• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Dekani i Fakultetit Filologjik Prof. Dr. Berton Sulejmani mori pjesë në seminarin "Shkodra në shekuj"

Dekani i Fakultetit Filologjik Prof. Dr. Berton Sulejmani mori pjesë në seminarin

Tetovë, 13 dhjetor 2024 (MIA)- Dekani i Fakultetit Filologjik i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Berton Sulejmani, mori pjesë në seminarin "Shkodra në shekuj" të organizuar nga Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi", Qendra e Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Bashkinë e Shkodrës. Prof. Dr. Berton Sulejmani lexoi kumtesën e tij shkencore me titull "Punimet shkencore të akademik Kolec Topallit të prezantuara dhe të botuara në librat e përmbledhjeve të punimeve të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë të Universitetit të Tetovës" në të cilat, Kolec Topalli ka botuar dy punime: "Parimet themelore të hartimit të alfabetit të shqipes" (Seminari II Ndërkombëtar i Albanologjisë, 2008) dhe "Vendi i Selman Rizës për shkencat albanologjike" (Seminari III Ndërkombëtar i Albanologjisë, 2009). Akademik Kolec Topalli është një personalitet i shquar i shkencave albanologjike të kohës sonë. Rezultatet e punës që na ka lënë shtrihen në fusha të ndryshme hulumtimi të historisë së gjuhës shqipe. K. Topalli e përmbylli veprimtarinë e tij shkencore me një sintezë të gjerë për historinë fonetike, për historinë gramatikore dhe për historinë e leksikut, siç është "Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe" (1984 faqesh), të cilin e botoi QSA, IGJL, Tiranë, në nëntor të vitit 2017. Gjatë punimeve të Seminarit XII Ndërkombëtar të Albanologjisë (2018), të organizuar nga Universiteti i Tetovës, u bë paraqitja e FEGJSH-së, për të cilin folën gjuhëtarët nga Tirana (Valter Memisha, Anila Omari), Prishtina (Begzad Baliu) e Tetova (Berton Sulejmani).

Gjatë qëndrimit në Shkodër, dekani, Prof. Dr. Berton Sulejmani, u prit edhe nga rektori i Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi", Prof. Dr. Tonin Gjuraj, me të cilin biseduan për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit të universiteteve tona. Dekani i F. Filologjik, rektorit të U. të Shkodrës, ia dhuroi portretin e Nënë Terezës dhe disa numra të revistave "Filologjia" dhe "Albanologjia". Seminari "Shkodra në shekuj", punimet i zhvilloi më 12 dhe më 13 dhjetor 2024.

 

QËNDRONI TË LIDHUR