• e enjte, 26 dhjetor 2024

Debat: Maturë shtetërore apo provim pranues në universitet

Debat: Maturë shtetërore apo provim pranues në universitet

Shkup, 17 maj 2023 (MIA) – A është matura shtetërore koncept i suksesshëm apo është e nevojshme të rifutet provimi pranues për regjistrim në fakultet dhe a ka nevojë për ndryshime dhe përshtatje në kohën e re për provimin përfundimtar për nxënësit e shkollave të mesme.

Këto pyetje u hapën në debatin e organizuar nga Universiteti Amerikan i Evropës - FON, për të cilin diskutuan studentët e tij dhe përfaqësues të institucioneve arsimore, si dhe dy ish-ministra të arsimit dhe shkencës - Nikolla Todorov dhe Milla Carovska.

Todorov, gjatë mandatit të të cilit zbatimi i provimit të maturës shtetërore ishte në fillimet e tij, mendon se ajo nuk duhet të hiqet, por duhet të vlerësohet vazhdimisht nëse koncepti është adekuat për nevojat e shoqërisë. Në vitin 2009, kur u emërua i pari i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, ai tha se rezultatet e testeve ishin zhgënjyese, por se nga çdo reformë e re janë të pritshme rezultate të dobëta dhe probleme.

“Por kjo nuk do të thotë që ne nuk u kushtojmë rëndësi gabimeve dhe problemeve. Matura shtetërore është një sistem që duhet të ekzistojë, është pozicionuar mirë, zhvillohet por nuk duhet të jetë statik. Ne kemi detyrimin që vazhdimisht të vlerësojmë konceptin dhe nëse ai korrespondon me atë që duam të arrijmë në shoqëri dhe ta përshtatim atë me kërkesat e së ardhmes. Provimi i maturës shtetërore duhet të jetë një test - çfarë duam të marrim në të ardhmen - nëse duhet vetëm të përsëriten njohuritë, nëse gjithçka duhet të dihet në një kohë kur inteligjenca artificiale ka filluar të funksionojë. Le të përpiqemi të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe çfarë do të kërkojë tregu – çfarë lloj njohurish dhe aftësish do t'i nevojiten. Po të pyesësh nxënësit, ata do të jenë të lumtur të mos kenë provim mature, por kërkesat e shoqërisë janë të ndryshme ashtu si edhe nevojat e tyre në të ardhmen. Nuk duhet të lejojmë që qëndrimi aktual i secilit nxënës të rrezikojë shoqërinë në të ardhmen”, tha ish-ministri dhe avokati Todorov.

Sipas Carovskës, debatet për maturën shtetërore janë të nevojshme gjatë gjithë vitit shkollor, jo vetëm kur ai përfundon. Sipas saj gjithmonë parashtrohet pyetja nëse duhet të jepet ky provim përfundimtar, por theksoi se provimi i maturës  është i domosdoshëm si një lloj përmbledhje e të gjitha arritjeve dhe njohurive të nxënësve për nivelin e ardhshëm arsimor.

“Matura, si diçka që kemi arritur, duhet të mbetet. Në rajon jemi ndër vendet e para që e kemi prezantuar atë. Ne e masim veten me vendet e tjera në bazë të arritjeve tona, gjë që tregon se ky është një standard i arritur dhe nuk duhet ta shkelim dhe nuk duhet të bëjmë asnjë hap prapa. Në fund të gjimnazit bëhet provimi i maturës, i cili duhet të bëjë një përmbledhje se çfarë kemi mësuar dhe sa është i gatshëm ai brez të marrë pjesë në arsimin e lartë apo në profesionet teknike. Në disa vende, edhe në fund të shkollës nëntëvjeçare, bëhet një vlerësim nëse janë arritur njohuri të caktuara“, tha ish-ministrja Carovska, themeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e SIGA (Asociacionit për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës).

 Ndërkohë, Maja Saliu, Drejtoreshë e Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Dr. Pançe Karagjozov”, mendon se koncepti i maturës shtetërore duhet të mbahet si standard i arritur, por të modifikohet sipas llojit të arsimit sepse, siç tha ajo, me konceptin ekzistues, në mënyrë të pamjaftueshme vlerësohet profesionalizmi dhe aftësia e nxënësve në shkollat ​​profesionale, siç është ajo mjekësore.

“Kjo nënkuptohet për shkollat profesionale, por edhe për shkollat e mesme të përgjithshme. Jo çdo nxënës ka të njëjtat afinitete. Duhet të ketë një qasje të personalizuar ndaj nevojave dhe mundësive të nxënësit.... Sigurisht që testet e standardizuara duhet të ekzistojnë sepse nuk ka rrugë tjetër për të zgjedhur një numër të madh nxënësish. Prandaj, njëri duhet të jetë përfundimi i arsimit, dhe tjetri duhet të jetë provim pranues për pranim në fakultet. Mendoj se këto dy gjëra janë po aq të rëndësishme sepse kolegjet e dinë më së miri se çfarë kompetencash duhet të ketë një student që të jetë student i suksesshëm dhe profesionist në një fushë, në të ardhmen”, tha Saliu.

 Matura shtetërore në shkollat ​​e vendit filloi të zbatohej në vitin 2007. Në vitin 2006, kjo u zbatua si pilot projekt në tri komuna, me dhënien e provimit të gjuhës amtare (maqedonisht, shqip dhe turqisht) dhe letërsinë, si provim ekstern të detyrueshëm, si dhe provim me zgjedhje nga lëndët: matematikë ose një nga nga katër gjuhë të huaja.

Që atëherë, organizohet në vazhdimësi në fund të çdo viti shkollor, me përjashtim të vitit 2019/2020 kur për shkak të pandemisë KOVID, ku me vendim të Qeverisë dhe ministrit të atëhershëm Arbër Ademi nuk u dha provimi i maturës për atë brez maturantësh.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR