për qind shënohet në zbulimin e personave sipas të dhënave operative, numri i të cilëve në këta 6 muaj është 248, dhe rritje prej 63 për qind ka në pjesën e kërkesave të parashtruara për fillimin e procedurës për kundërvajtje sipas ligjeve të ndryshme që vepron policia.

Drejtori Tasevski e shprehu kënaqësinë e tij nga rezultatet e arritura, me çka u sigurua se të punësuarit do të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë intensive për aktivitetet e planifikuara në drejtim të avancimit të sigurisë së të gjithë qytetarëve. fc/

Fotografia: MPB

 

QËNDRONI TË LIDHUR