• e enjte, 26 dhjetor 2024

Deputetët diskutojnë për Raportin vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2021

Deputetët diskutojnë për Raportin vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2021

Shkup, 13 mars 2023 (MIA) - Kuvendi sot vazhdoi me punë pas seancës së 71-të, në të cilën deputetët e shqyrtojnë Raportin vjetor të Avokatit të Popullit për shkallën e sigurimit, respektimit, promovimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut për vitin 2021.

Avokati i Popullit Naser Ziberi, në fjalimin e tij në seancë, apeloi te deputetët që Raporti Vjetor së bashku me masat e propozuara të përcaktuara nga Kuvendi në seancë plenare të shqyrtohen në një kohë më optimale.

"Siç shihet nga Raporti i Komisionit amë, Raporti është shqyrtuar në prill dhe fillim të majit të vitit të kaluar. Raporti për vitin 2022 do të vijë së shpejti dhe për këtë arsye diskutimi për vitin 2022 do të bëhet i vjetër, ndërsa masat të cilat sipas Ligjit për Avokatin e Popullit i përcakton Kuvendi dhe i dorëzon Qeverisë për veprime kompetente, bëhen të papërshtatshme për shkak të vonesës për të cilën shqyrtohen. Shpresoj se Kuvendi do të ketë fuqi që me kohë ta shqyrtojë Raportin për vitin 2022 qoftë nga Kuvendi qoftë nga Komisioni, në mënyrë që të merren masa për të gjeturat e Avokatit të Popullit", tha Ziberi.

Фото: Принт скрин

Me deklaratën e Ziberit u pajtua edhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, i cili konsideron se fajin për vonesën e shqyrtimit të këtij raporti e ka edhe institucioni i tij edhe Kuvendi.

"Jam dakord me ju që ky raport të shqyrtohet më shpejt, sepse tjetri po vjen. Por unë mendoj se fajin e ka edhe institucioni juaj edhe Kuvendi, i cili është vonuar në shqyrtimin e këtyre raporteve dhe më pas të njejtat mbeten të parëndësishme, sepse ne tani po shqyrtojmë Raportin për vitin 2021 dhe tashmë po hyjmë në pjesën e pranverës të vitit 2023. Në raport janë të shënuara mirë të gjitha çështjet që Avokati i Popullit i ka ndërmarrë", tha Milloshoski.

Ai theksoi se nga dokumenti i Avokatit të Popullit është i dukshëm konkluzioni që shihet nga sondazhet e opinionit publik të qytetarëve që i referohen sistemit gjyqësor.

"Këtu shohim se edhe te Avokati i Popullit, madje një e treta e ankesave që vijnë gjatë vitit 2021 kanë qenë për procedurat e gjyqësorit dhe procedurat e përmbaruesve. Është një tjetër dëshmi se sondazhet e opinionit publik, të cilat tregojnë se vetëm katër për qind i besojnë gjyqësorit apo prokurorisë dhe në jetën reale ankesat dhe nevojat nga të drejtat e pazgjidhura apo të shkelura të njeriut që kanë mbërritur tek Avokati i Popullit si ankesa, konfirmojnë të njëjtat të dhëna të mungesës në gjyqësor dhe në mesin e ekzekutorëve", tha ai.

Milloshoski pyeti Avokatin e Popullit nëse ka pasur mundësi me iniciativën e tij që ta shqyrtojë rastin e Jildiz Veaposka dhe të iniciojë disa procedura që do të mund ta ndihmonin viktimën të luftojë për mbrojtjen e të drejtave të saj dhe së paku të marrë mbështetje morale nga ky institucion.

Ziberi, duke iu përgjigjir Milloshoskit, informon se në fillim të vitit 2023, vetë pala ka drejtuar ankesë në institucion dhe rasti është në proces.

"Në institucionin e Avokatit të Popullit nga sfera e kujdesit shëndetësor janë iniciuar tri lëndë me vetë iniciativë, duke përfshirë edhe atë konkrete, mirëpo sipas nenit 23 të Ligjit për Avokatin e Popullit do të ndërpritet procedura para Avokatit të Popullit, përkatësisht ndalet nëse pala hap një çështje gjyqësore. Në fillim të vitit 2023, vetë pala ka drejtuar një ankesë në institucion dhe rasti është në proces", thekson Ziberi.

Në vërejtjen për vonesën e shqyrtimit të Raportit, kryeparlamentari Xhaferi informoi se sot është dita e 11-të e vazhdimit të kësaj seance dhe e gjithë kjo po ndodh për shkak se, siç tha ai, trupat punues të këtij Kuvendi nuk po i kryejnë detyrat me kohë. 

Kuvendi sot pasdite e ka vazhduar seancën e 51-të, me Propozim ligjin për Avokatinë, në lexim të parë, për shkak se kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka ndërprerë seancën për shkak të mungesës së kushteve për debat për këtë propozim-ligj. ls/

 

Foto: MIA arkiv/ Printskrin nga jutjub

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR