• e premte, 27 dhjetor 2024

Delegacion i Kuvendit për vizitë studimore dyditore në Stokholm

Delegacion i Kuvendit për vizitë studimore dyditore në Stokholm

Shkup, 22 maj 2023 (MIA) - Në kuadër të bashkëpunimit për zhvillim demokratik, i cili po zhvillohet për të tretin vit në mes të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Riksdagut të Suedisë, Delegacioni i Kuvendit i përbërë nga Fadil Zendeli, kryetarë dhe anëtarë Maja Moraçanin, Martin Kostovski Aleksandar Veljanovski, Gordana Siljanovska Davkova, Arbana Pasholli, Halil Snopçe, Snezhana Kaleska Vançeva dhe Zdravko Trajanov qëndrojnë në vizitë studimore dyditore në Stokholm sot dhe nesër, informojnë nga sektori për marrëdhënie me opinionin pranë Kuvendit.

"Gjatë ditës së parë të punës, deputetët e dy shtëpive ligjvënëse shkëmbyen përvoja për kushtet e punës së deputetëve dhe kompensimet për punën e tyre. U ndanë përvojat suedeze  mbi rregulloren që rregullon aspektin ekonomik të punës së deputetëve, përkatësisht rrogat e tyre,  shpenzimet e udhëtimit, shpenzimet për akomodimin e tyre anëtarë të Riksdagut që jetojnë në largësi të paktën 50 km nga shtëpia ligjvënëse, si dhe qasja e publikut në të gjitha këto të dhëna. Deputetët suedezë informuan edhe për regjistrin e interesave financiare që ekziston në Riksdag dhe detyrimet e deputetëve  4 javë pas zgjedhjes së tyre të deklarojnë pasurinë. Gjithashtu u shkymbyen përvoja nga puna e deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, angazhimi i tyre profesional, kompensimet që u takojnë, si dhe përfitimet që deputetët i gëzojnë pas përfundimit të mandatit, që në rastin suedez, varësisht nga mandati parlamentar, përfshijnë apanazhin në kohëzgjatje maksimale prej dy vjetësh dhe mundësinë e trajnimit për të lehtësuar periudhën e tranzicionit", thuhet në kumtesë.

Deputetët shkëmbyen përvoja për rolin e medieve dhe gazetarëve që raportojnë për punën e shtëpisë legjislative.

"Në parlamentin suedez, përveç 680 gazetarëve të akredituar, gjithsej 14 media kanë zyra të përhershme, qëllimi i të cilave është afrimi i punës së deputetëve me publikun. Gazetarët dhe fotografët e akredituar kanë qasje kudo në godinë, me përjashtim të zyrave të deputetëve dhe pjesës së kryeparlamentarit. Shërbimi i shtypit të Riksdagut punon me miratimin e akreditimeve si dhe me qasjen në dokumente që janë në interes të publikut. Puna e seancës plenare transmetohet drejtpërdrejt në ueb faqen e Kuvendit, ndërsa puna e komisioneve nuk është transparente për publikun. Prania e vazhdueshme e gazetarëve në shtëpinë  legjislative mundëson njohjen e tyre të hollësishme të punës së Riksdagut dhe raportimin objektiv", thuhet në kumtesën e Kuvendit.

Vizita studimore, shtohet më tej, përkoi edhe me seancën e interpelancës së disa ministrave në Qeverinë e Suedisë, ku morën pjesë deputetët e Kuvendit.

"Qëllimi i interpelancës, në kontekstin suedez, është  dialog më intensiv mes deputetëve dhe ministrave dhe nuk çon në miratimin e vendimit të Parlamentit.Deputetët morën pjesë në interpelancë të ministrit të arsimit dhe pasi ministri u përgjigj Interpelancës në seancë plenare u zhvillua debat mes deputetëve dhe ministrave. E drejta për t'i parashtruar pyetje Qeverisë është një nga instrumentet e kontrollit parlamentar, deputetët kanë mundësi t'i parashtrojnë pyetje me gojë dhe me shkrim Qeverisë dhe zakonisht gjatë vitit parlamentar parashtrohen mijëra pyetje", informon Kuvendi. bsh/

Foto: Sektori për marrëdhënie me opinionin pranë Kuvendit

 

QËNDRONI TË LIDHUR