• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Dimitrieska - Koçoska: Propozim-buxheti është zhvillimor me komponentë sociale, pas numrave qëndron koncept i ri

Dimitrieska - Koçoska: Propozim-buxheti është zhvillimor me komponentë sociale, pas numrave qëndron koncept i ri

Shkup, 14 nëntor 2024 (MIA) - Propozim-buxheti për vitin 2025 bazohet në supozime dhe projeksione fiskale reale makroekonomike dhe siguron funksionim pandërprerë të institucioneve të shtetit dhe servisim të detyrimeve, theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska në paraqitjen e saj para deputetëve në ditën e parë të debatit të komisionit për Propozim – buxhetin për vitin 2025.

Sipas Dimitrieska – Koçoska, Propozim-buxheti është zhvillimor me komponentë sociale, në të cilin karakteristikë shtesë është ajo që trendi i rritjes së shpenzimeve është më i ulët nga trendi i rritjes së të ardhurave, gjegjësisht të ardhurat janë rritur për 13 për qind, ndërsa shpenzimet për 10 për qind në krahasim me vitin 2024, që kontribuon drejt konsolidimit dhe uljes së deficitit të buxhetit për rreth 3,3 miliardë denarë. 

“Ky është buxheti i parë që propozoj si ministre e Financave dhe buxheti i parë i kësaj Qeverie. Pas numrave qëndron një koncept i ri. Numra që tregojnë luftën kundër ekonomisë gri, luftën kundër krimit, numra që do të sjellin shkallë më të larta të rritjes ekonomike dhe qëndrueshmëri në afat të gjatë. Politika fiskale për vitin 2025 është funksion i konsolidimit të mëtejshëm, ristrukturimit dhe optimizimit të të ardhurave dhe shpenzimeve publike duke ulur nivelin e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, si dhe duke nxitur aktivitetin ekonomik nëpërmjet shpenzimeve të realizuara në infrastrukturë. Rezultatet e pritura janë arritja e normave më të larta të rritjes ekonomike, pagave më të larta, standardit më të mirë për pensionistët, kushte më të mira jetese përmes zbatimit të projekteve komunale dhe projekteve infrastrukturore dhe e gjithë kjo do të inkurajohet nga zbatimi i reformave me mbështetjen e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, tha Dimitrieska-Koçoska.

Në krijimin e Buxhetit, siç theksoi, është nisur nga dispozita për uljen e deficitit buxhetor dhe grumbullim efikas të të ardhurave, përmes luftës me ekonominë gri edhe efikasitet në shfrytëzimin e të gjitha mjeteve. Në atë drejtim janë nxitur institucionet të cilat kanë mjete vetanake që të efektuojnë dhe t’i shfrytëzojnë. Vlera e mjeteve deri më 12 nëntor në shfrytëzuesit e buxhetit është mbi 14 miliardë denarë. 

Inflacioni pritet të ulet në nivel prej 2,2 për qind, si rezultat i stabilizimit të çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe të lëndëve djegëse në tregun ndërkombëtar, ngadalësimi i inflacionit të huaj efektiv, si dhe presioni më mesatar nga inflacioni bazik. 

Eksporti pritet të ketë rritje prej 4,2 për qind, ndërsa importi prej 4,4 për qind si rezultat i pritjeve për stabilizim gradual të rrethinës ndërkombëtare dhe rritjen e kërkesës së jashtme. 

Pritjet janë që tendencat pozitive makroekonomike të vazhdojnë edhe në vitin 2025 dhe rritja ekonomike të përshpejtohet në 3,7 për qind si rezultat i rritjes më të ndjeshme të investimeve, rritjes solide të konsumit dhe rimëkëmbjes së kërkesës së jashtme. Kontributin më të madh në rritje në vitin 2025 pritet ta kenë investimet bruto me rritje prej 8,1 për qind përmes intensifikimit të realizimit të projekteve të mëdha infrastrukturore të financuara nga shteti, si dhe projekteve në energjetikë, bujqësi, arsim dhe shëndetësi. Gjithashtu, rritja do të mbështetet përmes mbështetjes së komunave për realizimin e investimeve kapitale. Një kontribut i rëndësishëm pritet edhe nga aktiviteti investues i kompanive vendase, si rezultat i burimeve financiare të siguruara nëpërmjet kredisë nga Hungaria.

“Ky skenar bazë makroekonomik është ende i shoqëruar me rreziqe, të cilat vlerësohen në rënie në raport me rritjen e parashikuar ekonomike. Rreziqet në lidhje me mjedisin e jashtëm vazhdojnë të jenë të lidhura me tensionet gjeopolitike. Lufta në Ukrainë ka ndikim negativ në ekonominë evropiane, veçanërisht në Gjermani, e cila është tregu ynë më i rëndësishëm eksportues, dhe së bashku me konfliktin në Lindjen e Mesme ndikon në perceptimin global të paqes”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Të ardhurat e përgjithshme në Propozim-buxhet janë planifikuar në nivel prej 358,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 400,2 miliardë denarë. Deficiti i buxhetit është projektuar në vlerë absolute prej 41.350 milionë denarë ose në nivel prej 4 për qind të PBB-së së planifikuar. 

Të ardhurat e përgjithshme tatimore janë projektuar në nivelin prej 202,2 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 12,8 për qind në raport me të ardhurat e planifikuara tatimore për vitin 2024, me pjesëmarrje prej 19,8 për qind në PBB-në e planifikuar për vitin 2025. Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale pritet të rriten me 13,1 për qind, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin me 10,3 për qind dhe të ardhurat nga TVSH-ja pritet të rriten me 42,9 për qind në të ardhurat e përgjithshme të tatimeve, ndërsa të ardhurat nga akciza pritet të shënojnë rritje prej 18,6 për qind.

Sa i përket shpenzimeve, pjesa e pagave është parashikuar në nivel prej rreth 48,1 miliardë denarë dhe në krahasim me vitin 2024 është në nivel më të lartë për rreth 8 për qind. Këtu pagat janë harmonizuar në përputhje me marrëveshjet kolektive në disa aktivitete, ndërsa punësimet e reja do të realizohen kryesisht përmes mobilitetit dhe marrjes së punëtorëve nga institucionet e tjera të sektorit publik. Në fushën e pagave, masat dhe rekomandimet e miratuara të qeverisë për racionalizimin dhe optimizimin e punonjësve të sektorit publik janë zbatuar në bazë të një analize funksionale, me qëllim rritjen e motivimit për kryerjen profesionale dhe cilësore të detyrave të punës.

Për pagesë të pensioneve janë planifikuar 105,5 miliardë denarë ku janë përfshirë edhe 2.500 denarët e premtuara që pensionistët duhet t’i marrin me pensionin e marsit. 

Ministrja e Financave shpreson se në 10 ditët e ardhshme në Kuvend do të ketë debat konstruktiv për këtë dokument shumë të rëndësishëm ekonomik. 

Opozita, sipas të cilës Propozim-buxheti është jozhvillimor, paralajmëroi parashtrim të rreth 200 amendamente. 

Debati në komision, sipas Rregullores së re, mund të zgjasë deri më 30 nëntor pas çka Propozim-buxheti duhet të miratohet në mbledhje plenare. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në intervistë për MIA-n njoftoi se në gjysmën e dytë të dhjetorit pritet Propozim-buxheti të gjendet në mbledhje plenare. fc/

Fotografia: Printskrin 

 

QËNDRONI TË LIDHUR