• e shtunë, 23 nëntor 2024

Detektor: Maqedonasit "kundër", shqiptarët "pro" propozimit francez dhe kornizës negociuese me BE-në

Detektor: Maqedonasit

Shkup, 14 maj 2023 (MIA) - Shumica e qytetarëve - 55,7 për qind janë kundër kornizës negociuese të cilën Qeveria e ka dakorduar me Bashkimin Evropian dhe konisderojnë se kjo e vendos vendin në pozitë vartëse, tregojnë rezultatet e opinionit publik të anketës që për nevojat e "Detektorit"  është realizuar nga Instituti për hulumtime politike Shkup.

Sipas hulumtimit, vetëm 28,1 për qind e të anketuarve mbështesin kornizën negociuese, ku maqedonasit dhe shqiptarët kanë qëndrime krejtësisht të ndryshme.

"Derisa 70 për qind e maqedonasve janë kundër kornizës negociuese, madje 75 për qind e shqiptarëve e mbështesin atë. Për kornizën negociuese janë vetëm 13,2 për qind e maqedonasve, ndërsa kundër saj janë vetëm 11,5 për qind e shqiptarëve etnikë. Më pak qytetarë kundër kornizës së negociatave ka në rajonin e Pollogut, ndërsa më së shumti në rajonin e Vardarit pa Shkupin dhe në juglindje", tregojnë rezultatet e hulumtimit.

Qytetarët janë të ndarë edhe rreth mundësisë që të negociohet për një kornize të re.

"Prej tyre, 37.1 për qind konsiderojnë se kjo është e mundur, ndërsa 36.4 për qind, konsiderojnë se rinegocimi i kornizës negociuese nuk është opsion. Këtu nuk ka ndonjë dallim të madh ndërmjet qëndrimeve të grupeve etnike dominuese. Tek maqedonasit, 36,3 për qind konsiderojnë se mundet, ndërsa 36,7 për qind se nuk është e mundur përsëri të negociohet për kornizë të re. Në mesin e shqiptarëve etnikë, 40,6 për qind janë të qëndrimit se është e mundur të dakordohet edhe kornizë e re negociuese, ndërsa 34,9 për qind se nuk është e mundur”, tregojnë rezultatet e anketës.

Thuajse dy të tretat e qytetarëve thonë se kanë informacione të mjaftueshme për propozimin francez, ndërsa thuajse gjysma e qytetarëve nuk e kanë të njohur dallimin mes propozimit francez dhe kornizës negociuese.

"Një qëndrim të tillë kanë 49.6 për qind e të anketuarve, ndërsa 31.1 për qind kanë thënë se e dinë dallimin. Nga të anketuarit, 50,9 për qind konsiderojnë se korniza negociuese është në dëm të interesave kombëtare maqedonase dhe pajtohen me pretendimin se kjo kornizë negociuese e vendos vendin në një pozitë të nënshtruar dhe paraqet hyrje drejt bullgarizimit, ndërsa vetëm 21 për qind pajtohen me pohimin se korniza negociuese merr parasysh shumicën e kërkesave maqedonase dhe garanton identitetin maqedonas. Por maqedonasit dhe shqiptarët kanë pikëpamje diametralisht të kundërta. Përderisa 62 për qind e maqedonasve konsiderojnë se korniza negociuese është hyrje drejt bullgarizimit, 54,4 për qind e shqiptarëve janë të qëndrimit se korniza negociuese garanton identitetin maqedonas", theksohet në anketë.

Anketa e Institutit për hulumtime politike në Shkup është realizuar përmes telefonit në periudhën prej 2 deri 6 maj të këtij viti në bazë të ekzemplarëve reprezentativë prej 1112 të anketuarve.

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR