• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Dimitrieska-Koçoska: Mjetet nga huaja hungareze tashmë duhet të destinohen në llogarinë e Bankës Popullore, ka filluar procedura për transhenë e dytë

Dimitrieska-Koçoska: Mjetet nga huaja hungareze tashmë duhet të destinohen në llogarinë e Bankës Popullore, ka filluar procedura për transhenë e dytë

Shkup, 17 tetor 2024 (MIA)- Procedura për transferimin e mjeteve të huasë nga Banka e Hungarisë Eksport-Import ka përfunduar dhe sot pritet që të destinohen në llogarinë e Bankës Popullore, ndërsa nesër do të bëhet transferimi i tyre në Buxhet. Kjo u bë e ditur nga ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska.

“Sektori i MF-së më informoi se gjithçka është gati dhe pres që mjetet të transferohen në llogarinë e Bankës Popullore dhe më pas të destinohen në komuna dhe kompani. Projektet komunale që do të financohen me këto mjete tashmë janë përzgjedhur. Vlera e kërkuar nga komunat për realizimin e projekteve të tyre ishte më e madhe, me ç’rast e rëndësishme ishte që ato të jenë në fazë finale dhe të mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik”, theksoi ministrja në TV Alfa.

 Lidhur me pjesën e huasë që është planifikuar për kompanitë private, ministrja njoftoi se ditën e premte do të ketë takim me Asociacionin e Bankave të Maqedonisë ku do të diskutohet shpërndarjen e mjeteve për kompanitë që do të shpërndahen pas përfundimit të procedurës së transferimit të tyre në Bankën Zhvillimore. Ministrja paralajmëroi se tashmë ka filluar procedura për tërheqjen e transhesë së dytë të huasë nga Hungaria, ndërsa këto mjete financiare do të shfrytëzohen për shlyerjen e euroobligacionit që maturon në muajin janar të vitit 2025.

Në këtë intervistë, ajo iu referua edhe Propozimit të Buxhetit për vitin 2025, duke theksuar se fokusi do të jetë mbi konsolidimin fiskal, më saktësisht në rritjen e të ardhurave dhe uljen e shpenzimeve. Siç theksoi ajo, për vitin e ardhshëm, deficiti buxhetor planifikohet që të jetë në nivel prej 4% dhe pastaj të ulet në nivel prej 3.5% dhe në vitin 2027 planifikohet të arrijë nivelin prej 3%.

Ministrja theksoi se ajo që ka qenë përcaktim apo premtim kryesor i Qeverisë është parashikuar në Buxhetin për vitin 2025 dhe kjo paraqet rritjen e pensioneve për 2.500 denarë, mjetet për sektorin e arsimit, si dhe 250 milionë euro për projektet komunale, mjete për projektet infrastrukturore, për korridoret 8 dhe 10d etj.

Ajo iu referua edhe rezultateve të punës së Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe Drejtorisë Doganore duke theksuar se kthimi i TVSH-së për kompanitë bëhet në mënyrë të vazhdueshme, kështu që në muajin shtator kthimi është bërë në vlerë prej 2.250 miliardë denarëve, në muajin gusht në vlerë prej 2.116 miliardë denarëve dhe në muajin korrik në vlerë prej 1.740 miliardë denarëve.

QËNDRONI TË LIDHUR