• e enjte, 28 nëntor 2024

Dimitrieska-Koçoska: Me përkrahjen e OECD-së, Maqedonia do të implementojë standarde për shkëmbimin automatik të të dhënave

Dimitrieska-Koçoska: Me përkrahjen e OECD-së, Maqedonia do të implementojë standarde për shkëmbimin automatik të të dhënave

Shkup, 28 nëntor 2024 (MIA) - Maqedonia në periudhën e ardhshme do të vazhdojë të punojë seriozisht për nënshkrimin e Marrëveshjes multilaterale të organeve kompetente për shkëmbimin automatik të informacioneve, e cila do t'i bashkohet vendeve anëtare të Fondit global të OECD-së në luftën kundër evazionit tatimor në suaza globale, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila është pjesëmarrëse në Forumin global të transparencës dhe shkëmbimit të informacioneve për qëllime tatimore, që mbahet në Paraguaj.

Siç informojnë nga Ministria e Financave, ajo e bëri të ditur faktin se në zbatimin e procesit të implementimit të standardeve të shkëmbimit automatik, kemi përkrahje nga OECD-ja, e cila ofron mundësi të mëdha për vendet që janë të gatshme të ndajnë informacione për ta luftuar evazionin tatimor. Ajo potencoi gjithashtu se më e rëndësishme është zbatimi i ligjeve që miratohen.

“Vendi tashmë po merr përkrahje teknike nga OECD-ja dhe besoj se në periudhën e ardhshme do të ndërtojmë administratë tatimore që do të krijojë të dhëna adekuate, cilësore dhe korrekte, duke pasur parasysh faktin se aktualisht janë tetë sisteme të veçanta nga të cilat merren informacione”, theksoi ministrja, e cila potencoi se do të përshpejtohet digjitalizimi i proceseve, që është prioritet i Qeverisë dhe kjo mbështetet edhe nga formimi i ministrisë së re, respektivisht Ministrisë së Transformimit Digjital.

Ministrja theksoi se një nga çështjet në implementimin e këtij procesi është mbyllur dhe i referohet sektorit bankar, i cili është stabil dhe i fuqishëm dhe se me mbylljen e çështjes së dytë, sa i përket administratës tatimore, mund të pritet që në vitin 2027 të jemi tashmë në listën e vendeve që implementojnë standardet për shkëmbimin automatik të të dhënave.

Nga Ministria e Financave sqarojnë se standardet e Shkëmbimit Automatik të Informacioneve (AEOI) janë mjet kryesor për juridiksionet, përkatësisht për shtetet, në luftën kundër evazionit tatimor dhe në mbrojtjen e integritetit të sistemeve të tyre tatimore. Forumi global ka rol të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve për përkrahjen dhe mundësimin e implementimit të shpejtë dhe efektiv të standardeve nga të gjitha vendet anëtare të Forumit global, të cilat janë mbi 170. fc/

Fotografia: Ministria e Financave

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR