Dimovska: Parlamenti transparent dhe llogaridhënie më e madhe me planin e ri kombëtar të veprimit për PQH
- Sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, mori pjesë në konferencën që sot nisi procesin e bashkëhartimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur 2026 – 2028 - NAP7 në Klubin e Deputetëve, duke theksuar rolin e Kuvendit si partner aktiv dhe i besueshëm në këtë proces, theksohet në komunikatën e Kuvendit të cilën MIA e publikon në formë inregrale.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 16:13, 2 prill, 2026
Shkup, 2 prill 2026
Sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, mori pjesë në konferencën që sot nisi procesin e bashkëhartimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur 2026 – 2028 - NAP7 në Klubin e Deputetëve, duke theksuar rolin e Kuvendit si partner aktiv dhe i besueshëm në këtë proces, theksohet në komunikatën e Kuvendit të cilën MIA e publikon në formë inregrale.
Për Dimovskën, ky proces është mundësi vendimtare për të avancuar kulturën e qeverisjes së hapur, transparente dhe të përgjegjshme, mundësi për të ndërtuar institucione që jo vetëm u shërbejnë qytetarëve, por edhe i përfshijnë ata në mënyrë aktive në hartimin e politikave.
“Kuvendi, si institucion qendror i demokracisë, ka përgjegjësi të veçantë në këtë proces. Roli ynë nuk është vetëm të miratojmë ligje, por edhe të sigurojmë mbikëqyrje efektive, transparencë në punë dhe pjesëmarrje të vërtetë publike. Detyra jonë është të ofrojmë informacione që rrjedhin nga puna e Kuvendit në mënyrë proaktive, transparente dhe të arritshme në mënyrë digjitale për qytetarët”, theksoi Dimovska.
Ajo theksoi se parlamenti transparent është një nga qëllimet kryesore në Planin Strategjik të Kuvendit për periudhën 2026-2030, së bashku me digjitalizimin, efikasitetin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Në fjalimin e saj, Dimovska theksoi se angazhimi i Kuvendit ndaj Partneritetit për Qeverisje të Hapur është i lartë, me institucionin që merr pjesë aktive që nga viti 2017 përmes disa planeve të veprimit dhe iniciativave.
Duke iu referuar Planit aktual të Veprimit 2024 – 2026, ajo theksoi se po zbatohen angazhimet konkrete që e avancojnë drejtpërdrejt transparencën dhe llogaridhënien, duke përfshirë vendosjen e regjistrit të organeve rregullatore, përmirësimin e informimit përmes kanalit televiziv parlamentar, mbajtjen e diskutimeve mbikëqyrëse dhe iniciativën "Karvani Parlamentar", e cila mundëson komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Në konferencë morën pjesë përfaqësuesit e institucioneve, sektorit civil dhe organizatave ndërkombëtare, të cilët diskutuan rëndësinë dhe përfitimet e Partneritetit për Qeverisje të Hapur, si dhe fushat prioritare për planin e ri të veprimit.
Pjesa e punës e evenimentit përfshinte sesione tematike për të identifikuar prioritetet, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe llogaridhënien, hapësirën qytetare dhe pjesëmarrjen, qeverisjen digjitale, politikat klimatike dhe mjedisin jetësor, si dhe parlamentin transparent dhe gjyqësorin transparent.
U theksua se procesi i bashkëhartimit do të vazhdojë në periudhën e ardhshme përmes konsultimeve, punëtorive tematike dhe debateve publike, me qëllim sigurimin e qasjes gjithëpërfshirëse dhe transparente në përgatitjen e Planit të ri Kombëtar të Veprimit 2026-2028.
Kuvendi mbetet i përfshirë në mënyrë aktive në proces, me angazhim të qartë për forcimin e mëtejshëm të transparencës, llogaridhënies dhe besimit të qytetarëve.
Kuvendi
Foto: Kuvendi