• e enjte, 26 dhjetor 2024

Dita ndërkombëtare e gruas: Festë kushtuar të drejtave të grave dhe paqes botërore

Dita ndërkombëtare e gruas: Festë kushtuar të drejtave të grave dhe paqes botërore

Shkup, 8 mars 2023 (MIA) - Dita ndërkombëtare e gruas - 8 Marsi festohet çdo vit në kujtim të protestës së punëtorëve të tekstilit në Nju-Jork me kërkesë për të drejta më të mëdha, të mbajtur në këtë datë të vitit 1857. Kombet e Bashkuara filluan ta festojnë këtë ditë në vitin 1975 dhe dy vjet më vonë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u bëri thirrje vendeve anëtare që të shpallin 8 Marsin festë zyrtare të Organizatës Botërore kushtuar të drejtave të grave dhe paqes botërore.

Që atëherë, Dita ndërkombëtare e gruas festohet globalisht me fokus në lëvizjen për të drejtat e grave, barazinë gjinore, të drejtat reproduktivd dhe luftën kundër dhunës dhe abuzimit të grave.

Festimi i kësaj dite lidhet me iniciativën për vendosjen e së drejtës universale të votës, respektivisht mundësimin e grave për të votuar në zgjedhjet në fillim të shekullit të kaluar, si dhe me aktivitetet e lëvizjeve punëtore në Amerikën e Veriut dhe Evropë. Festimi i parë i regjistruar i Ditës së gruas ishte më 28 shkurt të vitit 1909 në Nju-Jork i organizuar nga Partia Socialiste e Amerikës, e tashmë nga viti i radhës u organizuan demonstratat dhe manifestimet e para në Evropë kushtuar të drejtave të grave.

Të frymëzuar nga këto ngjarje, delegatët gjermanë, të kryesuar nga Klara Cetkin, në Konferencën Ndërkombëtare Socialiste të Grave të mbajtur në gusht të vitit 1910 në Kopenhagë, propozuan festimin e Ditës së gruas, ndonëse në iniciativën e tyre nuk ishte përmendur datë konkrete. Propozimi u pranua nga pjesëmarrësit e Konferencës me idenë që Dita e Gruas të përdoret për të promovuar përkushtimin për barazi gjinore dhe për t'i dhënë grave të drejtën e votës.

Pas kësaj, vitin e ardhshëm më 19 mars u organizua festimi i parë i Ditës ndërkombëtare të gruas në mbarë Evropën duke mbajtur protesta që kërkonin vendosjen e së drejtës së votës për gratë, duke u mundësuar atyre ushtrimin e posteve publike, si dhe parandalimin e diskriminimit gjinor në punësim.

Motiv plotësues për luftën për të drejtat e grave, para së gjithash punëtoreve, ishte zjarri në fabrikën e tekstilit "Triangëll Shirtvejst" në Nju-Jork më 25 mars të vitit 1911, në të cilin vdiqën 146 punëtorë, shumica prej të cilëve gra dhe emigrantë.

Në dekadat e para të shekullit të 20-të, nuk kishte datë të harmonizuar ndërkombëtarisht për festimin e Ditës së gruas. Në SHBA në atë periudhë, "Dita kombëtare e gruas" festohej në javën e fundit të shkurtit, derisa në Rusi kremtimi i parë i "Ditës ndërkombëtare të gruas" u organizua në vitin 1913, edhe atë të shtunën e fundit të muajit shkurt, sipas kalendarit Julian, ditë që sipas kalendarit Gregorian ishte 8 Marsi.

Në Gjermani, shënimi i parë zyrtar i Ditës ndërkombëtare të gruas u organizua më 8 Mars të vitit 1914. Zgjedhja e kësaj date ishte ndoshta e rastësishme, duke marrë parasysh se atë vit ajo ditë ka qenë e diel. Kërkesa parësore nga tubimet protestuese në këtë ditë ishte vendosja e së drejtës së votës për gratë në Gjermani, që u është mundësuar katër vjet më vonë me shpalljen e "Republikës së Vajmarit". Po atë vit, Dita e gruas u shënua edhe me një protestë në sheshin Trafalgar në Londër. Kjo protestë mori publicitetin më të madh për shkak të arrestimit të aktivistes britanike për të drejtat e grave Silvija Pankharst, e cila u pamundësua të fliste në tubimin.

Më 8 mars të vitit 1917 sipas kalendarit gregorian (23 shkurt sipas kalendarit julian), në Petrograd u mbajtën protestat e punëtoreve të tekstilit me sloganin "Bukë dhe paqe", për shkak të pakënaqësisë për mungesën e ushqimit dhe me kërkesë për tërheqjen e Rusisë nga Lufta e Parë Botërore, e cila ishte hyrje në Revolucionin rus të shkurtit, i cili çoi në abdikimin e Carit Nikollaj dhe vendosjen e së drejtës së votës së grave. Tashmë gjatë të njëjtit vit, me iniciativën e bolshevikëve, 8 Marsi u shpall festë në Rusi. Me vendim të Presidiumit të Këshillit Suprem të Bashkimit Sovjetik më 8 maj të vitit 1965, 8 marsi u shpall ditë jo pune në vend në kujtim të, siç thuhet në arsyetimin, "meritat e jashtëzakonshme të grave sovjetike në ndërtimin e komunizmit dhe në mbrojtjen e atdheut gjatë Luftës së madhe patriotike (Lufta e Dytë Botërore - sh.j.) dhe heroizmin dhe vetëmohimin e tyre, si dhe për kontributin e madh në forcimin e miqësisë mes popujve dhe në luftën për paqe”.

Festimi i parë i 8 Marsit në Kinë u mbajt në vitin 1922 në organizimin e Partisë Komuniste Kineze dhe në vitin 1927 u organizua një marshim në qytetin e Guangzhou me pjesëmarrjen e rreth 25.000 njerëzve, i cili u mbështet jo vetëm nga komunistët, por gjithashtu nga Partia Nacionaliste e krahut të djathtë të Kinës (Kuomintang) dhe nga Shoqata e Krishterë e Grave të Reja. Pas shpalljes së Republikës Popullore të Kinës, Këshilli Shtetëror Kinez më 23 dhjetor 1949 shpalli 8 Marsin si Ditën zyrtare të Gruas dhe grave kineze iu dha e drejta për të përdorur një festë gjysmë ditore në atë ditë.

Me iniciativën e Partisë Komuniste të Spanjës dhe udhëheqëses së saj legjendare Dollores Ibaruri, në Madrid u mbajt një "marshim i grave" më 8 mars të vitit 1936, duke shënuar kështu Ditën e gruas.

Pikërisht për shkak të këmbënguljes për përkujtimin e festës së gruas nga partitë komuniste dhe festimin e saj në vendet real socialiste të Evropës Lindore dhe Azisë, në dekadat e para të pas Luftës së Dytë Botërore kjo festë u lidh me lëvizjet socialiste dhe të majta. Por, në gjysmën e dytë të viteve të '60-ta të shekullit të kaluar, anëtarët e lëvizjes feministe dhe aktivizmit të grave, që ishte në rritje në atë kohë, filluan të avokojnë , gjë që çoi në një ndryshim në perceptimin. të saj dhe rezultoi me shpalljen e Ditës Ndërkombëtare të Gruas nga OKB-ja.

Sot, 8 Marsi është një festë zyrtare publike në Bjellorusi, Vietnam, Armeni, Rusi, Kinë, Moldavi, Mongoli, Uzbekistan dhe Ukrainë, ndërsa në vende të tjera festohet në dritën e promovimit të arritjeve të grave, të drejtave të grave dhe luftës për barazisë.

Por, globalizimi dhe tendencat moderne të tregut përmes fushatave të mrekullueshme të marketingut dhe promovimeve të blerjeve e kanë komercializuar Ditën ndërkombëtare të gruas dhe e kanë kthyer atë në një ditë të dhënies së dhuratave. Nga ana tjetër, vërehen edhe tendenca për relativizimin e festës duke e festuar si “Ditën e nënës”, gjë që disa përfaqësues të luftës për të drejtat e grave e konsiderojnë si përpjekje për defokusim nga qëllimet burimore të shënimit të Ditës së gruas. E gjithë kjo, së bashku me ngritjen e mediave sociale, ka çuar në promovimin e disa ideve të paqarta të barazisë dhe jo qëllimeve fillestare për reforma sociale dhe barazi.

QËNDRONI TË LIDHUR