• e premte, 27 dhjetor 2024

Dita e pavarësisë - 32 vite shtet i pavarur dhe sovran

Dita e pavarësisë - 32 vite shtet i pavarur dhe sovran

Shkup, 8 shtator 2023 (MIA) - Me moton "Lajmëtar i Lirisë", me disa aktivitete, të organizuara nga Qeveria, sot shënohet Dita e Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut - 8 Shtatori. Janë paralajmëruar vizita falas në muzetë dhe galeritë e artit dhe në objektet arkeologjike në të gjithë vendin, ushtrime demonstruese taktike dhe ekspozitë e njësive të Armatës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, aktivitete sportive në bashkëpunim me Agjencinë për Rini dhe Sport, programe  kulturore dhe artistike...

Aktivitetet filluan mbrëmë në Shkup me një akademi formale me temë “32 vjet pavarësi”, në të cilën foli kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Në kuadër të shënimit të 32 vjetorit nga shpallja e Pavarësisë së shtetit, në orën 10:00, delegacioni qeveritar i kryesuar nga Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në përbërje nga zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski dhe ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, do të vendosin lule të freskëta në vendpushimet e përjetshme të ish-presidentëve të vendit, Kiro Gligorov dhe Boris Trajkovski, në Alenë e kolosëve në Varrezat e qytetit “Butel” në Shkup.

Shënimi i Ditës së pavarësisë do të vazhdojë në Parkun e Qytetit në Shkup, në hapësirën në lokacionin "Guaca", ku do të mbahen stërvitje taktiko-treguese të njësive të Armatës së RMV-së dhe të Minsitrisë së Punëve të Brendshme. Në lokacionin "Guaca" është paraparë edhe program kulturor-artistik, anëtarët e "Bilbilit të Artë", si dhe programk për fëmijë, me pjesëmarrje të Teatrit për fëmijë dhe të rinj të cilët do ta interpretojnë shfaqjen "Giga Mega përralla" në regji të Hana Milenkovskës, vepër e Gorjan Milloshevskit.

Gjatë ditës, në lokacionin e njejtë, të gjithë të interesuarit do të kenë mundësi të jenë pjesë e serisë së aktiviteteve sportive të organizuara në bashkëpunim me Agjencinë për Të Rinj dhe Sport.

Në manifestimin në Parkun e Qytetit do të marrin pjesë kryetari i Qeverisë, Kovaçevski dhe anëtarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Si pjesë e shënimit të Ditës së Pavarësisë, në organizim të Qeverisë, krahas manifestimeve të shumta të rastit, për qytetarët, prej orës 11:00 në tërë shtetin do të fillojë manifestimi kulturor "Ditë e hapur për qytetarët", në suaza të të cilit do të sigurohet hyrje pa pagesë për qytetarët në institucionet kulturore, muzetë dhe galeritë në tërë Republikën. 

Në manifestimin në Parkun e Qytetit do të marrin pjesë kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe anëtarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Gjithashtu, në kuadër të shënimit të festës së Pavarësisë, nën moton “Lajmëtar i Lirisë”, në organizim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përveç manifestimeve të shumta të përshtatshme për qytetarët, nga ora 11:00, në të gjithë vendin do të nisë manifestimi kulturor “Ditë e hapur për qytetarët”, që mundëson hyrjen falas për qytetarët në institucionet kulturore, muzetë dhe galeritë në të gjithë Republikën.

Të gjithë qytetarët e interesuar anembanë vendit do të kenë mundësinë të vizitojnë lokalitetet arkeologjike “Stobi”, “Heraklea”, “Bargala”, observatori megalitik “Kokino”, muzeu i Ohrit, muzetë dhe institucionet në Prilep, Manastir, Shtip dhe Strumicë, muzetë e Kumanovës, në Krushevë dhe Gjevgjeli, si dhe në Tetovë: Muzeu i Rajonit të Tetovës dhe Galeria e Arteve. Hyrja falas për qytetarët do të jetë edhe në Shtëpinë Përkujtimore të Todor Proeskit në Krushevë. Në Manastir qytetarët do të kenë mundësi për hyrje falas në Muzeun e Alfabetit Shqip si dhe në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Muzeut, në Kërçovë, në Muzeun e Maqedonisë Perëndimore në LÇP, ndërsa në Strugë hyrja do të jetë falas në muzeun Dr. Nikolla Nezllobinski.

Në Shkup do të jenë të hapura për vizitë Muzeu Arkeologjik, Muzeu i Historisë Natyrore, Muzeu i Luftës Maqedonase për Pavarësi, Muzeu i Maqedonisë së Veriut, Muzeu i Artit Bashkëkohor, Galeria Nacionale e Maqedonisë së Veriut, Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës dhe Qendra Konservative (Kisha e Shën Spas).

Në Muzeun e Luftës së Maqedonisë për Pavarësi, më 8 Shtator në orën 12:00, kuarteti harqesh "Luj" nga QSHSHMB "Ilija Nikollovski-Luj" nga Shkupi do të mbajë koncert në të cilin do të jenë vepra të Ravelit, Dvorzhak, Pjacolla dhe të tjerë. Vizitorët do të kenë mundësinë të shohin edhe ekspozitën e përkohshme “Themeli i shtetësisë”, kushtuar ngjarjeve kyçe të formimit të shtetit - Ilinden 1903, Ilindeni 1944 dhe shpallja e Pavarësisë në vitin 1991.

Opera dhe baleti nacional do t'i bashkohet kremtimit me koncert të arieve të njohura operistike, që më 8 shtator në orën 20:00 do të mbahet para platosë së institucionit.

Me rastin e festës së Pavarësisë, në orën 18:00 në Kinonetën do të shfaqet një nga filmat dokumentar maqedonas më të vlerësuar, “Toka e mjaltit”, me regji të Tamara Kotevska dhe Ljubomir Stefanov. Në orën 20:00 do të shfaqet filmi “Shëruesi”, i cili është filmi i parë debutues artistik i regjisorit dhe skenaristit Gjorçe Stavreski.

Para 32 viteve, mbi 95 për qind e qytetarëve votuan për një shtet të pavarur dhe sovran në referendum. Më parë, më 25 janar 1991, në Kuvendin e parë shumëpartiak të Maqedonisë u miratua Deklarata e Pavarësisë, ndërsa dy ditë më vonë deputetët zgjodhën Kiro Gligorovin si president të parë të Republikës së Maqedonisë së pavarur dhe sovrane. Hapa të rëndësishëm për krijimin e shtetësisë ishin miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991, pavarësia monetare dhe vendosja e denarit më 26 prill të vitit 1992 dhe formimi i forcave të veta të armatosura. Subjektiviteti juridik ndërkombëtar i shtetit u konfirmua përfundimisht më 8 prill 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u pranua si anëtari i 181-të me të drejta të plota i Organizatës Botërore. Për shkak të kundërshtimit dhe presionit të Greqisë, e cila nuk e pranoi emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, anëtarësimi në OKB ishte nën referencën e përkohshme: Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Përgjatë 32 viteve të ekzistencës së pavarur, shteti kaloi një sërë problemesh dhe vështirësish. Inflacioni treshifror në fillim të viteve '90, embargoja greke, kriza e refugjatëve në Kosovë dhe konflikti i vitit 2001 ishin sfida dhe kërcënime reale për shtetin e ri maqedonas që ia ngadalësuan rrugën.

Mosmarrëveshja me Greqinë për emrin, pas shumë vitesh bisedime nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, u zgjidh përfundimisht më 17 qershor të viit 2018 në Prespë me nënshkrimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve. Me këtë u hap rruga e vendit drejt NATO-s dhe BE-së. Më 27 mars të vitit 2020, Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s. Si vend kandidat për anëtarësim në BE prej 18 vitesh, me rekomandimin e parë për fillimin e negociatave në vitin 2009, vendi tani përballet me një bllokadë nga Bullgaria. Ka filluar procesi për ndryshimin e Kushtetutës, i cili është kusht që Bullgaria të heqë veton për vazhdimin e procesit të negociatave me Unionin. Në mënyrë që vendi të fillojë hapjen e klasterave në negociatat me BE-në, Sofja kërkon që bullgarët të përfshihen në Kushtetutë. Në Kuvend muajin e kaluar filloi seanca plenare për miratimin e amendamenteve për ndryshimet kushtetuese, por për shkak të shumicës së nevojshme prej dy të tretave, për të cilën qeveria nuk ka mbështetjen e opozitës, vazhdimi do të mbahet, siç paralajmërohet, kur krijohen kushtet e duhura.

Shteti e feston ditëlindjen e tridhjetë e dytë me shkallë të papunësisë prej 13,1 përqindëve, rritje të BPV-së prej 2,5 për qind, neto pagë mesatare neto prej 36.527 denarëve dhe inflacion prej 8,3 për qind. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR