• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Dameva pret që në seancën e së mërkurës të merret vendimi i duhur pas iniciativës për shkarkimin e Besa Ademit

Dameva pret që në seancën e së mërkurës të merret vendimi i duhur pas iniciativës për shkarkimin e Besa Ademit

Shkup, 16 janar 2024 (MIA) - Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, pret që në seancën e së mërkurës, në të cilën duhet të diskutohet për raportin e Komisionit të raportuesve lidhur me iniciativën për përcaktimin e përgjegjësisë së kryetares së Gjykatës Supreme, të merret një vendim i saktë.

Dameva tha në emisionin "360 Gradë" se raporti i Komisionit të raportuesve është gati dhe se do të debatohet si pika e shtatë e rendit të ditës me titull "Debat për raportin për gjendjen e konstatuar".

"Bëhet fjalë për raportin në të cilin Komisioni, duke i paraqitur të gjitha provat në bazë të debatit publik, e konstaton këtë në dokument, por dua të përmend se sipas Ligjit për Këshillin Gjyqësor të miratuar në vitin 2019, Komisioni nuk i jep propozim Këshillit për sa i përket mendimit personal. Ajo vetëm konstaton gjendjen faktike në bazë të dëshmive të paraqitura, bazuar në diskutim. Mbetet që Këshilli të mërkurën të diskutojë dhe të vendosë, në bazë të kësaj, nëse është bërë shkelje dhe nëse po, çfarë shkelje është dhe cili do të jetë vendimi përfundimtar, do të presim për këtë", sqaron Dameva.

Debati të mërkurën, siç thekson Dameva, do të jetë i hapur për publikun dhe në seancë të gjithë anëtarët e Këshillit mund të shprehin mendimin e tyre për raportin e Komisionit, pas së cilës duhet të merret vendim.

"Gjëja e parë që deklaron Këshilli është ndalimi i procedurës, e cila kërkon të paktën shtatë vota. Nëse nuk ka shumicë,  konstatohet se është bërë shkelje dhe vendoset një nga masat e përcaktuara disiplinore ligjore, duke filluar nga më e rënda deri te më e lehta, që do të thotë e para është shkarkimi, pastaj gjobë duke marrë parasysh shumën dhe kohëzgjatjen, pastaj qortim publik dhe në fund vërejtje", thotë Dameva.

Ajo tregon se ka mbajtur qëndrim personal lidhur me këtë çështje, ndërsa për kolegët e saj tha se as për këtë rast e as për ndonjë tjetër nuk ka mundur të hamendësojë se kush si do të votojë, por shpreson që kolegët e saj të kenë parasysh gjendjen e përgjithshme faktike dhe në bazë të provave do të marrin vendim të drejtë.

Lidhur me mosparaqitjen disamujore të kryetares së Gjykatës Supreme Besa Ademi në seancat e Këshillit Gjyqësor, Dameva tha se duhet të kërkohet përgjigje nga ajo personalisht, por nëse pyetet si kryetare e Këshillit Gjyqësor, ajo shprehet e kënaqur me prezencën e Ademit sepse kryetari i Gjykatës Supreme mund të jetë ndihmues në punën e Këshillit Gjyqësor.

Në lidhje me shkarkimin e saj nga pozita e kryetares së Këshillit Gjyqësor, pas së cilës ajo ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Administrative, e cila ka vendosur në favor të saj, Dameva thotë se çështja e shkarkimit të saj nuk është mbyllur me vendim të Gjykatës Administrative. Ajo pret që edhe institucionet tjera kompetente të veprojnë.

"Më duhet të them se vendimin e Gjykatës Administrative nuk e konsideroj një triumf personal. Është një triumf, pra drejtësia fitoi këtu, për habinë time, të them të drejtën, është një befasi e madhe. Pra, megjithatë, jo të gjithë gjyqtarët në vendin tonë mund të konsiderohen se marrin vendime të njëanshme apo për ndonjë arsye tjetër. Gjyqtarët e morën lirinë dhe këtë e them personalisht, sepse nuk më lejohet ta shpreh këtë qëndrim si kryetare e Këshillit Gjyqësor, duke qenë se në atë proces pala e paditur, organi i paditur ishte Këshilli Gjyqësor. Nuk mendoj se këtu përfundon gjithçka sepse duhet të ndërmerren veprime të tjera në lidhje me atë paligjshmëri, por përgjegjës për këtë janë institucionet tjera", thotë Dameva.

Për mesazhet e ambasadorit holandez pas takimit me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, Dameva thotë se nuk do ta komentojë mesazhin, por është e bindur se diplomatët e huaj në vend kanë arsye për hapat e tillë. sa/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR