• e enjte, 26 dhjetor 2024

Deskoska është zgjedhur nënkryetare e Nënkomisionit për Gjyqësi në Komisionin e Venecias

Deskoska është zgjedhur nënkryetare e Nënkomisionit për Gjyqësi në Komisionin e Venecias

Shkup, 17 dhjetor 2023 (MIA) - Profesoresha Renata Deskoska është zgjedhur nënkryetare e Nënkomisionit për gjyqësi në Komisionin e Venecias.

Deskoska është zgjedhur në sesionin e 137-të të Komisionit të Venecias i cili u mbajt nga data 14 deri 16 e këtij muaji.

Kryetar i nënkomisionit është zgjedhur prof.dr. Nikos Alivizatos, profesor i të drejtës kushtetuese në Universitetin e Athinës dhe ish ministër i Punëve të Brendshme të Greqisë. 

Nënkomisioni i gjyqësisë gjatë periudhës së kaluar është komisioni më aktiv përmes të cilit kaluan numri më i madh i mendimeve të cilat miratohen nga Komisioni i Venecias. Ai është kompetent që t'i shqyrtojë mendimet dhe të propozojë amandamente të mendimeve të cilat Komisioni i Venecias i sjell për çështje në lidhje me reformat ose me situatën në gjyqësi. 

"Zgjedhjen në postin e nënkryetares së këtij komisioni e kuptoj si njohje të angazhimit tim të mëparshëm në përgatitjen e mendimeve të miratuara unanimisht nga Komisioni i Venecias. Si i vetmi anëtar që nuk vjen nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, kam marrë pjesë në përgatitjen e një mendimi për pavarësinë e gjyqësorit në Holandë, si dhe kam qenë e përfshirë në përgatitjen e disa mendimeve për organizimin e prokurorisë publike në Moldavi, mendimet për kornizën ligjore për partitë politike në Mongoli dhe Azerbajxhan, për të cilat kam qenë edhe raportuese në mbledhje", thotë Deskoska në postimin e saj në Fejsbuk.

Komisioni i Venecias është organ i Këshillit të Evropës i përbërë nga ekspertë të pavarur të cilët janë të njohur për përvojën e tyre në institucionet demokratike dhe për kontributin e tyre në të drejtën kushtetuese dhe sistemin politik, me detyrë që të japë këshilla juridike në formë të mendimeve juridike të drafteve të ligjeve ose ligje të cilat tashmë janë miratuar në disa vende. 

Anëtarët e Komisionit të Venecias janë kryesisht profesorë të të drejtës kushtetuese me përvojë të mëparshme si ministra, kryeministra apo gjykatës të gjykatave kushtetuese, si për shembull Filip Dimitrov, ish-kryeministër i Bullgarisë, Marta Kartabia, ish-ministre e drejtësisë e Italisë, Hana Suhotska, ish kryeministre dhe ministre e Drejtësisë së Polonisë, Jasna Omejec, ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kroacisë, Kler Bejzi Malarui, ish-anëtare e Këshillit Kushtetues të Francës, Andras Varga, ish-gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Hungarisë, Dan Meridor, ish Ministri i Drejtësisë së Izraelit, Sërxhan Dërmanoviq, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Malit të Zi etj. fc/

Fotografia: Fejsbuk

 

QËNDRONI TË LIDHUR