• e martë, 24 dhjetor 2024

Dimitrieska-Koçoska: Janë siguruar 500 milionë euro me kushte të volitshme për shlyerjen e plotë dhe në kohë të euroobligacionit në janar

Dimitrieska-Koçoska: Janë siguruar 500 milionë euro me kushte të volitshme për shlyerjen e plotë dhe në kohë të euroobligacionit në janar

Shkup, 20 dhjetor 2024 (MIA) - Pesëqind milionë euro fonde të favorshme janë siguruar nga Banka hungareze Eksport-Import për shërbimin e rregullt dhe të plotë të detyrimeve, të cilat arrijnë në janar 2025 bazuar në euroobligacionin e lëshuar në vitin 2018. Marrëveshjen për kredi me Bankën hungareze Eksport-Import sot në Budapest e nënshkroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, njoftoi Ministria e Financave.

"Sot në Budapest nënshkruam Marrëveshjen e re për kredi nga Banka hungareze Eksport-Importit, nga e cila siguruam 500 milionë euro, fonde të nevojshme për shlyerjen e borxhit të euroobligacionit tashmë të emetuar në vitin 2018. Me këtë kredi kemi siguruar kushte të favorshme për shlyerjen e detyrimeve që duhet të mbarojnë në muajin janar. Kredia në përputhje me Marrëveshjen është miratuar me afat të shlyerjes 15 vite, me një grejs periudhë prej 3 viteve, përfshirë edhe normën e interesit prej 3,25 për qind, që është shumë më e ulët se interesi nëse vendosim të emetojmë euroobligacion të ri, për të cilin norma e interesit është mbi 6 për qind dhe në këtë mënyrë të bëjmë kursime në Buxhet. Në mënyrë shtesë, kursimet bëhen edhe në bazë të kostove të provizioneve, të cilat për këtë kredi janë rreth 50 mijë euro", krahasuar me kostot e emetimit të euroobligacionit, të cilat arritën mbi një milion euro", tha ministrja e Financave. 

Ajo theksoi se veçanërisht është e rëndësishme që kredia është nën kushtet e njejta, si edhe kredia e parë, për të cilën u nënshkrua Marrëveshja në nëntor, dhe shprehu falenderim deri te Qeveria hungareze për mbështetjen e dhënë. 

"Mjetet do të jenë në dispozicion për vendin në fillim të janarit për të rifinancuar me kohë euroobligacionin. Nga aty, një aspekt i rëndësishëm është se tërheqja e këtyre mjeteve nuk do të ndikojë në nivelin e borxhit publik, respektivisht tërhiqen fondet në vlerë në të cilën është emetuar edhe euroobligacioni", tha ministrja Dimitrieska-Koçoska. 

Marrëveshja, siç thuhet, është nënshkruar në përputhje me Ligjin për borxh të Maqedonisë së Veriut me kredi tek Banka hungareze Eksport-Import, shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar, në bazë të Marrëveshjes së kredisë për financimin buxhetor dhe financimin me qëllim të përgjithshëm, që u miratua nga Kuvendi. Qeveria duke pasur parasysh përvojën pozitive nga bashkëpunimi me Hungarinë lidhur me kushtet e volitshme financiare në dhënien e kredisë së parë për financimin buxhetor dhe financim të qëllimeve të përgjithshme, është qasur ndaj sigurimit të kredisë së dytë në vlerë prej 500 milionë euro. qa/bsh/

Foto: Ministria e Financave

QËNDRONI TË LIDHUR