• e premte, 27 dhjetor 2024

Dimitieska - Koçoska në Forumin global për transparencë dhe shkëmbim të informacioneve për qëllime tatimore në kuadër të OECD

Dimitieska - Koçoska në Forumin global për transparencë dhe shkëmbim të informacioneve për qëllime tatimore në kuadër të OECD

Shkup, 26 nëntor 2024 (MIA) – Ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçoska po merr pjesë në Takimin plenar të Forumit global për transparencë dhe shkëmbim të informacioneve për qëllime tatimore që po mbahet prej sot e deri më 29 nëntor në Paraguai, i cili i kushtohet zbatimit global të standardeve ndërkombëtare për transparencë tatimore dhe progres të vendeve, si dhe të sfidave me të cilat përballen vendet gjatë zbatimit të standardeve. Ministrja merr pjesë në Forum në shoqëri të sekretares shtetërore në Ministrinë e Financave, Andriana Matlioska. 

Siç informojnë nga Ministria, Dimitrieska – Koçoska në panel diskutim do të flasë për prioritetet, përvojën dhe sfidat në zbatimin e Standardit për shkëmbim automatik të informacioneve i cili është mjet kyç për juridiksionet, gjegjësisht shtetet, në luftën kundër fshehjes së tatimeve dhe mbrojtjes së integritetit të sistemeve të tyre tatimore. 

Në takim, Sekretariati i Forumit Global do ta prezantojë mbështetjen që i është dhënë anëtarëve në procesin e zbatimit të standardeve. Forumin global e përbëjnë mbi 170 juridiksione, të cilët i përfshijnë vendet nga grupi G-20, qendrat financiare, ndërsa shumica e anëtareve janë vende në zhvillim. Të gjitha anëtaret punojnë bashkë, në të njëjtin nivel, në luftën kundër evazionit fiskal ofshor. 

“Detyra më e rëndësishme e Forumit Global është zhvillimi i kapaciteteve për të mbështetur dhe mundësuar zbatimin e shpejtë dhe efektiv të standardeve për transparencë dhe shkëmbim informacioni nga të gjithë anëtarët, veçanërisht vendet në zhvillim. Përkatësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut është në proces të zbatimit të standardeve për shkëmbim automatik të informacionit. Standardi AEOI i referohet shkëmbimit vjetor të informacionit për llogaritë financiare jorezidente në një format të paracaktuar dhe ky informacion i shkëmbyer përfshin detaje të llogarisë financiare (për shembull, institucioni financiar që e mban atë, numrin e llogarisë dhe gjendjen e llogarinë) dhe të dhënat e pronarit të llogarisë (p.sh., emri, adresa, data e lindjes dhe numri i identifikimit të tatimpaguesit)”, thonë nga Ministria e Financave.

Zbatimi i Standardit AEOI kërkon që juridiksionet t’i grumbullojnë informacionet nga institucionet e tyre financiare çdo vit dhe në mënyrë automatike t’i shkëmbejnë me juridiksionet ku poseduesi i llogarisë është rezident tatimor. Për shkëmbim me sukses të informacioneve, theksojnë nga MF, nevojitet edhe infrastrukturë ligjvënëse-juridike dhe administrative. 

Nga Ministria informojnë edhe se në fazë të përgatitjes është Propozim-ligji për bashkëpunim administrativ, me të cilin, mes tjerash, do të shënohen dispozita për shkëmbim automatik të informacioneve për llogari financiare dhe për shkëmbim automatik të informacioneve për raporte për vende. Me Ligjin do të konfirmohet korniza konkrete juridike e cila do të kontribuojë drejt fuqizimit të bashkëpunimit mes administratave tatimore, ndërsa prej aty edhe lufta kundër evazionit ndërkufitar tatimor dhe fshehja e tatimeve, rritja e pagesës së tatimeve, si lufta e përforcuar kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. 

Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare e Forumit global për transparencë dhe shkëmbim të informacioneve për qëllime tatimore në kuadër të OECD nga janari i vitit 2011. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR