• e mërkurë, 21 janar 2026

DAP: Në vitin 2025 në buxhetin kombëtar janë mbledhur mbi katër miliardë euro nga tatimet dhe kontributet sociale

DAP: Në vitin 2025 në buxhetin kombëtar janë mbledhur mbi katër miliardë euro nga tatimet dhe kontributet sociale

Shkup, 3 janar 2026 (MIA) - Drejtoria e të Ardhurave Publike sot informoi se në vitin 2025, në buxhetin kombëtar nga taksat dhe kontributet sociale janë mbledhur 4 miliardë e 426 milionë euro, që është për 308,3 milionë euro më shumë në krahasim me vitin 2024.

Nga shuma totale, siç tregon DAP-i, të ardhurat tatimore arrijnë në 2 miliardë e 334 milionë euro, me një rritje prej 7.5 përqind, ose 163.2 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Ata theksojnë se rritja është e vazhdueshme gjatë gjithë vitit, me një ritëm më të theksuar në gjysmën e dytë të vitit 2025, kur realizohen rreth katër të pestat e rritjes vjetore.

"Të ardhurat nga TVSH-ja bazohen në rritjen e qëndrueshme të mbledhjes së tatimit të paguar për qarkullim në vend, me një rritje prej 10 deri në 13 përqind në disa muaj krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në rastin e tatimit mbi fitimin, rritja rrjedh nga pagesa paraprake për vitin 2025 mbi një bazë më të lartë tatimore, si dhe nga rritja e mbledhjes së tatimit të mbajtur në burim nga dividentët dhe të ardhurat e tjera të paguara themeluesve dhe partnerëve të huaj të kompanive, ku u regjistrua një rritje prej mbi 30 përqind. Në fushën e tatimit mbi të ardhurat personale, pjesa më e madhe është tatimi mbi pagat, i cili shënon rritje të qëndrueshme mujore dhe një rritje totale prej mbi 10 përqind, ndërsa rritje e lartë u arrit edhe në tatimin mbi të ardhurat nga shërbimet kontraktuale, bujqësinë dhe vetëpunësimin. Nga kontributet sociale u mbledhën 2 miliardë e 92 milionë euro, që është 145.2 milionë euro më shumë se në vitin 2024, pra një rritje prej 7.5 përqind", njoftojnë nga DAP-i.

Këto rezultate, siç theksojnë ata, janë për shkak të mbledhjes së shtuar në kohë të detyrimeve me përgjegjësi të përbashkët të tatimpaguesve, ndërhyrjes së hershme dhe zbatimit konsistent të masave ligjore.

Drejtoria e të Ardhurave Publike njofton se në vitin 2026 do të vazhdojë me aktivitetet për mbledhje efikase, të drejtë dhe transparente të të ardhurave publike. sa/

Foto: MIA Arkivi

Tags

QËNDRONI TË LIDHUR