• e enjte, 26 dhjetor 2024

Deklaratë e përbashkët nga Takimi joformal A5: Angazhimi ndaj Parimeve Themelore të Kartës, duke përfshirë politikën e “dyerve të hapura”

Deklaratë e përbashkët nga Takimi joformal A5: Angazhimi ndaj Parimeve Themelore të Kartës, duke përfshirë politikën e “dyerve të hapura”

Shkup, 28 mars 2023 (MIA) - SHBA - Karta e Adriatikut në 20 vitet e fundit ka prodhuar siguri dhe stabilitet në këtë pjesë të Evropës dhe mbetet një forum unik për bashkëpunim, i cili vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit. Duke marrë parasysh faktin se rrethanat kanë ndryshuar në mënyrë dramatike me agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës, anëtarët e iniciativës A5 mbeten të përkushtuar ndaj parimeve bazë të Kartës, duke përfshirë politikën e saj "të dyerve të hapura", duke shprehur gatishmërinë e tyre për shqyrtimin sa më të shpejtë të kërkesë zyrtare të Kosovës për anëtarësim në Kartë.

Kjo thuhet ndër të tjera në Deklaratën e përbashkët të pjesëmarrësve në takimin joformal ministror të SHBA-së – Karta e Adriatikut, që u mbajt sot në Shkup nën presidencën e Maqedonisë së Veriut.

Në vijim është Deklarata e Përbashkët nga takimi joformal ministror i nismës A5

1. Ne, Ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesit e Republikës së Kroacisë, Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u takuam në Shkup më 28 mars të vitit 2023, nën Presidencën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në një takim jozyrtar të Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut.

2. I shprehim mirënjohjen tonë përfaqësuesve të Kosovës,*1 Serbisë dhe Sllovenisë për praninë e tyre në takim si vëzhgues, si dhe për mbështetjen e tyre të përgjithshme në kuadër të Kartës.

3. Këtë vit ne festojmë 20-vjetorin e themelimit të Kartës së Adriatikut. Për 20 vitet e fundit, Karta ka prodhuar siguri dhe stabilitet në këtë pjesë të Evropës. Karta ishte dhe mbetet një forum unik bashkëpunimi, i cili vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit euroatlantik të vendeve të Rajonit. Njëkohësisht me aktivitetet për arritjen e qëllimeve të saj bazë, Karta kontribuoi edhe në zbatimin e proceseve të reformës kombëtare dhe ngriti ndjeshëm nivelin e bashkëpunimit rajonal.

4. Marrim parasysh faktin se 20 vjet pas krijimit të Kartës, rrethanat kanë ndryshuar në mënyrë dramatike. Agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës ndryshoi rrënjësisht sigurinë evropiane me pasoja veçanërisht të rënda, përfshirë edhe rajonin tonë. Shoqëritë tona demokratike janë të ekspozuara ndaj një sërë kërcënimesh joushtarake, asimetrike dhe hibride nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë, si sulmet kibernetike, fushatat e manipulimit të informacionit, ndërhyrja e huaj në punët e brendshme dhe detyrimi ekonomik.

5. Duke pasur parasysh sfidat dhe kërcënimet aktuale dhe duke u mbështetur në vlerat demokratike, ne avokojmë për thellimin e bashkëpunimit rajonal, sipas rastit, duke dhënë një përgjigje të përbashkët, strategjike dhe të koordinuar, përmes shkëmbimit të informacionit, përvojave dhe praktikave më të mira, në trajtimin e kërcëniveme të rejave. Në këtë kontekst, ne mbetemi të përkushtuar për të forcuar bashkëpunimin tonë të përbashkët për të luftuar edhe më efektivisht kundër kërcënimeve kibernetike dhe hibride, si dhe për të vazhduar bashkëpunimin për të avancuar më tej aftësitë tona në nivelin e 

standardeve më të larta të NATO-s dhe BE-së në këtë fushë. Për këtë qëllim, siç thuhet në deklaratën e përbashkët të miratuar në dhjetor të vitit 2022, gjatë presidencës malazeze të Kartës, ne inkurajojmë procesin e përshtatjes së mëtejshme të Kartës.

6. Ne dënojmë fuqishëm agresionin ushtarak rus kundër Ukrainës, i cili ka shkaktuar vuajtje të mëdha për popullin e Ukrainës. Kjo luftë gjithashtu minon sigurinë dhe stabilitetin në Evropë dhe përfaqëson një sulm serioz ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

7. Ne shprehim respektin tonë të veçantë për qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e guximshme nga Ukraina, ushtria dhe populli i saj përmes agresionit të pajustifikuar ende në vazhdim nga Rusia. Ne ritheksojmë mbështetjen tonë të vendosur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Ukraina ka të drejtën e natyrshme të vetëmbrojtjes për të siguruar pavarësinë dhe sovranitetin e saj dhe të drejtën për të zgjedhur në mënyrë të pavarur marrëveshjet e veta të sigurisë.

8. Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus, ne kemi ofruar ndihmë politike, praktike dhe humanitare për Ukrainën. Deri më sot, shtetet e përzgjedhura anëtare të Kartës kanë kontribuar rreth 32.7 miliardë dollarë në ndihmë ushtarake. Gjithashtu, vendet anëtare të Kartës dhuruan rreth 1.62 miliardë dollarë ndihma humanitare. Ne jemi të gatshëm ta rrisim këtë mbështetje përmes masave të përbashkëta për të forcuar aftësinë  e Ukrainës për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e saj territorial.

9. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj parimeve themelore të Kartës së Adriatikut, duke përfshirë politikën e saj "të dyerve të hapura" dhe shprehim gatishmërinë tonë për të shqyrtuar sa më shpejt që të jetë e mundur kërkesën zyrtare të Kosovës për anëtarësim në Kartë.

10. Ne vlerësojmë iniciativën dhe përpjekjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të zgjeruar në mënyrë adekuate fushëveprimin e bashkëpunimit në kuadër të Kartës së Adriatikut gjatë presidencës së saj, përfshirë organizimin e këtij takimi joformal ku u diskutuan tema aktuale dhe thelbësore, thuhet në Deklaratën e Përbashkët.

SHBA - Karta e Adriatikut përfaqëson nismën më të rëndësishme për promovimin e vlerave euroatlantike në rajon. SHBA-ja është partnere strategjike e nismës dhe përveç Maqedonisë së Veriut, anëtarë të kësaj nisme janë edhe Shqipëria, BeH-ja, Kroacia dhe Mali i Zi, ndërsa Kosova, Serbia dhe Sllovenia kanë statusin e vendeve vëzhguese.

QËNDRONI TË LIDHUR