• e shtunë, 23 nëntor 2024

Dita e Evropës: Vizione për bashkim të BE-së në kohë sfidash

Dita e Evropës: Vizione për bashkim të BE-së në kohë sfidash

Bruksel, 14 maj 2023  

AFP, ANSA, EFE, FENA, MIA, STA, Tanjug  

Gjatë festimit të Ditës së Evropës në 9 maj, vendet anëtare të BE dhe ato me ambicie të aderimit reflektuan për arritjet e bllokut dhe planet e ardhshme për Bashkimin. Dita kur promovohet paqe dhe unitet në të gjithë kontinentin përkon me festimin e Rusisë, në mesin e vendeve të tjera, për fitoren mbi Gjermaninë naziste në vitin 1945.  

Lufta në Ukrainë, kontestet tregtare-ekonomike me Kinën dhe SHBA-në, inflacioni – BE-ja përballet me sfida nga shumë anë. Krerët e Bashkimit Evropian shënuan Ditën e Evropës dhe diskutuan temat aktuale nga agjenda e bllokut.  

Kancelari gjerman Olaf Sholc bëri thirrje të martën për bashkëpunim më të madh global në kushte të barabarta, në vend të synimit për shndërrimin e Bashkimit Evropian në “fuqi të tretë botërore” krahas SHBA-së dhe Kinës, ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian Ursulla fon der Lajen, tregoi solidaritet me Ukrainën në Kiev.  

Komisionari evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç, në Slloveni  foli për arritjet e BE-së në raport me tregun e vetëm, zonën e Shengenit, euron dhe programin Erasmus, por deklaroi se vizioni i pionierit të BE-së Robert Shuman nuk është arritur ende. "Evropa nuk ka arritur ende paqen", tha komisionari.  

Ukraina festoi 9 majin - Ditën e Evropës  

Presidentja e Komisionit Evropian Ursulla fon der Lajen këndoi një kundër-këngë në Kiev për Ditën e fitores së Rusisë, gjatë vizitës së saj në kryeqytetin e Ukrainës me rastin e shënimit të parë të Ditës së Evropës në Ukrainë. “Vlerat që do të thotë shumë për ne mbrohen ”Këtu çdo ditë mbrohen vlerat që për ne paraqesin shumë", theksoi presidentja e Komisionit Evropian. Por Lejen dhe Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski nuk biseduan vetëm për idetë dhe parimet.  

Duke qëndruar pranë presidentit të Komisionit Evropian, Zelenski i bëri thirrje BE-së të shpejtojë shpërndarjen e municioneve, të heqë kufizimet “e papranueshme” për eksportet e grurit ukrainas dhe të fillojë negociatat për hyrjen e Ukrainës në BE. “Ka ardhur koha për të hequr pasigurinë artificiale politike në marrëdhëniet midis Ukrainës dhe BE-së”, tha Zelenski në një konferencë të përbashkët shtypi.  

Pas bisedimeve në Kiev, Fon der Lajen bëri të ditur se ajo beson se Ukraina është shumë serioze për arritjen e ambicieve të saj në BE. “E përfundoj këtë vizitë e mahnitur më shumë se kurrë më parë nga vendosmëria e ukrainasve, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballen. Ne duhet të vazhdojmë t 'i mbështesim ata", deklaroi ajo për një gazetar të AFP, përfaqësues për redaksinë evropiane.  

Fon der Lajen muajin e ardhshëm duhet të informojë liderët e vendeve anëtare të BE-së, ndërsa në tetor t'u dorëzojë raport për përparimin e Ukrainës në reformat demokratike dhe kundër korrupsionit. Atëherë, anëtaret do të duhet të vendosin nëse do të fillojnë bisedimet zyrtare për anëtarësim në BE.  

Ka shumë vullnet në raport me Ukrainën në kryeqendrat e BE-së, por edhe skepticizëm nëse një vend me histori kaq problematike të kohëve të fundit do të jetë gati për të filluar bisedimet për anëtarësim këtë vit. Brukseli vlerëson se sapo të fillojnë bisedimet, ato mund të zgjasin gjashtë deri në dhjetë vjet, ndërsa Kievi është optimist më i madh.  

BE27+: Premtime, unitet dhe zgjerim korrekt?  

“U kemi thënë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë, ju na përkisni neve, ne duam që ju të bëheni anëtarë të Bashkimit Evropian”, ka thënë kancelari gjerman, Olaf Sholc, gjatë fjalimit në Parlamentin Evropian. Ai shtoi se nuk bëhet fjalë për altruizëm, "por për kredibilitet dhe interes ekonomik", si dhe për angazhimet për të siguruar paqe në Evropë, veçanërisht pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.  

Sholc shtoi se një politikë e drejtë zgjerimi do të thotë përmbushjen e premtimeve të bëra ndaj të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilave u ishte premtuar perspektivë evropiane 20 vjet më parë. "Evropa gjeopolitike duhet të përmbushë premtimet e saj ndaj fqinjëve të saj," tha ai.  

Spanja, e cila merr presidencën e radhës të BE në 1 korrik, shënoi Ditën e Evropës me veprimtari anembanë vendit. Qeveria spanjolle ka për të forcojë marrëdhëniet e BE-së me Amerikën Latine sepse, sipas diplomatëve spanjollë, Evropa duhet të hapet ndaj “partnerëve të besueshëm” në mënyrë që të garantojë zinxhirët e furnizimit në një kohë delikate për BE-në, në një kuptim gjeostrategjik.  

Stabilizimi i Ballkanit dhe kundërshtimi i ndikimit rus dhe kinez  

Krerët e Bashkimit Evropian tashmë janë zotuar të forcojnë lidhjet me Ballkanin Perëndimor në samitin BE-Ballkani Perëndimor në dhjetor të vitit 2022, të nxitur në mënyrë plotësuese nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Lufta e theksoi rëndësinë BE-ja ta sjellë Ballkanin në orbitën e tij, të stabilizohet rajoni dhe të kundërshtojë ndikimin e Rusisë dhe Kinës.  

Edhe diplomacia spanjolle ka vendosur afrimin me Ballkanin Perëndimor si një nga përparësitë e saj, siç theksoi ministri i Jashtëm i vendit, Hoze Manuel Albares, gjatë një turneu në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut muajin e kaluar. Presidentja sllovene Natasha Pirc Musar tha gjithashtu se ajo beson në më shumë Evropë dhe e promovon në Ballkanin Perëndimor, meqë beson se kjo do të sjellë stabilitet më të madh në rajon.  

Ndërkohë, festimet e 9 majit treguan se dy entitetet e Bosnjës e Hercegovinës kanë një pikëpamje shumë më të ndryshme për të ardhmen e vendit në raport me politikën dhe anëtarësimin e ardhshëm në BE: derisa Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës festoi Ditën e Evropës me ngjarje të shumta kulturore, Republika Srpska festoi ditën si Dita e fitores mbi fashizmin - si Rusia.  

Marko Troshanovski i Institutit për Demokraci Societas Civilis dhe Andreja Stojkovski i Institutit "Prespa" kanë pikëpamje më kritike për procesin aktual të zgjerimit. “Përkundër urgjencës së momentit me luftën në Ukrainë, gjë gjoja një vit më parë pritej të përshpejtonte procesin, nuk ka ndryshime të substanciale në fushën e zgjerimit. BE-ja nuk ka vizion të vetëm për zgjerimin, e nuk ka interes midis vendeve anëtare në proces dhe as në definimin për një lloj  afatesh për zgjerimin e ri", vlerësojnë ata në analizën për Agjencinë Informative Mediatike (MIA) me rastin e Ditës së fitores mbi fashizmin - 9 maj.  

Foto: TASR/Frantiek Iván  

 

QËNDRONI TË LIDHUR