• e enjte, 26 dhjetor 2024

Despotovski: Le t'i paguajmë njerëzit tanë më shumë që të mbeten në vend, jo për të importuar të huaj

Despotovski: Le t'i paguajmë njerëzit tanë më shumë që të mbeten në vend, jo për të importuar të huaj

Shkup, 13 mars 2024 (MIA) - Trajtimi i mungesës së fuqisë punëtore në Ballkanin Perëndimor kërkon një qasje racionale dhe të guximshme. Duhet së pari të shohim se çka mundet të bëhet në rajonin me burimet ekzistuese dhe jo të shkojmë në kërkim të fuqisë punëtore. Kemi nevojë për një ristrukturim të ekonomisë, investime në teknologji dhe industri që sjellin më shumë vlerë të shtuar dhe vende pune më të paguara", theksoi Jovan Despotovski, drejtor i ZZHTI në Forumin ballkanik të mbajtur në Budapest.

Despotovski, siç njoftojnë sot nga ZZHTI me ftesë të Institutit hungarez për Punë të Jashtme, si folës kryesor i panelit kushtuar trajtimit të mungesës së fuqisë punëtore në Evropën Qendrore dhe Juglindore, tha se për të zgjidhur këtë çështje aktuale, është shumë e rëndësishme që gjërat të shihen dhe analizohen përmes një qasjeje sasiore dhe strukturore në mënyrë që të gjenden zgjidhje efektive.

"Diferenca në produktivitet ndërmjet vendeve të rajonit e cila konfirmohet nga statistikat për produktivitetin dhe peshën në BPV-në për kokë njeriu, ngre çështje kritike në lidhje me efikasitetin e punës dhe shpërndarjen sektoriale. Krahasimi i produktivitetit të Sllovenisë me Maqedoninë, Serbinë dhe Shqipërinë zbulon kontraste të mprehta. Pavarësisht madhësive të ngjashme të popullsisë, Sllovenia shfaq nivele dukshëm më të larta të produktivitetit. Këtu shtrohet pyetja pse i njëjti numër i njerëzve në Slloveni prodhojnë 5 herë më shumë se në Maqedoni apo pse i njëjti prodhim në Serbi prodhohet me 3.5 herë më shumë se në Slloveni?”, theksoi Despotovski.

Sipas tij, me optimizimin e sektorëve dhe transferimin e punëtorëve, mund të ndodhë ndryshimi i nevojshëm, si për shembull me transferimin e punëtorëve nga bujqësia, aktivitetet tradicionale të prodhimit me pagë të ulët, si dhe nga administrata publike në sektorët e nevojshëm në tregun e punës.

Në trajtimin e mungesës së fuqisë punëtore, punëtorët e huaj po shfaqen si një zgjidhje e shpejtë për të lehtësuar presionet aktuale, beson Despotovski, por, sipas tij është thelbësore të merret parasysh përputhshmëria kulturore, aftësia gjuhësore dhe përshtatshmëria së bashku me aftësitë teknike gjatë punësimit të fuqisë punëtore të huaj.

"Koncepti i lëvizjes së lirë të fuqisë punëtore në Maqedoni, Serbi dhe Shqipëri në kuadër të Ballkanit të Hapur ka potencial të mirë për të stimuluar tregjet e punës dhe për të stimuluar rritjen ekonomike. Duke lejuar sinergji më të madhe midis këtyre vendeve, ne mund të përshpejtojmë linjën e tyre të përbashkët të zhvillimit dhe të mbyllim hendekun që kemi me ekonomitë më të përparuara. Duke inkurajuar ripërcaktimin e sektorëve, pranimin e arsyeshëm të fuqisë punëtore të huaj dhe përdorimin e bashkëpunimit rajonal, mund të hapim rrugën për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe prosperitet në të gjithë Ballkanin Perëndimor", theksoi Despotovski.

Sipas informacioneve të ZZHTI, në panel janë përfaqësues të Shoqatës gjermane të biznesit për Evropën Juglindore, Institutit të Vjenës për studime ekonomike, si dhe profesorë nga Fakulteti Ekonomik në Beograd dhe Fondacioni hungarez për kërkime ekonomike.

Mbi 100 ekspertë, politikanë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare po marrin pjesë në Forumin ballkanik në Budapest 2024, organizuar nga Instituti hungarez për Punë të Jashtme. Mes tyre këtë vit janë Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë Peter Sijarto, Dubravka Xhedoviq ministre e Minierave dhe Energjisë së Serbisë, Vesela Çerneva zëvendësdrejtor i Këshillit Evropian për marrëdhënie me jashtë dhe Igli Hasani ministër i Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Forumi dyditor këtë vit fokusohet në energjinë, ekonominë dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Forumi Ballkanik mbahet për të tetin vit radhazi. qa/

Foto: ZZHTI

 
 
 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR