• e enjte, 26 dhjetor 2024

Debat i komisionit për zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së

Debat i komisionit për zgjedhjen e anëtarit të KSHZ-së

Shkup, 27 dhjetor 2023 (MIA) - Pas pauzës së paralajmëruar për shkak atmosferës së tensionuar, duhet të vazhdojë seanca e Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime ku diskutohet për përcaktimin e kandidatit për anëtar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Abdush Demiri i mbështetur nga koalicioni opozitar shqiptar Lidhja Evropiane për Ndryshim dhe Zulfi Adili i mbështetur nga Partia Demokratike Evropiane e Arianit Hoxhës.

Deputetët- anëtarë të koalicionit opozitar shqiptar përsëritën se sipas Kodit zgjedhor atyre ju takon vendi i lirë në KSHZ. Ata theksuan se i gjithë opinioni e di se kandidati Zulfi Adili është anëtar i Aleancës për Shqiptarët dhe theksuan se kjo është e paligjshme. Ata akuzuan se kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi me këtë veprim shkel ligjet dhe theksuan se qëllimi i tij është bllokimi i procesit.

"Pas zgjedhjes së ish anëtarit të KSHZ-së në postin ministror, Krenar Lloga kishte afat prej 30 ditësh për të filluar procedurën. Ky është obligim i kryetarit të Kuvendit, por nuk e bëri. Ai nuk e ka bërë këtë, prandaj ne si deputetë është dashur t'i themi se kemi një përbërje jo të plotë të KSHZ-së dhe si e tillë duhet të kompletohet. Dhe këtu fillon odiseada e bllokimeve dhe pengesave nga kryetari i Kuvendit dhe kryetares së Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime", theksoi deputeti i Lëvizjes Besa dhe pjesë e koalicionit opozitar shqiptar LEN, Fadil Zendeli.

Edhe deputetët e opozitës VMRO-DPMNE theksuan se ligji është i qartë dhe se ky anëtar në KSHZ është i partive opozitare që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit dhe kanë më shumë deputetë. Theksuan se qëllimi i qeverisë nuk është të zgjidhet anëtar i KSHZ-së, por bllokimi i gjithë procesit.

"Qëllimi i kryetares së Komisionit dhe i shumicës parlamentare me propozimin e dy kandidatëve nuk është që të zgjedhin anëtarin, por që KSHZ-ja të mbetet pa anëtar të zgjedhur dhe me këtë të jetë rasti i parë në historinë e pluralizmit në vend. Kemi pasur kriza të ndryshme – politike, parlamentare, të sigurisë, ndërpartiake dhe çfarëdo që të kenë qenë, por i kemi tejkaluar në një mënyrë apo tjetër. Asnjëherë nuk ka ndodhur në zgjedhje që të kemi një KSHZ jo të plotë, gjegjësisht pushteti të manipulojë me zgjedhjen e një anëtari të KSHZ-së që i përket opozitës", tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

Kryetari dhe deputeti i Alternativës, Afrim Gashi sot ka në konferencë për shtyp tha se do ta bojkotojnë punën e Kuvendit nëse deri më 31 dhjetor nuk votohet kandidati i tyre për anëtar në KSHZ, Abdush Demiri.

"Nëse deri më 31 dhjetor nuk votohet kandidati ynë për anëtar të KSHZ-së, ne do ta bojkotojmë Kuvendin. Para së gjithash nuk do të marrim pjesë në punimet e Kuvendit, nuk do të marrim pjesë në seancat e komisioneve apo të Plenumit dhe do të alarmojmë te qytetarët dhe faktori ndërkombëtar. Pas 31 dhjetorit, përveç bojkotit të Kuvendit, do t'i marrim të gjitha masat demokratike - të kemi anëtarin tonë në KSHZ. Ne do t'i bëjmë publike planet dhe masat tona nëse nuk plotësohet kushti deri më 31 dhjetor", tha Gashi.

Kur ligji është i qartë, potencon Gashi, nuk mund të shkoni me forcë, sepse, siç tha ai, ke një votë më shumë në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime.

Pas përcaktimit të kandidatit, ai duhet të votohet në seancë të Kuvendit. Anëtari i KSHZ-së zgjidhet me shumicën prej dy të tretave.

Pas emërimit të Krenal Llogës për ministër të Drejtësisë një vend në KSHZ ka mbetur i zbrazët. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR