Deklaratë e Aleancës për shqiptarët për t'u përfshirë në koalicionin qeveritar
- Duke u nisur nga interesat sublime të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për një shtet ekonomikisht të avancuar, të lirë, demokratik, të qytetarëve të barabartë, dhe të integruar përbrenda dhe në botë, me këtë deklaratë përcaktojmë parimet tona bazë dhe zotimet konkrete për bashkëpunim koalicioni.
- Post By Arta Bunjaku
- 13:22, 11 shkurt, 2023
11 shkurt 2023 (MIA) -
Duke u nisur nga interesat sublime të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për një shtet ekonomikisht të avancuar, të lirë, demokratik, të qytetarëve të barabartë, dhe të integruar përbrenda dhe në botë, me këtë deklaratë përcaktojmë parimet tona bazë dhe zotimet konkrete për bashkëpunim koalicioni.
Në nivel të parimeve:
- Marrim përsipër të punojmë së bashku, në solidaritet dhe me përgjegjësi për përmirësimin e standardit të jetesës së të gjithë qytetarëve dhe realizimin e Programit të Qeverisë.
- Zotohemi për punë të përbashkët dhe angazhim maksimal për arritjen e qëllimit strategjik shtetëror: anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
- Angazhohemi për mbështetje të partneritetit strategjik me SHBA-të dhe promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
- Angazhohemi për mbështetje të ndërsjellë, në nivelin qendror dhe atë lokal, me synim të rritjes së efikasitetit në punën e Kuvendit dhe të institucioneve për zbatimin e masave dhe politikave të Qeverisë për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, forcimin e ekonomisë, si dhe në marrjen e vendimeve për reformat për rrugën evropiane.
- Zotohemi për forcim kadrovik, me marrëveshje të ndërsjellë në bazë të paritetit sipas mandateve të fituara në Kuvend në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke pasur parasysh balancën etnike në Qeveri.
- Angazhohemi gjithashtu për veprim dhe luftë të përbashkët kundër elementëve radikalë në shoqëri që kërcënojnë marrëdhëniet ndërpersonale, ndërkombëtare dhe integrimin evropian.
- Zotohemi për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe për zbatim, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit Evropian, të një reformë gjithëpërfshirëse të legjislacionit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme, përfshirë edhe përditësimin e regjistrit të votuesve.
Për të zbatuar këto parime, Aleanca për Shqiptarët ka përcaktuar pesë prioritete për të cilat do të angazhohet deri në fund të mandatit qeverisës.
1. Shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit
Do të promovojmë respektimin dhe zbatimin e përpiktë të vlerave themelore evropiane siç janë barazia dhe respektimi i të drejtave të njeriut, transparenca, liria e mediave, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe shteti i së drejtës. Prioritetet tona kryesore janë ndërtimi i një gjyqësori të pavarur, efektiv dhe të drejtë, çrrënjosja e
korrupsionit, një administratë e depolitizuar dhe meritokratike, si dhe mbështetja e qytetarëve për t'u përfshirë në jetën publike përmes qasjes universale në informacion.
Zotimet tona janë:
- Ligji për veting, bazuar në përvojat më të mira evropiane.
- Ligji për Zyrën e Rikthimit të Pasurisë.
- Avancimi i Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë.
- Ligji i ri për kontrollin e brendshëm financiar publik (KBFP)
- Zbatimi i plotë i strategjisë së reformës në drejtësi dhe përgatitja e strategjisë së re për reformën në drejtësi 2023-2027.
- Rritja e investimeve në buxhetin e vitit 2024 për institucionet përgjegjëse për luftimin e korrupsionit.
- Promovimi i konfiskimit të aseteve kriminale si prioritet strategjik në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjitha nivelet.
- Funksionalizimi i plotë i sistemit të automatizuar për menaxhimin e informacionit për çështjet gjyqësore.
- Krijimi dhe funksionalizimi i Rrjetit koordinues kundër mashtrimit dhe përmirësimi i parandalimit, menaxhimit dhe raportimit të parregullsive që prekin fondet e BE-së.
2. Shtet për të gjithë
Jemi të përkushtuar për të kultivuar dhe inkurajuar marrëdhënie të mira ndëretnike, për një shoqëri të qytetarëve të barabartë. Do të promovojmë një shtet për të gjithë, përfaqësim të drejtë dhe adekuat në të gjitha fushat e jetës publike, eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit dhe avancimin kulturor e të gjitha bashkësive.
Zotohemi për:
- Ligj për përfaqësim të dejtë dhe adekuat i cili do të përcaktojë masat e veçanta, procedurale e institucionale për t’u arritur punësimi proporcional dhe eliminimi i diskriminimit strukturor në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat tjera të jetës publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si për komunitetet, ashtu edhe për përfaqësimin gjinor dhe të personave me nevoja të veçanta.
- Amendamentimin e neneve (ndër tjera 3.3 dhe 19.3) të ligjit për të punësuarit në sektorin publik.
- Shqyrtimi i rregullave në ligjin për punët e brendshme që lejojnë përjashtimin e rregullave të ligjit për të punësuarit në sektorin publik.
3. Zhvillimi i barabartë ekonomik dhe territorial
Angazhohemi për reforma të nevojshme në tranzicionin e ekonomisë dhe financave, si dhe për përmirësimin e performancës së përgjithshme zhvillimore ekonomike dhe zvogëlimin e pabarazive. Decentralizimi fiskal dhe shpërndarja e drejtë e të ardhurave publike, zvogëlimi i hendekut ndërmjet rajoneve, mbështetja e ndërmarrjeve vendore dhe e inovacionit, rritja e investimeve të huaja dhe rritja e efikasitetit të ndërmarrjeve publike janë prioritetet tona të përbashkëta.
Masat konkrete për të cilat zotohemi janë:
- Hartimi i një kornize të re për financimin e komunave.
- Shndërrimi i Byrove për zhvillim të barabartë rajonal në Agjenci, si dhe rritja në buxhetin e vitit 2024 të fondeve për politikën e zhvillimit rajonal.
- Përshpejtimi i reformave në fushat e menaxhimit të financave publike, mjedisit, transportit, energjisë, lidhjes dixhitale dhe tregut të punës që kanë ndikim të lartë në politikën e zhvillimit rajonal.
- Përmirësimi i targetimit të mbështetjes financiare për familjet dhe kompanitë e rrezikuara.
- Ndryshimi i Ligjit për zonat zhvillimore teknologjike dhe industriale.
4. Shteti zhvillimor dhe energjia e gjelbër
Do të promovojmë avancimin e shtetit zhvillimor, të bazuar në mbrojtjen e mjedisit jetësor në bujqësinë e qëndrueshme dhe tranzicionin energjetik.
Zotohemi për:
- Miratimin dhe zbatimin e ligjit për efiçiencë energjitike.
- Krijimin e fondit për efiçiencë energjetike.
5. Një popullatë e shëndetshme
Do të përgatisim strategji shtetërore gjithëpërfshirëse për sistemin shëndetësor, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të shërbimit shëndetësor dhe mjekësor.
Masat tona prioritare janë:
- Rritja e pagave të personelit mjekësor.
- Ndryshimi dhe zgjerimi i listës pozitive të barnave.
- Ndryshimi i organizimit të sistemit shëndetësor primar, sekondar dhe terciar, me qëllim që të rritet efikasiteti dhe të zvogëlohen harxhimet.
Sepse transparenca dhe llogaridhënia janë vlerat themelore të veprimit politik të Aleancës për Shqiptarët, sot paraqesim para opinionit Deklaratën e zotimeve qeverisëse, të dakorduar midis Kryetarit, Arben Taravari dhe Kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, të cilën kryeministri do ta konfirmojë para të zgjedhurve të popullit dhe qytetarëve.
Kjo dekalaratë është gurëthemeli i punës sonë të ardhshme brenda koalicionit qeverisës. Kemi përcaktuar pesë prioritete të ndara në 22 zotime konkrete, për të cilat do të angazhohemi me tërë energjinë tonë deri në fund të legjislaturës.
Për të zbatuar këto zotime, Aleanca për Shqiptarët ka zgjedhur më të mirët në radhët e veta për të udhëhequr resoret e saj brenda koalicionit qeverisës:
Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë.
Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.
Azir Aliu, Ministër i Shoqërisë Informatike dhe i Administratës Publike.
Vjollcë Berisha, Zëvendës Ministre e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.
Tiron Jajaga, Zëvendës Ministër i Mbrojtjes.
Ky ekip do të përkrahet nga një numër i madh i zyrtarëve të shpërndarë në shumë drejtori dhe agjencione në të gjitha fushat e jetës publike.
Futja e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri është e bazuar në parimet e demokracisë së brendshme dhe të demokratizimit të shoqërisë, në një kohë kur Maqedonia e Veriut përballet me kriza të shumëfishta, që të gjitha përcaktuese për orientimin pro-perëndimor të vendit. Aleanca për Shqiptarët po merr përgjegjësinë si parti shtetndërtuese, e bindur se me sinqeritet dhe me pastërti, me transparencë dhe demokraci, do të prodhojmë vlera dhe rezultate, për të mirën e qytetarëve dhe për të mirën e ekonomisë, demokracisë dhe drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.
Aleanca për shqiptarët
___________________________________________________________
MIA këto tekste i publikon në formë integrale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre