• e enjte, 26 dhjetor 2024

Donacione në Shkup pas tërmetit katastrofal në Turqi dhe Siri

Donacione në Shkup pas tërmetit katastrofal në  Turqi dhe Siri

Shkup, 7 shkurt 2023 (MIA) - Në pikën në sheshin Maqedonia i hapur pas tërmetit shkatërrues në Turqi dhe Siri, qytetarët mund të dhurojnë veshëmbathje, ushqim, mjete higjienike dhe gjithçka që është e domosdoshme për njerëzit e goditur nga tërmeti. Pika është e hapur 24 orë.

MIA ka vizituar pikën, ku ka biseduar me Erdem Demirelin, i cili është 22 vjeçar dhe student në vitin e katërt në Universitetin Ballkanik.

"Njerëzit më së shumti dhurojnë veshëmbathje dimërore, tenda, ushqime. Ka donacione nga të gjitha brezat. Ne jemi shumë të lumtur për këtë. Boshnjakët, shqiptarët, maqedonasit, turqit... të gjithë ndihmojnë, dhe ne jemi gjithmonë këtu, kushdo mund të vijë në çdo kohë dhe të dhurojë - njëzet e katër shtatë", tha Demirel për MIA-n.

Më shumë se 5,000 njerëz kanë vdekur deri më tani në një seri tërmetesh në Turqinë juglindore dhe në veri të Sirisë, dhe ekipet e shpëtimit po kërkojnë të mbijetuar nën rrënoja.

Më i forti nga seria e tërmeteve ishte me magnitudë 7.8 ballë sipas shkallës Rihter.

Maqedonia e Veriut gjithashtu u përfshi me ndihma humanitare dhe duke dërguar ekipe speciale kërkimore. Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut dërgoi ekipin e kërkim-shpëtimit të përbërë nga 24 ushtarakë dhe dy qen, të cilët tashmë janë nisur për në Turqi. Më herët, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, ka konfirmuar për MIA-n se në rajonin e prekur nga tërmeti në Turqi, Gaziantep, janë dërguar ekipe për mbrojtje dhe shpëtim prej 40 personash.

Nga Qyteti i Shkupit dhe nga një pjesë e vetëqeverisjeve lokale janë dërguar ekipe ndihmëse, ndërsa në seancat e jashtëzakonshme të këshillave vendoset se sa mjete financiare do të ndahen për viktimat në vend. sa/

 

QËNDRONI TË LIDHUR