• e martë, 24 dhjetor 2024

Dimitrieska Koçoska paralajmëron një vit me investime dhe qëndrueshmëri dhe konsolidim fiskal

Dimitrieska Koçoska paralajmëron një vit me investime dhe qëndrueshmëri dhe konsolidim fiskal

Shkup, 10 dhjetor 2025 (MIA) - Buxheti për vitin 2025 është dokument me të cilin Qeveria njofton ndryshime në politikat që kanë për qëllim realizimin e planit për konsolidim fiskal, sigurimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe mbështetjen e rritjes ekonomike. Ai bazohet në supozime realiste makroekonomike dhe projeksione fiskale, siguron funksionim normal të institucioneve dhe shtetit, shërbim të rregullt të detyrimeve dhe ajo që është më e rëndësishmja për Qeverinë e re është komponenti i saj zhvillimor duke nxitur realizimin e një cikli të konsiderueshëm investimesh, theksoi Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska në ekspozenë e saj para deputetëve për Propozim-buxhetin për vitin 2025. 

Viti që vjen, siç theksoi ministrja, do të jetë një vit me investime që do të japin vlerë të shtuar dhe që do të “zhbllokojnë timonin” dhe do të na çojnë një hap më lart në arritjen e ritmeve më të larta të rritjes ekonomike. Dimitrieska Koçoska paralajmëroi investime në vlerë prej mbi 47 miliardë denarësh vetëm në sektorin publik, të cilat pritet të kenë një ndikim të rëndësishëm pozitiv në aktivitetin ekonomik.

Plani i ri i Qeverisë, siç tha ajo, bazohet në realizimin real të këtij cikli të fuqishëm investimesh në sektorin publik, i plotësuar me investime në sektorin privat dhe në komuna.

Viti që vjen, krahas investimeve, tha ministrja, do të shënojë edhe fillimin e konsolidimit fiskal të mbështetur nga një sërë masash serioze në realizimin e këtij qëllimi.

“Ne do të punojmë në drejtim të të hyrave, apo të ardhurave, për arkëtim më efikas të tyre, që nuk nënkupton ngarkesa të reja tatimore, shtrirje më të madhe në ekonominë gri, gjegjësisht në at joformale, luftën kundër korrupsionit dhe krimit, veçanërisht atij financiar”, tha Dimitrieska Koçoska.

Buxheti për vitin 2025 është zhvilluar, me një komponent social dhe bazohet në konsumin e qëndrueshëm dhe të disiplinuar buxhetor, uljen e shpenzimeve jo thelbësore dhe përmirësim të ndjeshëm të efikasitetit dhe përshtatshmërisë në shpenzimin e fondeve buxhetore, mbështetje, gjegjësisht subvencionim të qytetarëve dhe ekonomisë, nëpërmjet kritereve të percaktuara qartë për mbështetjen buxhetore, buxhetimin në baze të performancës dhe rezultateve, buxhetimit bazuar ne parimin e realitetit, ridizenjimit te struktures të buxhetit dhe investimet më të larta kapitale që synojnë realizimin e projekteve infrastrukturore, planifikimin strategjik të projekteve të mëdha infrastrukturore. 

“Karakteristikë e këtij buxheti është trendi i rritjes së shpenzimeve, i cili është më i ulët se trendi i rritjes së të hyrave, pra me këtë buxhet të hyrat janë rritur për 13%, ndërsa shpenzimet me 10% krahasuar me vitin 2024, që nga ana tjetër kontribuon në konsolidimin dhe zvogëlimin e deficitit buxhetor për rreth 3,3 miliardë denarë”, tha Dimitrieska Koçoska. 

Sipas parashikimeve, të hyrat e përgjithshme të Buxhetit për vitin 2025 janë planifikuar në nivelin prej 358,8 miliardë denarësh, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në nivelin prej 400,2 miliardë denarë. Të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara, sqaroi ajo, rezultojnë me deficit buxhetor të parashikuar në vlerë absolute prej 41.350 milionë denarë ose në nivel prej 4% nga PBB-ja e planifikuar. “Me këtë nivel të konsumit buxhetor mundësohet funksionimi normal dhe pa probleme i institucioneve, përmbushja e detyrimeve ndaj kreditorëve ndërkombëtarë, si dhe përmirësimi i standardit të jetesës së qytetarëve dhe komunitetit të biznesit”, tha ministrја е Financave.

Qeveria do të vazhdojë të realizojë vendosmërinë për arritjen graduale të respektimit të rregullave fiskale në kuadër të Strategjisë Fiskale 2025-2029 nëpërmjet zbatimit të masave në drejtim të së ardhurave dhe shpenzimeve.

- Të hyrat, apo të ardhurat e përgjithshme tatimore në Buxhet janë parashikuar në vlerë prej 202,1 miliardë denarë, që është rreth 12,8% më shumë se shuma e të hyrave të planifikuara për vitin 2024. Ato kanë një pjesëmarrje prej 19.8% në PBB për vitin 2025, që është një rritje e lehtë e pjesëmarrjes në krahasim me vitin e kaluar. Si të hyra burimore të Buxhetit, të hyrat tatimore zënë 56,3% në strukturën e të hyrave të përgjithshme të Buxhetit për vitin 2025”, tha Dimitrieska Koçoska.

Në Buxhetin e vitit 2025 parashikohet një nivel më i lartë i realizimit të të ardhurave bazuar në të gjitha llojet e taksave krahasuar me vitin 2024. 

“Politika tatimore do të bazohet në uljen e ekonomisë gri dhe mbledhjen më të madhe të fondeve në buxhetin e shtetit. Domethënë, qëllimi është zvogëlimi i ekonomisë gri përmes rritjes së digjitalizimit dhe krijimi i një sistemi tatimor efikas, me qëllim që të gjithë të paguajnë detyrimet e tyre tatimore në mënyrë të drejtë dhe korrekte. Kjo do të mundësojë mbajtjen e normave të ulëta tatimore për taksat e tjera dhe në të njëjtën kohë do të ketë një sasi më të madhe të fondeve për investime kapitale”, citoi ministrja e Financave. 

 

Shpenzimet totale (shpenzimet vijuese dhe kapitale) janë planifikuar në nivelin prej 400,2 miliardë denarësh ose më të larta për 10,3%, pra rreth 37,4 miliardë denarë më shumë se në vitin 2024.

“Shpenzimet vijuese për vitin 2025 janë planifikuar në vlerë prej 353 miliardë denarësh ose 11% më shumë në krahasim me vitin 2024, të cilat sigurojnë pagesë të rregullt të pagave për të punësuarit në sektorin publik, pagesë me kohë dhe të rregullt të pensioneve, të ardhura minimale të garantuara dhe të drejta të tjera sociale, pagesa të subvencioneve në bujqësi, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mbështetje dhe subvencionim të aktiviteteve inovative, si dhe ndarje të fondeve për mbështetjen e synuar të kategorive vulnerabël të qytetarëve dhe ekonomisë”, tha ministrja. 

Karakteristika më domethënëse e këtij buxheti, siç theksoi Dimitrieska Koçoska, është komponenti zhvillimor me pjesëmarrje të konsiderueshme të shpenzimeve kapitale me rreth 4,6% të BPP-së në nivel vjetor dhe të planifikuara në vlerë prej rreth 47,2 miliardë denarësh. 

 “Në këtë mënyrë, politika fiskale për vitin e ardhshëm do të synojë krijimin e parakushteve për një cikël të ri të rritjes ekonomike, duke siguruar një nivel të konsiderueshëm të investimeve publike që janë bazë për përmirësimin e perspektivës ekonomike, si dhe një jetë më të mirë për qytetarët. Krahas nivelit të lartë të investimeve kapitale nga fondet buxhetore, fonde të konsiderueshme sigurohen edhe me kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe kreditorët dypalësh”, tha ajo para deputetëve.

Në vitin 2025 është planifikuar të vazhdojë përkrahja financiare dhe bashkëpunimi i Qeverisë me komunat, që do të synohet në investimin e vazhdueshëm të fondeve nga buxheti qendror për projekte kapitale të infrastrukturës në komuna, duke rritur stabilitetin financiar të komunave duke mundësuar një shpërndarje të drejtë e fondeve, në përputhje me parimet e zhvillimit të balancuar rajonal, përfitimet dhe stimujt për komunat që kanë buxhete të planifikuara, nivel të lartë zbatimi, si dhe nivel të lartë të mbledhjes së taksave vendore dhe metodologji të përmirësuar për llogaritja e kostove të mirëmbajtjes së vazhdueshme. Me mjete buxhetore janë planifikuar investime të konsiderueshme në fushën e infrastrukturës rrugore, që kanë të bëjnë me projektimin dhe ndërtimin e një pjese të Korridorit 8, përkatësisht: segmenti Tetovë - Gostivar (zgjerimi i autostradës), ndërtimi i seksionit Gostivar - Bukojçan, si dhe seksioni Prilep – Manastir si pjesë e Korridorit 10d. Paradhëniet po hyjnë në histori dhe po shkojmë drejt realizimit real të investimeve. Ndërtimi i pjesës lindore të Korridorit 8 do të vazhdojë përmes seksionit Rankovce-Kriva Pallankë, financuar me kredi nga Banka Botërore dhe seksioni Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, financuar me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. - BERZH dhe grante nga korniza e Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor - VBIF. Pjesa perëndimore e korridorit rrugor 8 do të financohet edhe përmes ndërtimit të autostradës Kërçovë-Bukojçan, me kredi nga BERZH dhe seksionit Kërçovë-Ohër, me kredi nga EKSIM Bank. 

Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë (kufiri me Kosovën) do të financohet me mjete nga BERZH-i, ndërsa përmirësimi i infrastrukturës rrugore të komunave do të realizohet përmes Projektit për lidhjen e rrugëve lokale, financuar nga Banka Botërore. “Në këtë zonë, në vitin 2025, vijon zbatimi i Programit të Rrugëve Kombëtare, financuar me një kredi nga BERZH-i, si dhe aktivitetet për zbatimin e Projektit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, i cili është pjesë e nismës rajonale të Bankës Botërore. Përmes fondeve IPA do të realizohet projekti për ndërtimin e rrugës Gradsko – Drenovë, si pjesë e drejtimit rrugor të Korridorit 10d”, tha Dimitrieska Koçoska. 

Gjatë vitit 2025 janë parashikuar mjete për vazhdimin e zbatimit të projekteve për ndërtimin dhe rehabilitimin e hekurudhës nga Korridori VIII, fillimin e projektit për ndërtimin e pikës së përbashkët kufitare hekurudhore me Republikën e Serbisë, respektivisht ndërtimi dhe pajisja e stacionit hekurudhor të Tabanovcës.

Në fushën e infrastrukturës komunale dhe menaxhimit të mbetjeve, ndërtimi i ujësjellësit dhe kanalizimeve në komuna do të vazhdojë me dinamikë të intensifikuar, financuar nga linja e re e kredisë nga BEI. Gjithashtu, një projekt i rëndësishëm kapital që do të zbatohet në këtë zonë është projekti Rajonal për mbetjet e ngurta, i cili do të financohet me një kredi nga BERZH dhe që parashikon zhvillimin dhe ngritjen e sistemeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve në këto rajone të përzgjedhura: rajonin Jugperëndimor, rajonin e Pollogut, rajonin e Pellagoniasë, të Vardarit dhe rajonin Juglindor. Me kredi nga BIE dhe BERZH-i, si dhe me grant nga instrumenti i BE-së, Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, në vitin 2025 do të vazhdojë zbatimi i njërit prej projekteve më të mëdha kapitale në vend, konkretisht Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup.

Me një kredi nga Banka Botërore do të vazhdojë zbatimi i Projektit për efiçiencë energjetike në sektorin publik, i cili do të financojë projekte energjetike në komuna, si dhe në institucionet publike shëndetësore të pushtetit qendror.

Fondet e IPA-s do të mbështesin rehabilitimin dhe përmirësimin e sistemit kolektor në Shkup, rehabilitimin dhe përmirësimin e rrjetit të kanalizimit dhe ndërtimin e impianteve të trajtimit në Kërçovë, Manastir dhe Tetovë, si dhe krijimin e një sistemi rajonal për menaxhimin e mbeturinave dhe mbylljen e deponive në rajonin lindor dhe verilindor.

Me mbështetjen financiare të Bankës Botërore dhe BE-së, do të punohet për reformat në financat publike, për përmirësimin e kuadrit fiskal, forcimin e procesit të planifikimit dhe ekzekutimit të buxhetit, përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave, forcimin e sistemit të prokurimit publik, kontrollin e brendshëm dhe të jashtëm dhe raportimin transparent, si dhe nëpërmjet futjes së një sistemi të integruar të menaxhimit të informacionit financiar, një sistemi të integruar të menaxhimit të informacionit tatimor dhe një sistemi të menaxhimit të informacionit të ndihmës shtetërore, i cili do të financohet me një kredi nga Banka Botërore dhe fonde granti nga BE-ja.

Siç shpjegoi ministrја, parashikohen fonde për rregullimin e mëtejshëm të zonave zhvillimore teknologjike industriale, ndërtimin e infrastrukturës dhe objekteve të nevojshme dhe për punime hetimore gjeomekanike.

Për sektorin e shëndetësisë janë planifikuar investime në ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve shëndetësore publike, si dhe blerjen e pajisjeve mjekësore.

Në fushën e investimeve në arsim, mbrojtjen e fëmijëve dhe sportit, parashikohen shpenzime kapitale, të destinuara për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave fillore dhe të mesme, kopshteve, ndërtimin e shkollave dhe sallave sportive, rindërtimin e konvikteve të nxënësve dhe konvikteve të studentëve, pajisimin dhe rikonstruksionin e universiteteve dhe investimet në infrastrukturën sportive.

Në fushën e arsimit me kredi nga Banka KFV do të vazhdojë realizimi i Projektit për rindërtimin e konvikteve të nxënësve dhe realizimi i aktiviteteve që janë pjesë e Projektit për ndërtimin e sallave sportive në shkollat fillore dhe do të vazhdojë rehabilitimi i tyre në shkollat fillore dhe të mesme, financuar me një kredi nga CEB, fonde granti nga korniza e instrumentit të BE-së për investime në Ballkanin Perëndimor dhe bashkëfinancim kombëtar.

Me qëllim të përmirësimit të kushteve për mësim në arsimin fillor në vend, me kredi nga Banka Botërore, tha ajo, do të vazhdojë financimi i realizimit të Projektit për avancimin e arsimit fillor. Me qëllim të përmirësimit të aksesit në të drejtat dhe shërbimet sociale, si dhe zgjerimin e kapaciteteve për kujdesin dhe edukimin parashkollor përmes ndërtimit të objekteve të reja dhe rehabilitimit të infrastrukturës ekzistuese të institucioneve parashkollore, në vitin 2025 do të zbatohet Projekti për administrimin e sigurimeve shoqërore i financuar me një kredi nga Banka Botërore, si dhe Projekti i Dytë për Avancimin e Shërbimeve Sociale.

Në drejtim të mbështetjes së sektorit bujqësor janë planifikuar investime të konsiderueshme kapitale, të cilat synojnë zhvillimin rural, ndërtimin e sistemeve hidro dhe investime për përmirësimin e konkurrencës dhe modernizimin e ekonomive bujqësore.

Përmes IPA-s mbështeten projekte që do të mundësojnë arritjen e standardeve të BE-së të vendosura në fushën e prodhimit bujqësor, përpunimit të ushqimit dhe zhvillimit rural.

Me një kredi nga Banka Botërore dhe fondet e granteve të BE-së, do të vazhdojë Projekti për Modernizimin e Bujqësisë, me ndërtimin e qendrave të blerjes dhe shpërndarjes së produkteve bujqësore në të gjithë vendin, si dhe zhvillimin e një sistemi për asgjësimin e sigurt të nus-produkteve me prejardhje shtazore.

Në vitin 2025 është planifikuar zbatimi i Programit për Ujitjen e Maqedonisë, i cili financohet me kredi nga KfV dhe përfshin rehabilitimin dhe zgjerimin e 4 sistemeve të ujitjes përgjatë luginës së lumit Vardar (Straishte, Lisiçe, Konjsko dhe Pepelishtë), si dhe ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël të HC Lisice.

Dimitrieska Koçoska tha se në fushën e drejtësisë, në vitin 2025, në kuadër të Projektit për rindërtimin e Institucioneve Ndëshkuese-Përmirësuese (INP), financuar me kredi nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, do të fillojë ndërtimi i një departament paraburgimi dhe një njësi ekonomike qendrore në INP Idrizovë, duke e paralajmëruar si një ndër prioritetet.

Në infrastrukturën energjetike, më saktësisht në fushën e gazifikimit, është planifikuar ndërtimi i gazsjellësve kryesorë seksioni Gostivar - Kërçovë dhe seksioni Shën- Nikolle - Veles, si dhe ndërtimi i gazsjellësit ndërlidhës ndërmjet Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë.

Gjithashtu, në këtë zonë do të financohen projektet e realizuara nga SHA EEM dhe SHA MEPSO: Parku i turbinave me erë Bogdanci - faza e dytë, Toplifikimi në Manastir, Interkoneksioni 400 kV Maqedoni (Manastir) - Shqipëri (Elbasan), Termocentrali fotovoltaik Oslomej, Rehabilitimi i gjashtë HEC-e të mëdhenj – faza e tretë, projekti EEM për kalimin në fotovoltaikë diellorë, që përfshin ndërtimin e dy termocentrale diellore fotovoltaike - 10 MW Oslomej 2 dhe 20 MW Manastir.

 Dimitrieska Koçoska u tha deputetëve se do të shkojnë sërish me huamarrje nga Hungaria me 500 milionë euro që do të përdoren për të mbuluar eurobondin e emetuar në vitin 2018, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohet nga investimet vendase.

“Vlera e borxhit shtetëror më 30.09.2024 është 49.3% e PBB-së, ndërsa vlera e borxhit publik është 56.9% e PBB-së. Sipas parashikimeve të fundit të Ministrisë së Financave, borxhi publik në fund të vitit 2024 do të jetë 62.7%. Dhe në fund të vitit 2025, 62,1%, që tregon qartë se po punohet seriozisht në konsolidimin fiscal”, theksoi Dimitrieska Koçoska.

 Debati parlamentar për Propozim-buxhetin për vitin 2025 zgjat pesë ditë.

FOTO: Arkivi I MIA-s

  

 

QËNDRONI TË LIDHUR