• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Deputetët Kaevski, Bilalli - Zendeli dhe Nikollovski do të marrin pjesë në sesionin e rregullt të APKE-së

Deputetët Kaevski, Bilalli - Zendeli dhe Nikollovski do të marrin pjesë në sesionin e rregullt të APKE-së

Shkup, 24 prill 2023 (MIA) - Darko Kaevski, shef i Delegacionit dhe anëtarët Arta Bilalli-Zendeli dhe Aleksandar Nikolloski, nga 24 deri më 27 prill 2023, do të marrin pjesë në pjesën e dytë të sesionit të rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), që mbahet në Strasburg.

Strategjitë politike për parandalimin, përgatitjen dhe përballimin e pasojave nga katastrofat natyrore do të jenë ndër temat që do të debatohen në këtë sesion plenar.

U kërkua debati urgjent me temën "Situata e civilëve ukrainas, përfshirë edhe fëmijët, të zhvendosurit me forcë ose të transferuarit në Federatën Ruse ose territoret ukrainase nën kontrollin de fakto të Federatës Ruse"

Pas tërmeteve shkatërruese në Turqi dhe Siri, Asambleja do të diskutojë mbi raportin për strategjitë politike për parandalimin, përgatitjen dhe përballimin e pasojave nga katastrofat natyrore.

Ka edhe kërkesë për debatin aktual për Samitin e 4-t të Këshillit të Evropës “Në rrugën drejt Rejkjavikut”, që do të mbahet më 16 dhe 17 maj 2023 në kryeqytetin e Islandës. Siofra Oleari, kryetare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, do të mbajë fjalim gjatë debatit për këtë çështje.

Përpara deputetëve do të mbajë fjalim edhe Presidenti i Islandës, Gudni T. Johaneson, ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme e Islandës, Tordis Kolbrun Rejkfjord Gilfadotir, do ta prezantojë Komunikimin nga Komiteti i Ministrave, me të cilin Islanda aktualisht kryeson.

Komisionerja për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, do ta prezantojë raportin e saj vjetor për aktivitetet për vitin 2022, ndërsa Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq-Buriq, si zakonisht, do t'u përgjigjet pyetjeve të anëtarëve.

Tema të tjera për të cilat do të bisedohet janë zbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe kushtetutat nacionale, të rinjtë dhe mediat, si dhe mbrojtja e demokracisë, të drejtave dhe mjedisit jetësor në tregtinë ndërkombëtare.

Asambleja do të vlerësojë gjithashtu funksionimin e statusit të saj si Partneritet për Demokraci dhe do të shqyrtojë respektimin e obligimeve për anëtarësim në Këshillin e Evropës nga San Marino.

Për shkak të rinovimit të vazhdueshëm të sallës për mbajtjen e sesioneve plenare në godinën e APKE-së, ky sesion plenar pranveror do të mbahet në godinën e Parlamentit Evropian. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR