• e premte, 27 dhjetor 2024

Dashtevski: Dita e zgjedhjeve kaloi qetë, deri tani kanë arrit gjithsej 127 ankesa

Dashtevski: Dita e zgjedhjeve kaloi qetë, deri tani kanë arrit gjithsej 127 ankesa
Shkup, 20 gusht 2022 (MIA) - Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski në konferencën e sotme për shtyp informoi se deri tani kanë arritur gjithsej 127 ankesa lidhur me procesin zgjedhor, prej të cilave 113 janë pranuar, ndërsa gjashtë janë refuzuar. “Për Mavrovë-Rostushë ka pasur gjithsej 37 ankesa, janë pranuar 29, janë refuzuar 3. Për Tetovën ka pasur 43 ankesa, janë pranuar 38, janë refuzuar 2. Qendër Zhupë gjithsej 47, janë pranuar 46, ndërsa është refuzuar një ankesë”, deklaroi Dashtevski. Ai ka informuar se deri në orën 18:30 në Mavrovë dhe Rostushë nga 9.948 votues, kanë votuar 5.090 ose 51.17 për qind. Në Qendër Zhupë nga 7.154 votues të regjistruar kanë votuar 3.312, ose 46.30 për qind. Ndërsa në Komunën e Tetovës nga 84.702 votues, kanë votuar 27.4476, apo 32.68 për qind. Dashtevski ka vlerësuar se dita e zgjedhjeve kaloi qetë, pa incidente të dukshme. Ai konsideron se kështu do të mbyllet edhe dita zgjedhore dhe me numërimin e votave do të kemi zgjedhje lokale të suksesshme në këto tre komuna. Ai ka thënë se deri në mesnatë duhet të shpallen rezultatet e para jozyrtare dhe atëherë do të fillojnë të rrjedhin afatet për ankesat. Në Qendër Zhupë është votuar për një kandidat për kryetar komune, ndërsa në Mavrovë-Rostushë për dy kandidatë për kryetar komune. Që zgjedhjet për kryetar komune të jenë të suksesshme nevojitet të votojnë të paktën një e treta e votuesve të regjistruar dhe shumica të votojë për njërin nga kandidatët, apo njërin kandidat në Qendër Zhupë. Në komunën e Tetovës në fletëvotim ka 13 lista të kandidatëve për anëtarë të Këshillit komunal. Mandatet do të shpërndahen sipas numrit të votave të fituara duke përdorur formulën e Dontit.

QËNDRONI TË LIDHUR