• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Diplomatët e huaj e përshëndetën vendimin e qeverisë kosovare për ndarjen e tokës Manastirit të Deçanit

Diplomatët e huaj e përshëndetën vendimin e qeverisë kosovare për ndarjen e tokës Manastirit të Deçanit

Prishtinë, 13 mars 2024 (MIA) - Shumë diplomatë perëndimorë të akredituar në Kosovë e përshëndetën vendimin e sotëm të Qeverisë së Albin Kurtit që t'i njihet Manastirit në Deçan e drejta e pronës e 24 hektarë tokë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomash Suniog përmes një shkrimi në platformën "X" porositi se kjo është "ditë e mirë e sundimit të drejtësisë në Kosovë".

"Pas një pritjeje të gjatë, më në fund është bërë realitet zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga viti 2016 për rastin e trojeve të Manastirit të Deçanit. BE-ja bazohet në sundimin e ligjit. Ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Vendimi i sotëm është një hap i mirëseardhur, që tregon përkushtimin e Kosovës", ka shkruar Shunjog.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Xhefri Hovenier, në reagimin e tij gjithashtu në "X" tha se e vlerëson vendimin e Qeverisë së Kurtit, për të cilin shtoi se e tregon përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e sundimit të drejtësisë dhe pavarësisë së gjyqësorit. 

Ambasadori amerikan i falënderoi liderët e Kosovës për përpjekjet e tyre që ta avancojnë këtë çështje, përderisa në shkrimin e tij e "etiketoi" edhe ndihmës sekretarin shtetëror, Xhim O'Brajan.

"E vlerësoj vendimin për regjistrimin (në kadastër) të tokës së Manastirit të Deçanit - që tregon përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e sundimit të ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Siç tha sot në mëngjes zëvendës ndihmës sekretari shtetëror Gabriel Eskobar, vendimi i sotëm për Manastirin e Deçanit është një hap i domosdoshëm dhe falënderojmë liderët e Kosovës për përpjekjet e tyre për ta çuar këtë përpara", ka shkruar Hovenier.

Ambasadori gjerman, Jorn Rode, vendimin për Manastirin e Deçanit e quajti moment historik, duke theksuar se ky është hap i rëndësishëm në përkushtimin e Kosovës për sundimin e drejtësisë. 

"Më në fund u bë. Edhe pse zbatimi për vendimin e Gjykatës Kushtetuese ishte shumë i vonuar, ai shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin e Kosovës për sundimin e ligjit. Urojmë Qeverinë e Kosovës, të gjithë faktorët politikë të përfshirë dhe Manastirin e Deçanit për në këtë moment historik", ka shkruar ambasadori gjerman në platformën“X”.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Xhonatan Hargrivs deklaroi se ky vendim i Prishtinës zyrtare demonstron guxim politik dhe angazhim për sundimin e ligjit.

"Përshëndes vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, i cili demonstron guxim politik dhe angazhimin e saj për sundimin e ligjit",shkroi Hargrivs.

Shefi i Misionit të BE-së për sundimin e drejtësisë në Kosovë, EULEKS, Pjetro Barbano, gjithashtu, e përshëndeti vendimin e Qeverisë për tokën e Manastirit të Deçanit.

"E përshëndes shumë zbatimin e vonuar të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin me Manastirin e Deçanit. Siguria ligjore është baza e shtetit juridik!", shkroi Barbano në platformën X.

Më parë këtë e bëri edhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, i cili sot në mëngjes erdhi për vizitë zyrtare në Kosovë.

Në konferencën për media pas takimit të sotëm me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Eskobari deklaroi se vendimi i Qeverisë së Kurtit ishte "i vështirë, por i domosdoshëm".

"Dëshiroj të përmend se sa i rëndësishëm është vendimi i sotshëm për Manastirin. Ishte hap i vështirë, por i domosdoshëm dhe i falënderoj institucionet e Kosovës për këtë hap", tha Eskobar.

Qeveria e Kosovës ka urdhëruar sot Agjencinë Kadastrale që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për njohjen e së drejtës së pronësisë për 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit.

Kryeministri Kurti e ka kumtuar lajmin në mbledhjen e Qeverisë, dhe ka thënë se është detyruar ta ndërmarrë këtë hap për një qëllim tjetër më madhor siç është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ai tha se Qeveria e Kosovës gjendet para dy opsioneve: ta përmbushë këtë kusht dhe Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës ose të mbetet pa anëtarësim. Sipas tij, vendimi është marrë "duke u nisur nga arsyeja e shëndoshë".

Kurti theksoi se edhe më tutje e vlerëson vendimin si të dëmshëm, por shtoi se pranimi në Këshillin e Evropës do të jetë fitore historike. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR