• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Di Karlo: OKB-ja nuk mund t'i konfirmojë raportet për rrëzimin e aeroplanit rus pranë Belgorodit

Di Karlo: OKB-ja nuk mund t'i konfirmojë raportet për rrëzimin e aeroplanit rus pranë Belgorodit

Nju-Jork, 26 janar 2024 (MIA) - Kombet e Bashkuara nuk janë në pozicion t'i konfirmojnë raportet për rrëzimin e aeroplanit rus në rajonin Belgorod, afër kufirit me Ukrainën, në të cilin pretendohet se janë transportuar ushtarë të kapur ukrainas, kumtoi nënsekretarja e OKB-së për çështje politike Rozmari DiKarlo.

Në të njëjtën kohë, ajo u bëri thirrje palëve ndërluftuese që të shmangin nxitjen e "konfliktit tashmë të rrezikshëm".

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mbajtur mbrëmë, Di Karlo deklaroi se Rusia dhe Ukraina po kryejnë hetime të veçanta për incidentin, ndërsa Kievi bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar, është publikuar në ueb-faqen e OKB-së.

Sipas saj, OKB-ja nuk është në gjendje të verifikojë raportet apo rrethanat e aksidentit, por, siç tha ajo, “është e qartë se incidenti ka ndodhur në kuadër të pushtimit rus të Ukrainës dhe luftës në vazhdim”.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski e akuzoi Moskën se "luan me jetën e të burgosurve ukrainas" pas rrëzimit vdekjeprurës të aeroplanit në Rusinë perëndimore. Ai kërkon një hetim ndërkombëtar pas aksidentit të ndodhur dje në rajonin Belgorod pranë kufirit ukrainas.

Nga ana tjetër, Rusia kumtoi se nuk ka të mbijetuar pasi, siç pohojnë, forcat ukrainase rrëzuan aeroplanin Il-76 që mbante 65 robër lufte ukrainas, gjashtë anëtarë rusë të ekuipazhit dhe tre roje sigurie. Moska pretendon se ukrainasit ishin në aeroplan për shkëmbimin e të burgosurve.

Në video fjalimin e tij mbrëmë vonë, Zelenski tha se "është e qartë se rusët po luajnë me jetën e të burgosurve ukrainas", me ndjenjat e të afërmve të tyre dhe me emocionet e shoqërisë sonë".

Zelenski, i cili sot anuloi udhëtimin e planifikuar rajonal lidhur me ditëlindjen e tij, theksoi se "të gjitha faktet duhet të përcaktohen".

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës fillimisht tha se aeroplani transportonte raketa për sistemet ruse të mbrojtjes ajrore S-300. Ai nuk përmendi të burgosurit e luftës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, përsëriti sot se ukrainasit e rrëzuan aaeroplanin, duke e cilësuar atë si një "akt monstruoz". Ai thotë se robërit u transportuan në rajonin e Belogradit për të shkëmbyer të burgosurit me Ukrainën. Shkëmbimi u anulua dje. Ai shtoi se "askush nuk mund të thotë" se si ky incident do të ndikojë në programin e shkëmbimit të të burgosurve.

Dy ditë më parë, Rusia kumtoi se një aeroplan transportues ushtarak IL-76 me 65 robër lufte ukrainas u rrëzua në rajonin perëndimor Belgorod, në kufi me Ukrainën. “Në aeroplan ishin 65 ushtarë të kapur të ushtrisë ukrainase që do të transportoheshin për shkëmbim në rajonin Belgorod, gjashtë anëtarë të ekuipazhit dhe tre shoqërues”, tha në atë kohë Ministria ruse e Mbrojtjes, duke fajësuar Ukrainën për sulmin.

Shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës tha se nuk i ishte thënë të siguronte hapësirë ​​të sigurt ajrore, siç kishte bërë në transferimet e mëparshme të të burgosurve të luftës. ls/

Foto: Arkivi i EPA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR