• e shtunë, 23 nëntor 2024

Dita e fitores mbi fashizmin dhe Dita e Evropës shënohen para Qeverisë

Dita e fitores mbi fashizmin dhe Dita e Evropës shënohen para Qeverisë

Shkup, 9 maj 2024 (MIA) - Delegacioni i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i prirë nga Kryetari i Qeverisë, Talat Xhaferi, në përbërje të ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov dhe zëvendësministres së Drejtësisë, Viktorija Avramovska Madiq, vendosi lule dhe bëri  homazh për luftëtarët e Luftës Nacionalçlirimtare, para Monumentit “Çlirimtarët e Shkupit”, në platonë para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

"Në ceremoninë zyrtare, të realizuar me nderime ushtarake, gjithashtu bënë homazhe dhe vendosën lule: delegacioni i Lidhjes së Luftëtarëve nga LÇPAM, i kryesuar nga Naum Bureski, kryetari i Këshillit Qytetar të Lidhjes së Luftëtarëve, nga Kabineti i Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Biljana Blazevska, adjutantë, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga Snezhana Kalevska Vançeva, deputete, delegacioni i Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i kryesuar nga gjenerali i Brigadës, Orce Jordev, si dhe përfaqësues nga kori diplomatik në shtet, ndër të cilët, ambasadori i Bashkimit Evropian, Dejvid Gir, delegacioni i Qytetit të Shkupit dhe përfaqësues të partive politike", kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë.

Paraprakisht në një ceremoni me nderime ushtarake delegacione nga Qeveria, nga Kabineti i Presidentit të shtetit, nga Kuvendi, nga Lidhja  e Luftëtarëve nga LÇPAM, përfaqësues nga kori diplomatik, nga Qyteti i Shkupit, nga partitë politike, bënë homazhe dhe vendosën lule në Varrezat partizane në Butel.

"Republika e Maqedonisë së Veriut ka qenë gjithmonë në anën e vërtetë të historisë. Kështu ka qenë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur vendi ishte krah për krah me forcat përparimtare antifashiste. Shteti ynë është krijuar mbi rrënojat e fashizmit, në lirinë e fituar dhe me idenë progresive për përparim. Edhe sot, në kontekstin e ndërlikuar gjeopolitik, ne qëndrojmë pranë aleatëve, si një anëtar i barabartë i NATO-s dhe një anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian, duke e bazuar zhvillimin në demokracinë", thekson shërbimi për shtyp i qeverisë në kumtesën.

Me rastin e 9 majit – Ditës së Fitores mbi Fashizmin dhe Ditës së Evropës, kryeministri i Qeverisë Teknike, Talat Xhaferi, tha se “ne qëndrojmë fortë dhe do të qëndrojmë në mbrojtje para çfarëdo formave të fashizmit modern, që janë kërcënim për paqen dhe progresin kudo në botë".

"Gjithashtu, me respekt të sinqertë ndaj idesë së madhe evropiane, mbi të cilën bazohet ndërtimi i Bashkimit Evropian, do të vazhdojmë të kontribuojmë në mbrojtjen dhe afirmimin e vlerave evropiane, si garantues të paqes dhe perspektivës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Republika e Maqedonisë së Veriut i takon familjes së popujve dhe shteteve evropiane dhe synimin e qytetarëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, bashkë, do e arrijmë", informoi shërbimi për shtyp i qeverisë për mesazhin e Xhaferit. ls/

Foto: Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 

QËNDRONI TË LIDHUR