• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Debati: Projekti për aplikimin e poligrafëve për punonjësit në pikat kufitare nuk do të shkaktojë shpenzime por do të rrisë të ardhurat në buxhet

Debati: Projekti për aplikimin e poligrafëve për punonjësit në pikat kufitare nuk do të shkaktojë shpenzime por do të rrisë të ardhurat në buxhet

Shkup, 13 mars 2024 (MIA) - Korrupsioni është kërcënim për dy segmente themelore të shtetit - ekonominë dhe sigurinë kombëtare, si dhe dëmton reputacionin e shtetit. Ekonomia gri nis në pjesën më të madhe nga vija kufitare dhe sipas vlerësimeve të ekspertëve shkon diku nga një miliard deri në një miliard e dyqind euro, para që nuk mblidhen në buxhet. Aplikimi i poligrafit në konfirmimin e integritetit të zyrtarëve që punojnë në pikat kufitare në parim është një ide e pranueshme dhe duhet të kontribuojë në zhdukjen e kësaj dukurie, për të cilën përveç vullnetit politik nevojiten edhe kapacitete teknike dhe kuadro.

Kjo, ndër të tjera, u theksua në debatin e parë publik me temë “Përcaktimi i integritetit të të gjithë zyrtarëve që punojnë në punë me rrezik të lartë në Kalimet Kufitare (KK) dhe në vijën kufitare duke përdorur poligrafin, si masë parandaluese për parandalimin e korrupsionit të mundshëm” organizuar nga Qendra Kombëtare Koordinuese për Menaxhimin e Kufirit.

Vladimir Pivovarov, koordinator kombëtar për menaxhimin e kufijve, theksoi se kjo iniciativë për aplikimin e poligrafit si masë parandaluese bazohet në hulumtimet që janë bërë që nga dita e parë e pavarësisë së shtetit. Ai ka theksuar se Qeveria në shkurt në një seancë ka marrë vendim për hapjen e debatit publik për këtë iniciativë.

“Kjo është seanca e parë e debatit publik, do të pasojnë edhe katër seanca të tjera. Do të flasim edhe me sektorin joqeveritar, me ata që frekuentojnë kufirin, pra dhomat e tregtisë, autobusët e kamionistët dhe shoqatat e tyre, me të gjitha partitë parlamentare, pra përfaqësuesit e tyre dhe në fund do të bisedonim edhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Pra, këto janë pesë fazat e planifikuara pas të cilave duhet ta njoftojmë Qeverinë, ne jemi përgjegjës për këtë dhe qeveria do të marrë vendim se si dhe në çfarë forme do t'i drejtohet Kuvendit për ta zgjidhur këtë, për të mos thënë problem më i vështirë - 33 vjet në këtë vend”, thotë Pivovarov.

Ai sqaron se nëse miratohet nga Kuvendi, do të ketë derogim juridik në katër ligje - ligji për policinë, ligji për doganat, ligji për kontrollin kufitar, ligji për ushqimin dhe mjekësinë veterinare dhe në fund një ligj i ri do të duhet të kalojë për një institucion të posaçëm që do të kryejë poligrafinë, dhe do të jetë pjesë e Kuvendit.

“Në propozimet tona thuhet se do të jetë e detyrueshme një herë në vit për të gjithë ata që punojnë në atë vend pune me rrezik. Nëse një oficer i tillë dështon në poligrafin, ai regjistrohet, kështu që kryhen më shumë teste nga profesionistë të licencuar me detektorë të gënjeshtrës moderne. Ato i dorëzohen menjëherë prokurorit dhe ideja është që persona të tillë të largohen menjëherë nga vendi i punës sepse themi se nëse krimineli kthehet në vendin e krimit atëherë nuk do të ketë funksionim të shoqërisë, domethënë do të jetë një problem serioz për mbijetesën e vetë shtetit”, vlerëson Pivovarov.

Sipas tij, poligrafin do ta kalonin të gjithë ata oficerë që punojnë në punë me rrezikshmëri të lartë në pikat kufitare dhe në vijën kufitare, e këta janë inspektorë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Inspektorati Shtetëror për Bujqësi, Policia Kufitare dhe doganierë. Nëse kjo zgjidhje miratohet,

sipas sistematizimit ekzistues, kjo nënkupton përfshirjen e diku rreth 1200 deri në 1300 persona në nivel vjetor.

Për sa i përket personelit teknik që nevojitet për kryerjen e ekzaminimit poligraf, ai tregon se sipas njohurive të tij, aktualisht në vend janë vetëm katër ekzaminues të licencuar të poligrafit. Megjithatë, shton ai, nëse shteti dhe palët e pranojnë këtë propozim, do të nisë një proces trajnimi, licencimi të ri dhe përdorimi i pajisjeve më moderne, që sipas tij do të ishte një investim minimal për të marrë në pjesën e ekonomisë.

Biljana Ivanovska, ish-kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsinot (KSHPK), beson se korrupsioni ushqehet nga ndikimi politik, transparenca e pamjaftueshme e institucioneve, paqartësia e legjislacionit, por faktori kryesor mbi të gjitha është mungesa e integritetit dhe theksoi ndikimet partiake në punësimin e pikave kufitare.

“Unë e mbështes fuqimisht këtë projekt sepse jo vetëm që nuk do të sjellë kosto, por do të sjellë edhe rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Disa përllogaritje tregojnë se nëse korrupsioni vihet nën kontroll, pra nëse sistemet e kontrollit të brendshëm në vetë institucione funksionojnë ashtu siç duhet, sigurohen rreth 10 për qind kursime në buxhetin e shtetit. Mendoj se kjo mund të rrisë edhe më shumë të hyrat”, thotë Ivanovska.

Megjithatë, për disa nga ekspertët, koha e paraqitjes së kësaj nisme është problematike dhe e vlerësojnë si tentativë për marketing politik, e disa e vënë re edhe problemin e moszbatimit të ligjeve.

“Në Maqedoni problem është moszbatimi i asaj që është miratuar. Maqedonia ka dokumente të shkëlqyera strategjike, ka një kornizë të shkëlqyer ligjore, por zbatimi i tyre nuk kryhet fare”, thotë profesori Zoran Filipovski, i cili mbështet propozimin për aplikimin e poligrafit, por jo vetëm për doganierët dhe policinë kufitare, por edhe për shërbime të tjera kompetente.

Zoran Jovanovski, profesor në Akademinë Ushtarake, i cili ishte komandanti i fundit i ushtrisë dhe shefi përgjegjës për kufirin, që u përfshi në procesin e transformimit, gjegjësisht në fillimin e aplikimit të modelit të menaxhimit të integruar të kufirit, thotë se koncepti nuk është jetësuar plotësisht.

“Siguria fillon në kufi dhe ne u përpoqëm ta vërtetojmë dhe patëm rezultate të jashtëzakonshme. Pas transformimit dhe marrjes në dorëzim të policisë kufitare në vitin 2005, menaxhimi i integruar i kufirit, i cili duhej të siguronte kushte më të mira për sigurinë e vetë kufirit, me kalimin e kohës, tash e 20 vjet nuk mendoj se është jetësuar ashtu siç është shkruar në letër. Kemi zgjidhje gjysmake dhe rezultate gjysmake”, thotë Jovanovski.

Megjithatë, ai beson se iniciativa për aplikimin e poligrafëve do të kontribuojë në kontrollin dhe përzgjedhjen e stafit që duhet të punojë në sigurimin kufitar, si dhe sugjeron monitorimin e rregullt të kushteve në terren për zgjidhjen e problemeve në kohë.

Sa i përket poligrafëve u theksua se ato përdoren jo vetëm nga institucionet shtetërore, por edhe nga strukturat kriminale për të konfirmuar konfidencialitetin, por edhe nga kompani private për të mbrojtur kapitalin e tyre.

Për studiuesit e poligrafit, saktësia, domethënë besueshmëria e rezultateve të poligrafit është deri në 97 për qind dhe në 20 vitet e fundit janë arritur rezultate të kënaqshme në aspektin e aplikimit të arritjeve shkencore, në teknologji dhe aplikimin e të rejave shkencore në metodat e verifikuara.

Pritet që të pesë debatet të përfundojnë deri në mes të prillit, pas së cilës Qendra Kombëtare Koordinuese për Menaxhimin e Kufirit duhet të përgatisë propozimin dhe të dorëzojë raportin në Qeveri deri më 1 qershor. Nëse Qeveria e miraton dhe e dorëzon në Kuvend, pritet të votohet nga përbërja e ardhshme parlamentare. ls/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR