• e shtunë, 23 nëntor 2024

Dita botërore e aktivitetit fizik

Dita botërore e aktivitetit fizik

Shkup, 10 maj 2024 (MIA) - Promovimi i aktivitetit fizik dhe roli i tij në mirëmbajtjen e gjendjes së mirë shëndetësore, është qëllimi i Ditës botërore të aktivitetit fizik që shënohet sot. Thirrje për aktivitet të rregullt fizik me atë rast bëri Instituti i shëndetit publik (ISHP) duke i cekur prëfitimet.

"Aktiviteti fizik përkufizohet si “çdo lëvizje trupore e prodhuar nga sistemi muskulo-skeletor, gjatë së cilës harxhohet energji” dhe që është e rëndësishme për përmirësimin dhe ruajtjen e gjendjes së përgjithshme shëndetësore të çdo individi. Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për shumë forma të menaxhimit të dhimbjes. Shumica e udhëzimeve për dhimbjen akute muskulo-skeletore fokusohen në këshillat për rritjen e aktivitetit fizik. Trajtimet më efektive për dhimbjet e vazhdueshme muskulo-skeletore lidhen me aktivitetin fizik. Përgjegjës për mënyrën sesi aktiviteti fizik mund ta zvogëlojë dhimbjen ose ta parandalojë përsëritjen e dhimbjes mund të jenë disa mekanizma biologjikë. Për shembull, aktiviteti fizik rutinor mund ta përmirësojë përbërjen e trupit përmes reduktimit të yndyrës së barkut dhe kontrollit më të madh ndaj peshës", sqarojnë nga ISHP.

Siç theksojnë nga Instituti, mënyra aktive e jetesës rrit forcën, fleksibilitetin dhe aftësinë aerobike, merr pjesë në reduktimin e inflamacionit sistemik (p.sh. reduktimi i ndërmjetësuesve inflamatorë qarkullues si proteina C-reaktive).

"Mund të përmirësojë mirëqenien psikologjike (duke reduktuar stresin, ankthin dhe depresionin) dhe cilësinë e gjumit. Mund të përmirësojë gjithashtu vetë-efikasitetin duke menaxhuar dhimbjen dhe duke rritur lëvizshmërinë", shtojnë nga ISHP.

Por, ekzistojnë edhe mite rreth aktivitetit fizik dhe dhimbjes.

"Njerëzit besojnë se lëvizja është e rrezikshme kur dikush ka dhimbje dhe se duhet të presin që dhimbja të zvogëlohet përpara se të vihen në lëvizje. Këto mite duhet të shuhen dhe njerëzit duhet të inkurajohen që t'i kthehen aktivitetit fizik sa më shpejt të jetë e mundur. Kur bëhet fjalë për zvogëlimin e dhimbjes, asnjë lloj aktiviteti fizik nuk është superior ndaj një tjetri. Për shembull, ecja, çiklizmi, joga etj. kanë efekte të ngjashme ndaj niveleve të dhimbjes dhe paaftësisë. Faktori kryesor është rregullshmëria - prandaj është shumë e rëndësishme që secili individ të zgjedhë një aktivitet që i pëlqen. Çdo aktivitet fizik është i dobishëm, por nuk është i pranuar gjerësisht në trajtimin klinik të dhimbjes", theksojnë nga ISHP.

Nga atje shtojnë se fushata "On The Move", (në lëvizje) e Federatës evropiane të dhimbjes ka një përdorim të gjerë dhe është përkthyer në më shumë se 10 gjuhë për t’i informuar njerëzit për rëndësinë e aktivitetit të rregullt fizik!

Dita botërore e aktivitetit fizik për herë të parë është shënuar në vitin 2002 nga Organizata botërore e shëndetësisë (OBSH), me qëllim që të ngritet vetëdija për prëfitimet e aktivitetit fizik për shëndetin në përgjithësi dhe njerëzit të inkurajohen të aplikojnë mënyrë më aktive të jetës. ab/

Foto: Instituti i shëndetit publik

QËNDRONI TË LIDHUR