• e shtunë, 23 nëntor 2024

Deri në fund të gushtit pritet të publikohet thirrja e parë nga IPARD 3

Deri në fund të gushtit pritet të publikohet thirrja e parë nga IPARD 3

Shkup, 8 gusht 2023 (MIA) - Thirrja e parë nga Programi IPARD 3 pritet të shpallet deri në fund të gushtit. Me të do të përfshihen masat 1 dhe 7, për investime në mjete bazë të ekonomive bujqësore, si dhe për investime në turizmin rural, diversifikimin e fermave dhe mbështetje të mikrobizneseve.

Thirrja do të “peshojë” mbi 20 milionë euro dhe do të zgjasë 45 ditë, me një zgjatje prej dy javësh.

Së bashku me thirrjen e fundit IPARD 2 të projektuar në 8.8 milionë euro e cila u shpall më 4 gusht, në dispozicion të bujqësisë do të vihen rreth 30 milionë euro vetëm përmes IPARD-it.

"Të parët e fillojmë IPARD 3, para çdo vendi tjetër të rajonit. Të gjitha miratimet për Maqedoninë e Veriut për fillimin e IPARD 3 kanë përfunduar. Të premten e kaluar ka ardhur vendimi nga Brukseli për procedurë të shkurtuar për akreditimin e masave 1, 3, 7 dhe 9. Praktikisht, për të gjitha masat ekzistuese nga IPARD 2 kemi marrë riakreditim. Kjo do të thotë se ne tashmë hyjmë në proces, ku pres që thirrja e parë nga IPARD 3 të jetë deri në fund të gushtit", thotë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikolovski.

Sipas tij, këto ditë pritet të nënshkruhet edhe marrëveshja financiare që shpërndan fondet e përgjithshme sipas masave dhe viteve.

Pjesa në total e bashkëfinancimit të IPARD 3 do të jetë 120 milionë euro, nga të cilat 97 milionë euro janë mjete të pakthyeshme nga BE-ja.

Nikollovski thekson se nëse IPARD 3 përfundon me sukses, kjo nënkupton 250 milionë euro investime në sektorin e bujqësisë.

Programi IPARD 3 është 62 për qind financiarisht më i “vështirë” se IPARD 2. Në të, risia është se janë të mundura paradhënie deri në 50 për qind të shumës së mbështetjes, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes për investim. Kjo do të thotë për shembull, se nëse konkurrohet me projekt në vlerë 100.000 euro për masën ku kthimi i mjeteve është 60 për qind, aplikanti përmes financimit të paradhënies me lidhjen e marrëveshjes IPARD do të marrë 50 për qind të mjeteve ose 30.000 euro paraprakisht.

Gjithashtu vendoset mënyrë e re e sigurimit të dokumentacionit të nevojshëm. Do të shfrytëzohen sisteme elektronike për dokumente nga Regjistri Qendror apo për leje ndërtimi me çka do të thjeshtësohet, lehtësohet dhe përshpejtohet procesi, si dhe do të ulen kostot për përdoruesit.

Deri më tani, vlera mesatare e investimeve në masën 1 ka qenë 17.000 euro, në masën 7 gjithsej 168.000 euro, ndërsa në masën 3 ku aplikojnë të gjitha kompanitë e orientuara nga eksporti është 246.000 euro.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR