• e enjte, 26 dhjetor 2024

Debati për shkarkimin e ministrave nga Alternativa vazhdon nesër në mesditë 

Debati për shkarkimin e ministrave nga Alternativa vazhdon nesër në mesditë 

Shkup, 13 shkurt 2023 (MIA) - Në Kuvend sot pasdite, deputetët debatuan për propozimin për shkarkimin e ministrave nga radhët e Alternativës, të cilët nuk dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre para zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Qeverisë, të cilët përgjithësisht vijnë nga partneri i ri i koalicionit Aleanca për Shqiptarët. Seanca u ndërpre sonte dhe do të rifillojë nesër në mesditë.

Deputetja Safije Sadiki Shahini nga Alternativa, parti e cila del nga koalicioni qeveritar me këtë rikonstruksion të Qeverisë, theksoi se në mbledhjen e djeshme partiake kanë marrë qëndrim për të vepruar si opozitë dhe kjo është temë e përfunduar për ta.

Sipas saj, ministrat dhe zëvendësministrat e partisë së tyre nuk kanë dhënë dorëheqje për dy arsye – nuk kanë përgjegjësi për të dhënë dorëheqjen dhe nuk duan të jenë arsye dhe të lehtësojnë punën e një njeriu që, siç tha ajo, nuk di të falënderohet, një vit më parë u bë kryeministër me votat e Alternativës.

Sadiki Shahini theksoi se nëntorin e kaluar kur raporti në Kuvend ishte 60:60 dhe perspektiva evropiane e vendit, sipas saj, ishte e vdekur, shumë politikanë dhe njerëz iu drejtuan Alternativës me qëllim për të pranuar të jenë pjesë e Qeverisë. Ajo tha se “veprimet e Alternativës kontribuan që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të marrin një datë për negociata me BE-në”.

 

Sipas deputetes së Alternativës, LSDM në mënyrë të njëanshme e ka shkelur marrëveshjen që kryetari i mëparshëm i partisë në pushtet e ka nënshkruar me ta, duke i akuzuar socialdemokratët për mosrespektim. “Kjo flet shumë keq për një vend që përpiqet për vlera evropiane, tha ajo, duke shtuar se shkelja e marrëveshjeve nuk është parim evropian dhe duke mos dashur të presin vendimin e Alternativës për largim apo dorëheqje nga Qeveria e kaluan edhe vijën e fundit etike.

Deputeti Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE, duke e vlerësuar fjalimin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski në fillim të seancës, tha se ai ishte pa përmbajtje dhe me shumë lajthitje, ndërsa e barazoi hyrjen e njërit dhe daljen e një partneri tjetër koalicioni me "korrupsion politik dhe prostitucion”. Ai pyeti se si do të luftojë ASH kundër BDI-së nëse janë në të njëjtën qeveri dhe theksoi se me këtë zgjedhjet e humbin kuptimin. Nikollovski tha se një kryetar të tillë të ASH-së, Arben Taravari, nuk njeh dhe pyeti nëse bëhet fjalë për shantazh dhe nëse çmimi ka qenë një shtëpi e bukur në Taftalixhee, të cilën e ka marrë si dhuratë.

Ai ka theksuar se Taravari në Gostivar ka fituar falë votave të VMRO-DPMNE-së dhe se është e palogjikshme që në vend të Gostivarit ku është kryetar komune, të blejë shtëpi në Shkup.

 

Ilmi Aziri nga ASH, duke iu përgjigjur Nikollovskit, tha se Aleanca për Shqiptarët dhe kjo Qeveri i kanë aleatët e tyre në Bruksel dhe Uashington, ndërsa se Taravari është një emër në branshën e tij dhe mund t'i sfidojë të gjithë.

Deputeti Martin Kostovski nga LSDM-ja tha se VMRO-DPMNE-ja ka mbetur e vetmuar, e nervozuar, se fillimisht është larguar kryetari i Komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski, pastaj kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, pastaj Aleanca për Shqiptarët. Sipas tij, 13.02.2023 është disfatë e re për Mickoskin, i cili nuk ka as rritje të shumicës parlamentare dhe as zgjedhje.

LSDM, siç theksoi, ka një shumicë parlamentare të shtuar, dhe ndoshta për të 50-tën herë në këto tre vjet Mickoski dhe VMRO-DPMNE gënjejnë sërish - nuk ka zgjedhje të parakohshme dhe nuk kanë shumicë. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR