• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Delegacioni i BE-së: Flamuri europian duhet të kufizohet vetëm në propozime për harmonizimin e legjislacionit të brendshëm me atë europian

Delegacioni i BE-së: Flamuri europian duhet të kufizohet vetëm në propozime për harmonizimin e legjislacionit të brendshëm me atë europian

Shkup, 6 shtator 2023 (MIA) - Delegacioni i Bashkimit Evropian po shqyrton ndryshimet e propozuara në Kodin Penal me procedurë të përmbledhur dhe ende nuk mund të komentojë për përdorimin e flamurit të BE-së në këtë rast të veçantë.

"Delegacioni i BE-së është duke i shqyrtuar propozimet e publikuara dje në faqen e Kuvendit bazuar në standardet dhe normat e BE-së. Nuk mund të komentojmë ende për përdorimin e flamurit të BE-së në këtë rast konkret, por ju kujtojmë rregullin e përgjithshëm se përdorimi i kësaj procedure duhet të kufizohet në propozime që harmonizojnë legjislacionin vendas me standardet dhe normat e BE-së", thonë nga  Delegacioni i BE-së për MIA-n.

Komisioni për Çështje Europiane sot e ka përcjellë në procedurë të mëtutjeshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut propozimin e Ligjit për ndryshime dhe plotësime të Kodit Penal me procedurë të shkurtuar.

Ndryshimet e propozuara të Kodit Penal kryesisht i referohen ndryshimeve të neneve që prekin funksionarët, personat zyrtarë dhe përgjegjës në ndërmarrje dhe institucione publike, ndërsa propozohen edhe ndryshime që kanë të bëjnë me rrezikimin e mjedisit jetësor.

Në ndryshimet e Kodit Penal fshihen paragrafi 5 i nenit 353 i cili parashikonte dënim me burg prej të paktën 5 vjet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizim gjatë kryerjes së furnizimeve publike ose në dëm të mjeteve të Buxhetit. Në ndryshimet e këtij neni risi ka edhe me shtimin e një paragrafi i cili parashikon konfiskimin e interesit pronësor të fituar.

Me ndryshimet në nenin 353-v, që i referohet veprës "punë joadekuate në shërbim", për të cilën deri më tani parashikohej dënim prej minimum tre vjet burg për person zyrtar ose përgjegjës në ndërmarrje ose institucione publike i cili do të marrë një përfitim të konsiderueshëm pronësor, dënimi reduktohet  nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Në vend të maksimumit prej dhjetë vjet burg të cilat deri tani ishin parashikuar në nenin 394 dënimet për "bashkim kriminal", pra për atë që krijon një grup apo bandë, ndryshimet parashikojnë dënim maksimal deri në tre vjet burg. Reduktim ka edhe për anëtarët e grupit apo bandës që do të kryejnë një vepër penale, dënimi maksimal prej 5 vitesh burgim ulet në maksimum 2 vjet. Pikërisht me veprën "bashkim kriminal" ishin përfshirë edhe një numër i madh i të akuzuarve në lëndët e PSP-së. sa/

Foto: Kuvendi/printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR