• e enjte, 26 dhjetor 2024

Debat i KKBE-MK për Klasterin 1: Gjyqësori duhet të jetë i pavarur, i paanshëm, efikas dhe i liruar nga çdo presion politik

Debat i KKBE-MK për Klasterin 1: Gjyqësori duhet të jetë i pavarur, i paanshëm, efikas dhe i liruar nga çdo presion politik

Shkup, 11 dhjetor 2024 (MIA) - Gjyqësori duhet të jetë i pavarur, i paanshëm, profesional dhe efikas dhe të jetë i lirë nga çdo presion politik. Në vend ka ligje të mira në letër, por problemi është zbatimi i tyre. Me ndryshimet në Kodin Penal të datës 7 shtator 2023, pushteti ekzekutiv ndërhyri drejtpërdrejt në punën e gjykatave, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në rezultatin e procedimeve penale në lidhje me korrupsionin e lartë që ishin në rrjedhë. Vjetërsia e këtyre rasteve të profilit të lartë, të cilat ishin në interes të publikut dhe monitoroheshin vazhdimisht, ndikuan negativisht në cilësinë e organeve gjyqësore.

Kjo u theksua në panelin “Sfidat e sundimit të së drejtës në Ballkanin Perëndimor: Horizontet e reja për çështjet e vjetra”, në kuadër të Konferencës së shtatë plenare me temë “Klasteri 1: Vlerat themelore të BE-së - Përballja me sfidat e reja në kontekstin e zgjerimit”, organizuar nga Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut (KKBE-MK).

  

Tomas Strazhaj, drejtor i Asociacionit sllovak të politikës së jashtme, vuri në dukje se nëse, si vend, përballemi mirë me sundimin e së drejtës, atëherë procesi i aderimit bëhet më i lehtë. "Nuk është rastësi që Klaster 1 quhet Themeli, pa vlera themelore nuk mund të zhvillosh projekt të suksesshëm, nuk mund të ndërtosh shtëpi të shëndetshme nëse nuk ke themele të mira", tha Strazhaj.

Sipas tij, madje edhe vendet anëtare nuk janë të imunizuara nga çështja e sundimit të së drejtës, por kjo është arsyeja pse, thotë ai, Bashkimi Evropian ka zhvilluar një përgjigje shumë efektive ndaj tij. "Nëse vendet anëtare punojnë në përputhje me këto vlera themelore, ekziston mekanizëm që mund të përdoret për t'i bërë ato vende anëtare që nuk janë në përputhje me të, të mendojnë për korrigjimin e funksionimit të tyre. E njëjta gjë vlen edhe për vendet kandidate. Kjo do të thotë se sundimi i së drejtës dhe vlerat themelore janë të rëndësishme jo vetëm për procesin e aderimit, por edhe për vetë anëtarësimin", tha Strazhaj.

Kryetari i Komitetit Legjislativ-Juridik të Kuvendit, Aleksandar Veljanovski, theksoi se Maqedonia tashmë është 20 vjet përpara hyrjes në BE dhe se kjo pritje po merr shumë kohë për të bërë një hap përpara.

"Megjithëse si shtet kemi zbatuar shumë reforma në rrugën drejt BE-së, për fat të keq sot ende përballemi me bllokada joparimore që burojnë nga çështje dypalëshe që lindin vazhdimisht si kërkesa të reja dhe kështu zvogëlojnë shpresën dhe luajnë me durimin e qytetarëve që janë kritikë të proceseve dhe tentojnë të largohen nga shteti," tha Veljanovski.

Si jurist, shtoi ai, besoj se në Maqedoni ka ligje të mira në letër, por problemi është zbatimi i tyre, gjë që krijon probleme në praktikë.

 

Olja Ristova, gjykatëse në Gjykatën Themelore Penale, Shkup, theksoi se ne vazhdimisht flasim për reforma në sektorin e gjyqësorit dhe një nga sfidat kryesore është gjithmonë ndikimi i ekzekutivit në gjyqësor.

"Zakonisht ky ndikim bëhet nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm të qeverisjes dhe në mënyrë indirekte, si dhe ndihmohet nga klientelizmi i bartësve të caktuar të posteve të prokurorit publik. Me ndryshimet në Kodin penal të datës 7 shtator 2023, pushteti ekzekutiv ndërhyri drejtpërdrejt në punën e gjykatave. Gjegjësisht, këto ndryshime ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin e procedimeve penale në lidhje me korrupsionin e lartë që ishin në rrjedhë. Shumica e këtyre procedurave u ndaluan për shkak të vjetërsisë së ndjekjes penale", tha Ristova.

Ajo theksoi se vjetërsua e këtyre rasteve të profilit të lartë, të cilat ishin në interes të publikut dhe monitoroheshin vazhdimisht, ndikuan negativisht në cilësinë e organeve gjyqësore.

- Pyetja është pse Qeveria duhej të ndërhynte në këtë mënyrë? Një arsye është se jo të gjithë gjykatësit dhe prokurorët janë të ekspozuar ndaj ndikimeve. Rezultoi se vetëm një pjesë e vogël e gjykatësve mund të ndikoheshin, ndërsa shumica e gjykatësve që nuk ishin të ekspozuar ndaj ndikimeve po zhvillonin procedurat e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur. Ka ndodhur një precedent, Qeveria miratoi ndryshimet në Kodin Penal, por grupi i punës që punoi për ndryshimet në Kodin Penal doli me qëndrimin se nuk ishte aspak i informuar për këto ndryshime në lidhje me shpërdorimin e detyrës dhe autorizimin, heqjen e përgjegjësisë penale për prokurimin publik, shoqatën kriminale, etj", theksoi Ristova.

 

Në përgjithësi, shtoi ajo, ndërhyrja në ligj ishte për të zbutur politikën penale për krimet që lidhen me korrupsionin e lartë.

"Reduktimi drastik i dënimeve ka bërë të mundur vjetërsimin e ndjekjes penale në shumë procedime penale. Këto ndryshime në Kodin Penal shkaktuan reagime të forta nga publiku profesionist, organizatat e shoqërisë civile, organizatat ndërkombëtare dhe qytetarët. Në të njëjtën kohë, ata kontribuan në një rënie të mëtejshme të besimit në gjyqësor, i cili gjithashtu është i ulët", theksoi Ristova.

Radica Llazareska Gerovska, Këshilltare Shtetërore për Përmbarim, Noteri dhe Ndërmjetësim në Ministrinë e Drejtësisë, vlerësoi se kur flasim për mospërputhje në sundimin e së drejtës, problemet janë të njëjta për shumë vite, por pritet t'i kapërcejmë ato në mënyrë që të fillojmë më në fund procesin e shumëpritur të bisedimeve.

"Ministria e Drejtësisë është e angazhuar për të siguruar një kuadër të mirë dhe cilësor për punën e institucioneve gjyqësore dhe funksionimin e tyre me sukses. Një tërësi masash që synojnë sundimin e së drejtës, promovimin, transformimin, shkarkimin e gjykatësve dhe prokurorëve janë krijuar me qëllim të avancimit të gjyqësorit dhe prokurorisë në përputhje me BE-në", tha ajo.

 

Por, për mosfunksionimet, shtoi ajo, nuk duhet të ndalemi duke treguar me gisht njërën apo tjetrën, por përkundrazi, duhet të pranohet se me vendime të caktuara kemi dështuar dhe për këtë arsye, thotë ajo, duhet të veprojmë së bashku, sepse në këtë mënyrë mund të arrijmë reforma në gjyqësor, por ky angazhim kërkon edhe bashkëpunim nga gjyqësori.

Stefan Gojkoviq, kryetar i Asociacionit së Ndihmësve Gjyqësorë në Serbi, tha se gjyqësori duhet të jetë i pavarur, i paanshëm, profesional dhe efikas. "Duhet të jetë i lirë nga çdo presion politik. Sa i përket paanshmërisë, duhet të ketë sistem të qartë përparimi", tha ai.

Saimir Topuzi, ekspert nga drejtoria për politikat dhe strategjitë në fushën e drejtësisë në Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë, tha se në mungesë të një gjyqësori të pavarur, drejtësia bëhet e paarritshme për qytetarët.

 

"Shqipëria ka hedhur hapat e parë, ka adresuar rekomandimet e raportit të BE-së, si dhe udhërrëfyesin për sundimin e së drejtës. Shteti i së drejtës është proces dhe qëllim i vazhdueshëm për ne që të jemi të suksesshëm, ne kemi nevojë që institucionet të bashkojnë forcat dhe të ndërtojnë drejtësi më të qëndrueshme për të gjithë ne në rajon", shprehet ai.

Darko Avramovski nga shoqata civile "Të gjithë për gjykim të drejtë", vlerësoi se sundimi i së drejtës nuk është vetëm çështje e gjyqësorit dhe gjykatave - dështimi i policisë për t'u marrë me kaosin e trafikut, shprehet ai, është gjithashtu çështje e sundimit të së drejtës, pirja e duhanit në zyrë është çështje e sundimit të së drejtës...

"I gjithë Ballkani Perëndimor po përballet me të njëjtat probleme dhe ato na verbojnë që të mos përgatitemi për sfidat e së ardhmes. Një ndjenjë përgjegjësie është e rëndësishme që sistemi të funksionojë. Gjykatat nuk mund të zgjojnë tek qytetarët ndjenjën se drejtësia është vënë në vend, si pasojë e sjelljes së të gjithë personave të prekur prej saj. Si vend, kemi reagim të dobët publik, mungon përgjigje sistematike, nuk shohim se si funksionon sistemi në praktikë dhe të gjithë duhet të marrim përgjegjësi dhe një mënyrë për ta rregulluar atë, vlerëson Avramovski.  

Foto: Printskrin

 

 

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR