• e mërkurë, 01 prill 2026

Donçiq: Ajo që po ju bëjnë grekët dhe bullgarët në rrugën tuaj evropiane është një turp evropian

Donçiq: Ajo që po ju bëjnë grekët dhe bullgarët në rrugën tuaj evropiane është një turp evropian

 Shkup, 28 mars 2026 (MIA) - Personalisht mendoj se ajo që ju kanë bërë dhe po ju bëjnë grekët dhe bullgarët në rrugën tuaj evropiane është një turp evropian. Këto çështje duhet të mbeten dypalëshe, t'i zgjidhë Maqedonia me Greqinë dhe Bullgarinë, dhe nuk duhet të ketë veto, asnjë ndalesë në rrugën e Maqedonisë drejt Evropës, tha kryetari i Partisë Socialdemokrate Kroate (SDP), Hajdash Donçiq, pas takimit të sotëm me nikoqirin e tij, liderin e LSDM-së, Venko Filipçe.

 Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Donçiqi vuri në dukje se SDP mbështet fuqimisht perspektivën evropiane të Maqedonisë.

Edhe ai edhe Filipce ranë dakord që BE-ja nuk duhet të shihet si një qëllim strategjik, por si një instrument për arritjen e qëllimit strategjik, i cili është një jetë më e mirë për qytetarët.

 Në takim u diskutua edhe për binjakëzimin e qyteteve, kryetarët e të cilave në Maqedoni janë nga LSDM-ja, dhe në Kroaci nga SDP-ja, me qëllim përgatitjen më të mirë të tyre për anëtarësim në BE.

 "Maqedonia gjatë historisë gjithmonë ka pasur marrëdhënie jashtëzakonisht të mira me Kroacinë, si në mënyrë ekonomike , ashtu edhe kulturore dhe politike. Do të mbetet kështu. Duhet ta dini se BE-ja është vetëm një mjet për të arritur qëllimet tuaja kombëtare, të cilat janë mirëqenia dhe një jetë e mirë për qytetarët. Në atë rrugë, keni një mik të sinqertë në SDP-në e Kroacisë dhe në mua. Kjo rrugë është me gjemba, ndoshta BE-ja nuk është ideale, por për kombe të vogla si e jona, në këtë moment nuk shoh një asociacion më të mirë, nuk ekziston", theksoi lideri i SDP-së.

 Ai kujtoi vlerat socialdemokrate, duke theksuar se SDP dhe LSDM janë për krijimin dhe zhvillimin e vlerave të reja, por përmes marrëdhënieve të drejta midis punëtorëve dhe punëdhënësve.

 Kryetari i LSDM, Filipçe, theksoi se me homologun e tij kroat Donçiq ndajnë të njëjtin vizion.

 "BE-në të mos  e shohim si qëllimin tonë strategjik, por si një instrument për të arritur qëllimin strategjik, i cili është - të jetojmë më mirë, në mënyrë më cilësore, në mjedise urbane të organizuara mirë, me paga më të larta dhe kushte më të mira për të rinjtë, në mënyrë që ata të mos largohen nga vendi. Në takim, na u prezantua se si është zhvilluar një komunë pranë Zagrebit gjatë viteve, sepse sa më pak i zhvilluar të jesh, aq më e madhe është përqindja që merr nga fondet evropiane. Por kjo është diçka që nuk mund ta bëjmë tani. Ish-fabrikat në Kroaci po rriten në qendra kulturore, urbane, sportive, salla kinemaje,..., dhe këtu në ato vende po bëhet betonim brutal, po mbijnë ndërtesa", vlerësoi Filipçe, sipas të cilit pushteti nuk po bën asgjë për këtë temë.

 Foto/video: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR