Deri më tani, 632 qytetarë tanë kanë kërkuar evakuim, disa do të kthehen me fluturime çarter, të tjerë me aeroplan qeveritar
- Deri më sot, gjithsej 632 qytetarë tanë kanë kërkuar informacione në lidhje me evakuimin nga rajonet e prekura të Lindjes së Mesme. Interes më të madh ka nga shtetasit e Maqedonisë së Veriut në Abu Dabi (gjithsej 447). Për ta finalizohen detajet teknike dhe logjistike që të kthehen me fluturime çarter.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 13:25, 4 mars, 2026
Shkup, 4 mars 2026 (MIA) - Deri më sot, gjithsej 632 qytetarë tanë kanë kërkuar informacione në lidhje me evakuimin nga rajonet e prekura të Lindjes së Mesme. Interes më të madh ka nga shtetasit e Maqedonisë së Veriut në Abu Dabi (gjithsej 447). Për ta finalizohen detajet teknike dhe logjistike që të kthehen me fluturime çarter.
Në Izrael, numri i shtetasve tanë që kanë kërkuar ndihmë mbetet i pandryshuar. Për disa prej tyre, përkatësisht gjashtë persona, evakuimi është përfunduar sepse ata vendosën të kthehen në Shkup me shpenzimet e tyre me fluturime komerciale, ndërsa gjashtë personat e tjerë pritet të transportohen përmes rrugës tokësore nga Izraeli në Egjipt gjatë ditës, dhe nesër me aeroplanin qeveritar të kthehen në shtëpi.
"Ata do të akomodohen në një vend të sigurt, në hotel, në barrë të shtetit, dhe pritet që gjatë ditës së nesërme me aeroplanin qeveritar të fluturojnë të sigurt për në Shkup", informoi Ministria e Punëve të Jashtme.
Në Doha, numri i shtetasve tanë që kanë kërkuar ndihmë është 136. Njëkohësisht, përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore po bëjnë edhe një plan të veçantë për evakuimin e qytetarëve në Bahrein dhe Kuvajt.
Nga Ministria u bëjnë apwl të gjithë shtetasve tanë që ndodhen në rajonet e prekura (Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Bahreini dhe Kuvajti), nëse nuk e kanë bërë tashmë këtë, të kontaktojnë menjëherë përfaqësinë diplomatike dhe konsullore kompetente ose numrin SOS të Ministrisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme mbetet në kontakt të vazhdueshëm dhe plotësisht në dispozicion të qytetarëve tanë, si dhe në koordinim të rregullt me autoritetet lokale kompetente, me qëllim zbatimin e sigurt dhe në kohë të evakuimit", theksohet në komunikatën e sotme.
Foto: Arkivi i MIA-s