• e shtunë, 23 nëntor 2024

Dhjetë komuna dhe tri qendra për zhvillim të rajoneve planore nënshkruan marrëveshje për financim të dokumentacionit teknik të projekteve

Dhjetë komuna dhe tri qendra për zhvillim të rajoneve planore nënshkruan marrëveshje për financim të dokumentacionit teknik të projekteve

Shkup, 20 nëntor 2023 (MIA) - Dhjetë komuna dhe tri qendra për zhvillim të rajoneve planore sot nënshkruan marrëveshje për financim të dokumentacionit teknik të projekteve të cilat përfshijnë rikonstruim të infrastrukturës rrugore dhe shkolla, përmirësim të kushteve në komunikacion, ndërtim të shtigjeve për këmbësorë dhe biçikleta, vendosje të sistemeve fotovoltaike, etj. Ministri i Vetqeverisjes Lokale, Risto Penov, në fjalimin e tij, theksoi se pas nënshkrimit të marrëveshjeve, sfidë më e madhe është që të fuqizohen kapacitetet për përgatitje të projekteve cilësore të cilat financohen nga buxheti i shtetit. 

Ministri Penov gjithashtu shtoi se sfidë e madhe do të jetë edhe përgatitja e projekteve të cilët do t'i plotësojnë të gjitha standardet për financim nga burime të tjera siç janë Bashkimi Evropian ose Banka Botërore. 

"Qasja në mjete cilësore kushtëzohet nga kapaciteti i komunave dhe qendrave zhvillimore për përgatitjen e dokumentacionit të projektit dhe teknik, bazuar në standardet e përcaktuara. Me 1,5 milionë dollarë, Fondi për Dokumentacion Teknik në këtë fazë siguron ngritjen e kapaciteteve përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë të ekspertëve, por edhe mjete financiare për përgatitjen e dokumentacionit teknik, që është në ndihmë të madhe si për komunat ashtu edhe për qendrat zhvillimore", tha Penov.

Përfaqësuesi i përhershëm i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Armen Grigorjan, theksoi se këto dokumentacione teknike janë bazë për zbatimin e projekteve infrastrukturore të cilat sigurojnë përfitime të dukshme për banorët lokalë, kontribuojnë për rritje të PBB-së dhe e avancojnë barazinë gjinore në nivel lokal. 

"Gjithashtu, Fondi për Dokumentacion Teknik shërben si instrument unik për zbatimin e projekteve lokale me prioritet, të zgjedhura nga qytetarët përmes procesit të planifikimit të integruar dhe forume në bashkësi", theksoi Grigorjan. 

Udhëheqësi i departamentit për bashkëpunim zhvillimor në Sida, Mikael Aterog, nga ana tjetër, sqaroi se ky veprim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe me kohë duhet edhe më shumë t'i rrisë kapacitetet e komunave që të mund t'i identifikojnë nevojat dhe prioritetet e tyre zhvillimore, si dhe të krijohen strategji për tejkalimin e sfidave kryesore për ekonomi lokale dhe zhvillim social.

Përderisa drejtori i Byrosë për Zhvillim Rajonal, Ramiz Rexhepi, theksoi se Byroja do të punojë në përforcimin e kapaciteteve të brendshme organizative përgjatë fazave kyçe dhe zbatimin e projekteve infrastrukturore në nivel lokal, me fokus në komunat më të vogla, rurale dhe më pak të zhvilluara, edhe pse, siç tha, asnjë komunë nuk do të përjashtohet nga procesi. 

Në fazën e parë të projektit "Ndërtimi i kapaciteteve komunale për zbatimin e projekteve" u përgatit dokumentacion teknik për 56 projekte për infastrukturë komunale, transporti dhe afarist në komunat, si dhe projekte për rinovim dhe përmirësim të efikastitetit energjetik në nëntë spitale. Projekti është pjesë e Kornizës programore të UNDP-së, i financuar nga Suedia. 

Siç informojnë nga UNDP, bëhet fjalë për aktivitet në kuadër të Fondit të Dokumentacionit Teknik, i cili është instrument për mbështetje financiare dhe teknike në realizimin e projekteve infrastrukturore në nivel lokal, ndërkomunal dhe rajonal. Fondi është komponente e projektit "Ngritja e kapaciteteve komunale për zbatimin e projektit", i cili zbatohet nga UNDP me mbështetjen financiare të Suedisë dhe Byrosë për Zhvillim Rajonal. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR