• e diel, 07 dhjetor 2025

Dimitrievski ftoi kundërshtarët në duel televiziv, ai beson se fushata mediatike nuk është e njëjtë për të gjithë

Dimitrievski ftoi kundërshtarët në duel televiziv, ai beson se fushata mediatike nuk është e njëjtë për të gjithë

Shkup, 16 prill 2024 (MIA) - Kandidati për president i Lëvizjes ZMAM - Për Maqedoninë tonë, Maksim Dimitrievski sot publikisht i bëri thirrje në debat televiziv kundërkandidatët Stevo Pendarovskin dhe Gordana Siljanovska-Davkova për, siç tha, t'i paraqesin para qytetarëve planet e tyre dhe programet.

Sipas Dimitrievskit, në duelin televiziv duhet të sfidohen të gjithë kandidatët, veçanërisht "ata nga blloku maqedonas dhe shqiptarë që janë më të favorizuarit në media".

Dimitrievski, i cili kishte takim me qytetarët në Tregun e gjelbër, vlerësoi se kandidatët presidencial nga partitë e vogla dhe subjekteve tjera janë pothuajse të padukshëm për publikun, ndërsa fushata nuk është e njëjtë për të gjithë.

"Dua të bëj apel deri te të gjithë kundërshtarët e mi, në radhë të parë dy më të favorizuarve nga maqedonasit dhe dy më të favorizuarve nga blloku politik shqiptar, që të mos ikin nga debati, t'i japin mundësi qytetarëve për t'i dëgjuar planet dhe vizionet e të gjithë neve, të tregojmë çka planifikojmë të punojmë nga pozita e shefit të shtetit nëse zgjiodhemi. Kërkoj nga kundërshtari im Stevo Pendarovski të dalë në duel televiziv me mua dhe t'i paraqesë faktet e tij dhe argumentet. Gjithashtu kërkoj edhe nga Gordana Siljanovska-Davkova t'i përballë argumentet me mua dhe kundërshtarët e tjerë. Në të kundërtën, do ta konsideroj se po ikin nga debati publik pasi nuk kanë çfarë t'u ofrojnë qytetarëve. Në këtë vend, përveç anëtarësimit në parti, qytetarët e tjerë jetojnë dhe kanë të drejtë të dëgjojnë se çfarë planifikon të arrijë presidenti i ardhshëm nga posti që do të marrë", theksoi Dimitrievski. 

Qytetarët, shtoi ai, nuk e meritojnë “një fushatë kaq jotransparente, selektive dhe të qëllimshme siç është aktualisht”.

"Është e palejueshme që kandidatët për president të cilët janë më të favorizuarit në të gjitha mjetet e informimit publik të shmangin debatin publik. Kam ndjesinë se kjo fushatë e përkushtuar po zhvillohet vetëm për dy kandidatë të cilët janë të favorizuar në çdo bazë dhe është mirë për demokracinë dhe për Maqedoninë në tërësi, që qytetarët të kenë mundësinë të na shohin dhe të na dëgjojnë të gjithëve në të njejtat kushte, sepse e gjithë fushata nuk është e barabartë për të gjithë. Ne si përfaqësues të qytetarëve me iniciativë civile apo përfaqësues të subjekteve të vogla politike jemi të pavërejshëm në fushën e informimit, ndërsa kandidatët e tjerë janë të pranishëm çdo ditë në të gjitha mediat në hapësirën mediatike siç e kërkon ligji. Nuk jemi të barabartë", theksoi Dimitrievski. qa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR