• e shtunë, 23 nëntor 2024

Dimitrieska-Koçoska: Ribalanci po përgatitet, do të ketë para për rroga, pensione dhe tërë atë që është ndërmarrë me ligj

Dimitrieska-Koçoska: Ribalanci po përgatitet, do të ketë para për rroga, pensione dhe tërë atë që është ndërmarrë me ligj

Shkup, 27 qershor 2024 (MIA) - Në Ministrinë e Financave po përgatitet ribalanci i Buxhetit për vititn 2024. Do të sigurohen para për rroga dhe pensione, për tërë atë që është ndërmarrë si obligim në pajtim me ligjin, ndërsa do të shkurtohen shpenzimet joprioritare dhe joproduktive. Sfida është e madhe, deficiti i planifikuar është shpenzuar rreth 90%, por do të përballemi me gjendjen.

Këtë e theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska-Koçoska në paraqitjen e saj të parë pas marrjes së funksionit në podkastin "Ku janë paratë", ku flet edhe për planet, për qasjen serioze në punë, luftën kundër ekonomisë gri, rritjes së pensioneve, si de për kredinë më të re prej një miliardë euro, kumtoi Ministria e Financave.

"Gjendja është shumë e keqe. Definitivisht sfida është e madhe. Nuk them se nuk do të përballemi. Udhëzimet që i dhashë janë se prioritet duhet të kenë rrogat dhe pensionet. Në të njejtën kohë t'i jepet prioritet tërë asaj që është ndërmarrë me ligj dhe se kjo duhet të paguhet, e më pas të vazhdojmë me atë sa para do të mbeten për t'u shpërndarë zërave të tjerë", tha minsitrja Dimitrieska-Koçoska e cila shtoi se ka pozicione, siç është shembulli me KSHZ-në të mungojnë shuma të mëdha dhe të mos mund të paguhet ajo që është ndërmarrë në pajtim me ligjin, e njejta, siç thotë, është edhe në pjesën e pagesës së pensioneve ku janë planifikuar më pak mjete për 2,5 miliardë denarë.

Ajo theksoi se kemi gjendje faktike të deficitit të realizuar buxhetor prej 90% por se do të ketë hapësirë të realizohen shpenzime sepse ajo gjendje do të ndryshojë, si do të arrijnë derdhjet në buxhet dhe se për atë është me rëndësi sa më parë të bëhen ndryshime në pozitat kryesore në DAP dhe Drejtorinë e doganave. Gjithashtu, e rëndësishme është lufta me ekonominë gri, për çka, siç tha ministrja, do të ketë qasje serioze.

Me ribalancin, thekson ajo, do të sigurohen mjete për pagesën e planifikuar të rritjes së pensioneve nga 2.500 denarë me pensionin e shtatorit, që pensionistët do ta marrin në tetor.

"Në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor mungojnë 2,5 miliardë denarë për pagesën e pensioneve. Edhe asgjë të mos ndryshojë, LSDM dhe BDI kanë parashikuar 2,5 miliardë denarë më pak për pensionet. Që do të thotë se duhej të plotësohen. Janë 40 milionë euro. Plotësisht 40 milionë euro nevojiten për ta realizuar rritjen prej 2.500 denarë. Nuk kam dyshim se do t'i gjejmë ato mjete, tha ministrja e Financave dhe plotësoi se ato mjete nuk do të sigurohen nga huaja e paralajmëruar prej 1 miliardë euro. Ndryshe, siç theksoi ajo, pensionistët deri në qershor të vitit të ardhshëm, e ndoshta edhe më herët do të marrin edhe 2.500 denarë, me çka do të realizohet premtimi për rritje lineare të pensioneve prej 5.000 denarë.

Për huanë e paralajmëruar prej 1 miliardë euro theksoi se do të jetë nga një vend i BE-së dhe se ato do të përdoren për projekte kapitale.

"Atë që mund ta them tani dhe e kemi përsëritur shumë herë është se ai miliard do të vjen nga një vend i BE-së. Mjetet do të destinohen vetëm për projekte dhe nuk do të tërhiqen menjëherë. Ato mjete do të përfaqësojnë një tampon sigurie  në këtë moment që të kemi siguri në lidhje me pritjen e një situate shumë të keqe. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të përdoret. Përkundrazi 250 milionë eurot e para do të mbërrijnë në një afat të mundshëm më të shkurtër, ndërsa do të destinohen për sektorin privat, përkatësisht do t'i plasojë Banka Zhvillimore përmes Bankave Komerciale, pas kushteve jashtëzakonisht të volitshme me interes nën 3%", theksoi ministrja e Financave Dimitrievska-Koçoska. sa/ab/

Foto: МF

 

QËNDRONI TË LIDHUR