• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Demant i ministrit Shaqiri në lidhje me themelimin e Fakultetit të Mjekësisë në Strugë

Demant i ministrit Shaqiri në lidhje me themelimin e Fakultetit të Mjekësisë në Strugë

13 qershor 2024

Nga disa subjekte politike jam akuzuar se kam themeluar Fakultetin e Shkencave Shëndetësore në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës. Disa të tjerë përmendin Fakultetin e Shkencave Mjekësore, por këto janë dy koncepte të ndryshme. Nuk do të hyj në arsyet për këto deklarata, nëse janë tendencioze ose nga padituria, por këtë informacion e demantoj kategorikisht.

Dua të sqaroj se ministri nuk mund të themelojë një institucion të arsimit të lartë. Kjo është procedurë e tërë në të cilën janë të përfshira disa institucione dhe organe kompetente, ndër të cilat edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila në thelb ka më së paku kompetenca.

Themelimi i një institucioni të arsimit të lartë, në këtë rast fakulteti brenda një universiteti ekzistues, fillon me iniciativën e vetë universitetit, e cila së pari duhet të marrë një mendim pozitiv, pra miratimin nga Qeveria. Më pas, Bordi i Akreditimit pranë Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë akrediton projektin e dorëzuar nga universiteti. Më tej, pason nxjerrja e akteve për themelimin dhe funksionimin e fakultetit nga ana e komisionit përkatës pranë universitetit dhe vetëm pasi përfundohen këto faza, bazuar në mendimin e komisionit për inspektimin e përmbushjes së kushteve për punë, brenda kuadrit të MASH, ministri i Arsimit dhe Shkencës merr vendim për përmbushjen e kushteve dhe leje për fillimin e punës. Ndërkohë, Bordi i Akreditimit zhvillon procedurën për akreditimin e programeve të studimit, pa përfundimin e së cilës fakulteti nuk mund të regjistrojë studentë. Kjo procedurë është në vazhdim dhe nuk ka përfunduar.

Në fakt, si për shumë fakultete të tjera, ashtu edhe për këtë – Fakultetin e Shkencave Shëndetësore, ku do të ketë programe studimi trevjeçare për infermierë dhe jo studime për mjekë, pas dorëzimit të raportit nga komisioni në MASH, kam nënshkruar Vendimin për përmbushjen e kushteve për fillimin e punës së institucionit të arsimit të lartë. Asgjë kundërligjore dhe asgjë sipas tekeve të dikujt.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës doc.dr. Jeton Shaqiri

Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Foto: Arkivi i MIA-s

___________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

QËNDRONI TË LIDHUR