• e enjte, 26 dhjetor 2024

Deri të premten do të përgatitet shporta konsumatore e vjeshtës, po bëhen simulime për kufizimin e çmimeve ose marzhave

Deri të premten do të përgatitet shporta konsumatore e vjeshtës, po bëhen simulime për kufizimin e çmimeve ose marzhave

Shkup, 11 shtator 2024 (MIA) – Deri të premten duhet të përgatitet shporta konsumatore e vjeshtës me rreth 100 produkte ushqimore, informon MIA. Grupi i punës në të cilin ka anëtarë të ministrive të Ekonomisë, Bujqësisë dhe Financave, do të bëjë simulim për kufizimin e çmimeve ose të marzhave.

“Domethënë, llogaritjet do të bëhen duke ulur marzhet në 5, 10 ose 15 për qind të tregtisë me pakicë ose ngrirje të çmimeve në nivel të caktuar. Simulimi duhet të japë informacion se cila do të jetë zgjidhja më e favorshme për çmimet përfundimtare për konsumatorët dhe cilat do të jenë implikimet fiskale të kësaj mase”, thotë ministri i Ekonomisë Besar Durmishi në një deklaratë për MIA-n.

Propozimi dhe simulimi i shportës konsumatore të vjeshtës, siç thekson Durmishi, do të dorëzohet në Qeveri në mbledhjen e ardhshme dhe do të merret vendim për uljen e çmimeve të këtyre produkteve themelore ushqimore për konsumatorët finalë.

“Synimi ynë është të ndihmojmë qytetarët për të përmirësuar standardin e jetesës. Gjithashtu dua të them se kjo shportë konsumatore vjeshtore në periudhën në vijim do të vazhdojë të aplikohet në formën e shportës së konsumit të Krishtlindjeve, shportës së konsumit të Ramazanit, shportës së konsumit të Pashkëve me ndryshime në listën e produkteve që do të mbulohen në varësi të periudhave në të cilën do të aplikohet”, thotë Durmishi.

Edhe kryeministri Hristian Mickoski sot në konferencë për media konfirmoi se po përgatitet shporta e vjeshtës me produkte të cilat qytetarët më së shumti i përdorin. 

Lidhur me Ligjin për praktika të padrejta tregtare, ministri Durmishi thotë se ky ligj mbetet në fuqi edhe se punojnë që edhe shpenzimet shtesë nga lista e 2.548 numrave tariforë të produkteve bujqësore dhe ushqimore në tregtinë me pakicë dhe tregtinë me shumicë do të kufizohen në 10 për qind duke filluar nga 28 shtatori. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR