Detektorët e tymit janë bërë të detyrueshëm në shtëpitë në Bruksel
- Nga sot çdo shtëpi, gjegjësisht banesë apo shtëpi në Bruksel, duhet të ketë detektor tymi.
Bruksel, 1 janar 2025 (MIA) – Nga sot çdo shtëpi, gjegjësisht banesë apo shtëpi në Bruksel, duhet të ketë detektor tymi.
Deri më tani ky rregull vlente vetëm për banesat apo shtëpitë që jepeshin me qira, por me Dekret të Qeverisë Rajonale të Brukselit, tash e tutje të gjitha shtëpitë në territorin e Rajonit të Brukselit do të duhet të kenë të instaluara pajisje të tilla.
Sipas vendimit, çdo shtëpi duhet të jetë e pajisur me të paktën një detektor tymi, i cili duhet të vendoset në derën e përparme. Në banesat me shumë dhoma kërkohet të vendoset të paktën një detektor më shumë në dhomën më të largët nga dera e hyrjes, në një distancë që teknikisht quhet "rruga e qarkullimit të brendshëm". Në shtëpitë shumëkatëshe, duhet të ketë të paktën një detektor tymi në çdo kat.
Së fundi, nëse ka të paktën katër detektorë tymi në një shtëpi ose banesë, ata duhet të jenë të ndërlidhura ose pjesë e një sistemi të centralizuar zbulimi. Pronarët e shtëpive që kanë tashmë të paktën katër detektorë tymi që nuk janë të ndërlidhur, kanë kohë deri më 1 janar 2028 për të zbatuar këtë dispozitë.
Sipas vendimit, nuk kërkohet vendosja e detektorëve në banja, tualete, kuzhina dhe garazhe, përveç nëse këto dhoma kanë funksion të dyfishtë.
Dekreti parashikon që detektorët e instaluar të jenë optikë, të kenë bateri të integruar që zgjat dhjetë vjet dhe të plotësojnë standardin evropian EN14604.
Në interes të instalimit dhe funksionimit të plotë dhe korrekt të detektorëve të tymit, banorët e Brukselit mund të kërkojnë që shtëpia e tyre të vizitohet nga këshilltarët e sigurisë nga zjarri nga Shërbimi Zjarrfikës i Brukselit, të cilët do të kryejnë një vlerësim se sa pajisje duhet të instalohen dhe në cilat vende. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s