• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Dita e tretë e debatit në komision për Propozim-buxhetin për vitin 2025

Dita e tretë e debatit në komision për Propozim-buxhetin për vitin 2025

Shkup, 16 nëntor 2024 (MIA) – Në Komisionin kuvendor për Financim dhe Buxhet sot duhet të vazhdojë dita e tretë e debatit për Propozim-buxhetin për vitin 2025. 

Debati në Komision për Propozim-buxhetin zgjat 10 ditë dhe duhet të përfundojë më së voni deri më 30 nëntor pas çka vazhdon në seancë plenare. Për Propozim-buxhetin për vitin 2025 janë parashtruar gjithsej 308 amendamente prej të cilëve 204 nga LSDM-ja opozitare. Sipas ligjit, Buxheti për vitin 2025 duhet të votohet deri më 31 dhjetor

Me Propozim-buxhetin për vitin 2025, të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 358,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 400,2 miliardë denarë. Deficiti i buxhetit është projektuar në vlerë absolute prej 41.350 milionë denarë ose në nivel prej 4 për qind të PBB-së së planifikuar, ndërsa parashihet rritje e ekonomisë prej 3,7 për qind. 

Në debatin e djeshëm, deputetët e opozitës theksuan se me Propozim-buxhetin nuk do të ketë standard më të mirë jetësor të qytetarëve dhe zhvillim ekonomik të shtetit, ndërsa ata nga pushteti se është zhvillimor dhe do t’i përmirësojë kushtet për jetën e qytetarëve. 

Deputetja e LSDM-së, Jovanka Trençevska theksoi se propozim-buxheti është joreal, as pak i zhvilluar, i kushtueshëm, jo​​nikoqir, parazgjedhor jovizionar, joinventiv dhe buxhet, siç tha ajo, me borxhe të reja dhe një viti të ri të humbur për ekonominë dhe qytetarët. Trençevska theksoi se partia e saj nuk do të votojë për një buxhet të tillë, sepse, siç tha ajo, nuk do të sjellë rritje ekonomike apo standard më të mirë të jetesës për qytetarët.

"Një buxhet që parashikon rritje joreale të PBB-së prej 3,7 për qind krahasuar me parashikimet e Bankës Botërore prej 2,5 për qind, Bankës Kombëtare prej 3,3 për qind. Një numër i madh i ekonomistëve ekspertë që vlerësuan propozim-buxhetin dhe projeksionet e Qeverisë tregojnë se pse rritja është joreale. Dhe padyshim që në një projeksion të tillë ndikon edhe fakti që viti 2025 është viti kur do të zhvillohen zgjedhjet vendore, të cilin me të drejtë e konsiderojmë parazgjedhore. Ne kemi një buxhet që tregon se politika fiskale nuk ka busull. Maqedonia është i vetmi vend në rajon që nuk bën konsolidim fiskal në vitin 2024 dhe nuk planifikon ta bëjë këtë në vitin 2025. Ne kemi një buxhet me të cilin borxhi publik po rritet gjithnjë e më shumë. Ne kemi një buxhet që i plotëson nevojat vetëm 24 ministrave dhe kabineteve të tyre, por jo qytetarëve", tha ajo.

Trençevska theksoi se Qeveria me këtë Propozim buxhetor shkurton më së shumti për kategorinë e rrezikuar sociale të qytetarëve.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski e akuzoi Trençevskën se gënjen dhe se në Propozim-buxhetin ka 10 miliardë denarë më shumë për paga.

"Është turp të gënjeni, kur në buxhet ka 10 miliardë denarë më shumë për paga. Ka para për pagën minimale. Dhe ndaluni, ju lutem, më duket e sikletshme kur gënjen në mënyrë të hapur pa pasur asnjë nivel minimal kulture. Nuk do të votoni për pensione më të larta se 2.500 denarë. A e dini kush ishin ata pensionistë? Ata që i nxorët nga Ministria dhe u dhatë epitete. Nuk është e vërtetë që sindikatat nuk janë të kënaqura. Kanë qenë të pakënaqur kur i keni lidhur kontratat e përgjithshme kolektive kur i keni dëbuar nga qeveria. Rreth tezës për zgjedhjet lokale. Nëse ne kemi dashur t'i shfrytëzojmë ato mjete për të fituar përparësi para zgjedhjeve lokale, mirë atëherë ju japim përparësi në Strumicë, në Vallandovë, në Probishtip dhe kudo ku keni kryetarët tuaj. Edhe në Krushevë edhe në Vallandovë kemi parë që njerëzit po i shfrytëzojnë mjetet dhe unë e mirëpres këtë. Pra, ajo tezë nuk është në rregull", tha Stojanoski.

Trençevska në kundërpërgjigje ndaj Stojanovskit theksoi se nëse ajo gënjen, atëherë Qeveria gënjen me këtë buxhet që ua ka dorëzuar deputetëve. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR